Albspirit

Media/News/Publishing

Letra e dashurisë së Gustave Flaubert për Louise Colet

…Prej së mërkurës të dua në një mënyrë tjetër; më duket sikur jemi më të lidhur, më të afërt, sikur më pak gjëra nga bota e jashtme mund të ndikojnë në lidhjen tonë; që, edhe sikur të mos piqemi për një kohë të gjatë, kjo s’do të thotë gjë…

Dhe së fundmi (a mendon edhe ti kështu?) dashuria jonë është bërë më serioze, duke humbur anën e saj banale, nuk është thjesht dy njerëz pa tesha në një shtrat.

A do ta dish shkakun? Se mbi të gjitha kemi qenë të vërtetë; se i jemi dhënë njëri tjetrit pa art, pa u turbulluar, si fëmijët e gjorë të padjallëzuar që e kanë sefte. Prej teje unë s’mora gënjeshtra dhe hidhërim, por një ngrohtësi shumë të këndshme që më mban kur jam larg teje në një ëndërrim epshndjellës…

Megjithatë, këtë mbrëmje iu vura punës, ama me shumë mundim…

Do të piqemi hera-herës, kur të mundemi; do t’i japim njëri-tjetrit një vrullimë të mirë ajri, do të shihemi në sy, do ndjejmë që jemi NE, vetëm unë dhe ti të vërtetë deri në amëshim; pastaj do t’i kthehemi mungesës. Kush e di?

Kjo është mënyra më e mirë për t’u dashur shumë. Kush mund të na sigurojë se, duke jetuar gjithnjë së toku, nuk do të lodhemi nga njëri-tjetri?

Do të ketë dyshime, pastaj gënjeshtra, më pas xhelozi; prej këtej zemërime, zënka. Do të vazhdojmë të takohemi nga kokëfortësia apo zakoni dhe jo nga dëshira, si tani.

Megjithatë s’e besoj këtë. Ti je tejet e mirë, ëmbëlake, tejet e përkushtuar, ndryshe nga gratë e tjera që janë aq egoiste, aq të ashpra dhe dinake me burrin të cilit i thonë se e dashurojnë.

Të dua si kurrë nuk kam dashur e si nuk do të dua më. Ti je dhe do të mbetesh e vetmja, e pakrahasueshme me asgjë tjetër.

Është diçka e mpleksur dhe e thellë, diçka që më mban lidhur pas teje nga të gjitha anët edhe kur nuk jeam me ty, që kënaq të gjitha shqisat e mia dhe përkëdhel sedrën time. Realiteti banal gati zhduket.

Mendimi se ti je “dashnorja ime” më vjen rrallë. Kujtoj fytyrën tënde të ndriçuar nga gëzimi, ose nga lotët që të shkaktoj unë, lexoj ato që më shkruan dhe qaj…

A nuk kam bërë gjithçka për të të lënë? A nuk ke bërë gjithçka që të duash të tjerë? Jemi kthyer prapë te njëri-tjetri.

Jemi bërë për njëri-tjetrin.

Të dua me gjithë zemër. Si të të dashuroj më shumë derisa të të bëj të lumtur, po aq sa të bëj edhe të vuash?

Please follow and like us: