Mandatet e PD-LSI, ç’të mbjellësh do të korrësh
Arben Rrozhani
PD dhe LSI kanë nisur një fushatë ‘inkuzicioni’ ndaj kandidatëve për deputetë të listës pasuese, që duhet të zënë vendin e ish-deputetëve që dogjën mandatet e fituara në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Fushata ka për qëllim refuzimin e tyre të prerë, që të mos joshen nga oferta ligjore e KQZ-së, ftesa e shumicës parlamentare dhe presioni i diplomatëve të huaj që vendet në Kuvend të plotësohen brenda afateve ligjore. Por duket se presioni politik nga PD dhe LSI po kthehet në boomerang, ngaqë disa prej tyre sot, nesër ndoshta më shumë, do të zënë vendet në parlament, duke krijuar të ashtuquajturën ‘opozitë të re’.
Nuk do të ishte aspak risi nëse ndodh kështu, sepse edhe ata që janë në atë sallë sivëllezër politikë janë, sepse kanë dalë nga listat e mbyllura të kryetarëve. Dhe nëse ia kemi mbërritur kësaj dite, ky është shteti i tre kryetarëve të partive, të cilët vendosin për gjithçka.
Përgjegjës janë Edi Rama, Lulzim Basha dhe Ilir Meta. Listat e tyre prodhuan këtë kuvend që kemi sot, ata që janë brenda, ata që dolën dhe ata që pritet t’i zëvendësojnë.
Pakti Berisha-Rama i 21 prillit 2008 i forcoi kryetarët e partive dhe listat e tyre, e vuri shtetin në shërbim të partive, zëvendësoi sovranitetin e popullit dhe sundimin e ligjit me pushtetin absolut të kryetarëve të partive dhe sundimin e marrëveshjes së tyre, shembi Republikën dhe e zëvendësoi me një regjim hibrid të tiranisë të krimit dhe korrupsionit që quhet Partitokracia Shqiptare. Sistemit proporcional-rajonal u dha atyre autoritetin të vendosin për çdo kandidat, duke ia hequr elektoratit, që prej 11 vitesh voton vetëm për partinë, por jo për kandidatin.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së 18 majit 2017, Rama dhe Basha thanë se do ta vijonin bashkëpunimin edhe me ndryshimet kushtetuese dhe ato në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, duke premtuar ndryshime rrënjësore për garën në zgjedhjet parlamentare.
Lulzim Basha e dorëzoi listën e zgjedhjeve të 25 qershorit rreth orës 00:47 të 26 majit 2017, duke kaluar edhe afatet ligjore. La jashtë gjthë gardën e vjetër të PD-së, por e mbushi me emra që pak thonin për memorien politike dhe historike të PD-së. Ai do të deklaronte: “Ju thashë që mbrëmë mora një vendim të vështirë. Vendimin e ekipit me të cilin Republika e Re do të përfaqësohet. Ekipi më përfaqësues, më i denjë, me programin e shpresave të vërteta të shqiptarëve. Por, ju premtoj se kjo është hera e fundit që një kryetar partie vendos listën e deputetëve, sepse, herën tjetër, listën e deputetëve do ta vendosë vetëm qytetari shqiptar”.
‘Republika e Re’ e Bashës dihet si përfundoi, reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese nuk janë as në draftin e njëanshëm të PS-së dhe as në propozimet e PD-së. Po ashtu mungojnë listat e hapura të deputetëve nga populli dhe jo nga kryetarët.
Popullit i është hequr mundësia që të zgjedhë vetë edhe në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe ato parlamentare.
Partia ZGJIDHJA e ka theksuar që kur vendosi të bojkotojë zgjedhjet farsë të 25 qershorit 2017 se në listat e deputetëve ishin servilët e kryetarëve, ndërsa populli nuk u pyet. Kjo është një histori tragjike dhe një model i dështimit që prodhon vetëm kriza. Pa reformimin e këtij modeli dhe rikthimin e votës te populli për deputetë, kryetarë bashkish, apo këshilltarë bashkiakë, qeverisja qendrore dhe vendore nuk do të përfaqësojë popullin dhe nuk do të punojë për popullin, por për kryetarët e partive, sepse prej listave të tyre kanë dalë. Ç’të mbjellësh do të korrësh.
*Sekretar për PR i Partisë Zgjidhja