Albspirit

Media/News/Publishing

Sadije Agolli, ikja e një gruaje

 

In Memoriam

Bashkëshortja e poetit Dritëro Agolli u shua në moshën 76 vjeçare. Ajo do të kujtohet gjithnjë si gruaja që iu kushtuan aq shumë poezi dashurie.

Sikur të rrëzohet në mal ky avion,
Kur unë udhëtoj nga Greqia,
Askush s’e mbaron,
Fletorkën përgjysmë me vjershat e mia.

Atë do ta hapë Sadija e mjerë,
Padashur, ashtu kot së kotit,
Mbi vjershën e lënë përgjysmë do bjerë,
E nxehta pikëz e lotit.

Pastaj do ta nxjerrë nga çanta shaminë,
E vetme në dhomë,
Fletorkën do ta mbyllë me një psherëtimë:
” I shkreti, i linte gjërat përgjysmë gjithmonë”.

Dritëro Agolli

 

Sadije Agolli, bashkëshortja e poetit dhe shkrimtarit Dritëro Agolli u shua disa ditë më parë. Në historinë e letrave shqipe ajo do të kujtohet gjatë, si gruaja që frymëzoi poetin të shkruante aq shumë poezi dashurie. Një libër i tërë me poezi dashurie i kushtohet asaj. Me flokët kaçurrela të zeza, dhe syzet që i dalloheshin në portretin e qeshur, Sadija ishte gjithnjë pranë tij, në më shumë se gjysmë shekulli që jetuan bashkë. Ajo i përket brezit të parë të studentëve që dolën nga auditorët e Filologjikut që do të kishin më pas një kontribut në historinë e redaktimit dhe letërsisë shqipe. Ajo do ta takonte bashkëshortin e saj të ardhshëm, poetin Dritëro Agolli në dasmën e çiftit të njohur Helena dhe Ismail Kadare. E ftuar në këtë festë si shoqja e klasës së Helenës, ajo do të pikaset menjëherë nga bukuria që e karakterizonte nga poeti nga devolli.” Me Sadijen kam qenë në një klasë, por vetëm vitin e parë të fakultetit, sepse unë u martova. Në dasmë, Kadare thirri gjithë shokët e tij shkrimtarë të Lidhjes, pa gratë, ndërsa unë thirra shoqet e mia, konviktore. Dhe në dasmë shkrimtarët kërcenin me këto studentet. Dritëroi u njoh me Sadijen në këtë dasmën tonë”, do të shprehej Helena Kadare në një intervistë kohë më parë. Më pas historia e tyre e dashurisë do të vijonte si të gjitha historitë e asaj kohe, përmes letrash dhe mundimesh. Për gati gjysmë shekulli përkrah një prej personazheve më të njohur të letrave shqipe, Sadije Agolli diti të ruante personalitetin e një gruaje model duke krijuar gjithë hapësirat e duhura për t’ia bërë më të lehtë shkrimin. Shtëpia e tyre ishte kthyer në një kafe të madhe letrare, të hapur për miq e të rinj që kërkonin mendime nga Dritëro Agolli. Ndarja nga jeta e Dritëro Agollit dy vite më parë, do ti ndante për herë të parë nga njëri tjetri, që pas martesës. Duket se kjo humbje ishte e rëndë për Sadijen, e cila në disa intervista e shprehte hapur mungesën që i kishte lënë ikja e tij. Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta ajo botoi librin me letërkëmbimet e tyre të dashurisë, të quajtur “Dashuri në moshën e Krishtit”. Gjatë gjithë jetës së tyre bashkëshortore ata i kishin shkruar letra njëri tjetrit. Letra që sot tregojnë jo vetëm dashurinë e tyre por dhe historinë e një kohe. Duket se jeta pa Dritëroin, ishte e pamundur për Sadijen, ndaj zgjodhi që ditët e para të kësaj pranvere ta gjenin me të…

 

Ditari i Sadijes

(Pjesë nga letërkëmbimi, botuar në librin “Dashuri në moshën e Krishtit”)

“E shtunë , vesha fustanin e bardhë ; Kisha zgjedhje edhe kostumin kombëtar, por ishte mjaft i ngarkuar dhe rëndonte shumë. Unë isha 54 kg dhe benevrekët më rrinin të mëdha. Ai ishte një kostum popullor i trashëguar, që kalonte nga një nuse te tjetra. Më përgatitën dy gra , duke më lyer fytyrën me sarikan. Por ajo ishte tepër e fortë për lëkurën time të bardhë, me cipë të lëmuar e tejet të bardhë ,lëmuar vetëm me ujin e ftohtë të çezmës . Kështu lëkura u acarua dhe u skuq vende-vende dhe vetëm me fasho prej lecke të lagura me ujë të ftohtë u kthye në gjendjen e mëparshme . Dasmën e bëmë në oborrin e shtëpisë sonë , vilë e bukur dykatëshe , me shumë lule , me dy selvi të larta , me një portë të madhe e të rëndë druri. Ishin ftuar tërë të afërmit ; isha fëmija e parë në shtëpinë tonë të madhe me dhjetë fëmijë , 5 djem e 5 vajza, që mbarova shkollën e lartë. Dritëroi erdhi në dasmë me të vëllain, Tajarin, dhe një kushëri nga Devolli , Njazimi . Dritëroi ishte shumë i gëzuar , pak i trullosur e i ndrojtur , ndoshta nga respekti që tregonin njerëzit e mi , pasi po martohesha me një gazetar e shkrimtar.

“ Pjesë nga ditari i Sadijes, 4 korrik 1965” .

 

“E dashur Sadije,
U ktheve në shtëpi e lodhur, po me fitore. U bëre zyrtarisht gruaja ime. S’ka tani tërc-mërc. Emrin tim e ke edhe në pashaportë. Bëjmë shaka, se s’ka ndonjë rëndësi një vulë e thatë. Ne edhe sikur mos e kishim atë vulë prape bashkë do të ishim.

Dje, pas celebrimit tonë të famshëm, unë kam qerasur gjithë ata njerëz. Të trashëgohesh, thosh njeri; të trashëgohesh, thosh tjetri. Sikur ne u fejuam dje! Siç duket ajo e djeshmja paska rëndësi dhe u quajtka si martesë.
Lutjen a e bëre? Mos e lër pas dore dhe mos i nënvleftëso formalitetet, si unë, se ngatërron punën siç e ngatërrova unë në zyrën e gjendjes civile në Shkodër. Po më mirë që e bëmë celebrimin në Tiranë, u bëmë natyrshëm e më njerzishëm. Edhe Qakua me Vaskën ishin simpatikë.
Eja papritur ndonjëherë.
Të puth shumë
Dritëro
7.1.1965

Ngrive ti sot tek autobuzi, moj e dashur ; dimri është stinë e vështirë për dashnorët! Sa marr udhën për në shtëpi, mendoj për të ardhur prape tek ti. Mua gjithnjë kur nisem më vjen keq që ndahem, dhe pa marrë biletën them me vehte: sikur mos ketë bileta e të ik pasdite! ( megjithëse duhet ikur në mëngjez).

Sonte binte dëborë. Dolla në rrugë me republikën e plakut, megjithëse është e vjetër, po ç’t’i bënja se më ngrinte koka. Ti ke të ftohtë? Atëherë po të puth fort që mos kesh të ftohtë.

Yti Dritëro
8 janar 65

“E dashur Sadije, si je, moj gruaja ime e shtrenjtë? Je bërë fare dembele, as shkruan letra, as na vjen nga Tirana. Unë rri këtu vetëm e mërzitem për ty. Kur vij ndonjëherë vonë, në dhomë s’ka dritë, në dhomë është ftohtë. Atëherë them me vehte se po të ishte Sadija ime e dashur nuk do të mbretëronte kjo gjëndje !

Prushi në mangall po më shuhet. Në dhomë po bën ftohtë. Më duket sikur jam brenda në ujë, si peshqit e mij në akuarium. Dua të mbulohem me jorgan, pra, që t’i shpëtoj këtij të ftohti. Prandaj natën e mirë.
Të puth shumë
Dritëro
10.1.1965

Please follow and like us: