Albspirit

Media/News/Publishing

Trepça, Ujmani dhe Mitrovica fishkëllima në terr

Është ora tre e mëngjesit, jam në New York, për mua ka filluar dita e punës si rëndom, kur e kaloj Atlantikun dhe leximi i narracionit kosovar (shkrime, gazeta, segmente intervistash televizive, postime Facebooku) tregojnë për dy procese që kanë një emërtues të përbashkët: pragun e shtëpisë.

Procesi i parë, ta quajmë gurgullima e lumit, u zhvillua në Pejë. Një grup protestuesish dolën në qendër të qytetit, të mbledhur edhe nga vise të tjera të Kosovës, për të protestuar kundër intencës (gjegjësisht tashmë projektit që po kalon segmente të ndryshme qeveritare) për të ndërtuar një apo më shumë hidrocentrale në Lumbardh (Bistricë). Protestuesit, me të drejtë, frikësohen se një hidrocentral në atë pjesë të rrethit të Pejës do të rrezikonte seriozisht biosistemin e tërë regjionit. Në fakt, më shumë se kaq, do të rrezikonte tërë identitetin e Pejës, një qyteti të ndërtuar si tërësi estetike e rrëfimit monumental të Bjeshkëve të Nemuna.

Por, protesta kundër ndërtimit të hidrocentralit është edhe më shumë se kaq. Është rrjedhë logjike e konsekuente e relacionit mes pushtetit, të kapësve të shtetit dhe qytetarit. Kapësit e shtetit kanë uzurpuar banesat, dyqanet, RTK-në, PTK-në, çdo ndërmarrje që ka mundur të krijonte vende pune apo përfitim material. Mentaliteti i kapjes së shtetit, shpërfillës për çdo publike – prej shkollave deri te paraja – ka mbërritur, në fund edhe deri te gurgullima e lumit.

Qytetari i cili nuk ka mundur ta mbronte (nuk është organizuar, nuk ka dashur të organizohej, nuk ka mundur të organizohej, nuk ka pasur kush t’i prijë – që të gjitha këto zhvillohen si interpretime legjitime) RTK-në, PTK-në, shkollën e shëndetësinë, tash në fund po detyrohet ta mbrojë gurgullimën e lumit, e vetmja gjë e mbetur dhe e paprekur apo e paprishur nga kapja e shtetit.

Atëherë kur të prishet edhe gurgullima e lumit, qytetari do të ketë mbetur pa shtëpi.

Procesi i dytë, i cili zhvillohet paralel me atë të mbrojtjes së gurgullimës, po ashtu prek shqisat e të dëgjuarit. Quhet fishkëllima në terr.

Fishkëllima në terr është inkurajimi që i bëjnë vetes fëmijët (fëmijët fillimisht, pastaj e vazhdojnë edhe në të rritur, gjatë tërë jetës) kur gjenden duke ecur vetëm, në terr. Atëherë fillojnë të fishkëllejnë, t’i tregojnë vetes dhe të tjerëve se nuk po frikohen. Se janë aq trima, madje, sa të mundë të fishkëllejnë për pesë palë qejfe, të shkujdesur në tërësi nga rreziqet që i mbart me vete terri.

Më ra në mend ndërsa dëgjoja diskursin, i cili po zhvillohet nga ana e personave të përfshirë, apo me pretendime për t’u përfshirë në procesin negociator me Serbinë. Prej tyre dëgjohet se “nëse nuk ka njohje nga ana e Serbisë ne çohemi prej tavolinës”, “nuk ka zgjidhje pa reciprocitet me Serbinë”, “sa do të marrin ata territor, marrim ne, as një centimetër më pak”, “na kanë thënë miqtë se fundi i kësaj pune dihet, njohja”, “’Trepça’, Ujmani dhe Mitrovica si tërësi urbane mbeten në Kosovë”.

Që të gjitha këto deklarata janë fishkëllimë, janë rrëfim për inkurajim se po hyjmë në një proces negociator. Problemi i kësaj fishkëllime është se atëherë procesi negociator shndërrohet në kontekstin ku nevojitet fishkëllima, në terr.

Dhe kështu pak a shumë duket kjo punë: nuk di gjë kush saktësisht se çka po ndodh, është një terr i madh aty përpara, por për çdo eventualitet, do filluar fishkëllimat. Sepse, terri tash ka të bëjë, sërish, me pragun e shtëpisë.

Gurgullima e ujit, kur zbret prej poetikës hyn në rrafshin e vet, banal.

Në atë banalitet gjendet një përfitim material i një individi (apo disa sish që mund të jenë të përfshirë doemos në korrupsion, qoftë material apo moral) për të ndërtuar një hidrocentral që gjeneron energji të shpërfillshme për komunitetin, por të mjaftueshme për individin dhe biznesin e tij.

Përballë atij individi (apo grupit) të njerëzve është interesi i qytetarëve të Pejës, gjegjësisht të ekosistemit të Pejës me rrethinë, një interes që tejkalon edhe Pejën, madje edhe Kosovën.

Në të zbritur në këtë rrafsh, beteja për gurgullimën e lumit bëhet në fakt mbrojtje prej sundimit të banalitetit; mbrojtja e pejanëve dhe të gjithë të tjerëve, në fund edhe mbrojtja e natyrës prej diktaturës së banalitetit.

Terri, ai negociator, nëpër të cilin po dëgjohet fishkëllima, nuk është aq i plotë sa të mos shihen konturat e asaj që po vjen në javët në vijim. Deklarimet e negociatorëve kosovarë për “vija të kuqe” e për gjëra të ngjashme mund të tingëllojnë dokrra, ngase përderisa bëhen deklarime të këtilla, diplomatët e përfshirë në ndërmjetësim janë duke përgatitur kornizën negociatore, të cilën do t’ua ofrojnë Serbisë dhe Kosovës. Madje, këtë kornizë do t’ua ofrojnë si produkt të asaj që ndërmjetësit (lehtësuesit) kanë kuptuar të jenë pozicione të përafërta mes palëve. Ky parim është instaluar që në fillim me lehtësimin e Robert Cooperit dhe nuk ka ndryshuar ndërkohë. Pra, në javët që vijojnë, negociatorët kosovarë mund të shkojnë në Bruksel dhe të bisedojnë për futboll, xhudo apo për film e teatër, dhe kjo nuk do të ndryshojë gjë në kornizën e cila po përgatitet t’u dorëzohet palëve. Në fakt, vetëm do ta legjitimojë.

Nëse kjo ndodh, fishkëllima nuk do të ndihmojë më. Pala kosovare do të jetë objekt i një trysnie të madhe për të marrë pjesë në një proces negociator pa vlerësuar atë të deritanishmin dhe pa u konsultuar për parimet e atij të ardhshmit.

Nëse edhe pas kësaj dëgjohet fishkëllima – e ajo merr formën “ne obligohemi t’i dëgjojmë miqtë ndërkombëtarë”, “edhe nëse nuk na pëlqen, populli vendos me referendum”, dhe dokrra të ngjashme me ato të shqiptuara deri tani – është indikator i mjaftueshëm për terrin që shihet përpara./koha.net/

Please follow and like us: