Albspirit

Media/News/Publishing

Pas Maliqit, Rrushit, Roshit, Marës, Shehut edhe Braha, Hoti, Hyseni, Halilaj dhe Karameloqi i bashkohen Kuvendit

Bashkë me deputetët dhe ministrat u paraqitën për të bërë betimin në seancë edhe 4 kandidatët nga listat e LSI-së që morën mandatin të hënën nga KQZ. Një prej tyre është Ylli Shehu, që pohoi se vota e tij do të jetë në opozitë me qeverinë. Pas verifikimit të mandateve nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Gramoz Ruçi lexoi formulën e betimit për 4 deputetët e rinj. Nga ky moment i betimit të Ylli Shehut, Enver Roshit, Aurora Maras dhe Edmond Rrushit, numri i deputetëve me mandat të plotë në Parlament shkon në 86, duke mundësuar kështu edhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, që kërkojnë 84 vota, nëse palët do të bien dakort. Në votimin e rendit të ditës, Ylli Shehu u shpreh gjithmonë kundër, Aurora Mara pro, ndërsa dy deputetët e tjerë ndryshuan qëndrim në varësi të p/ligjeve. Atyre pritet t’u shtohen në seancën e ardhshme edhe 6 deputetë të tjerë, që kanë depozituar formularët e dekriminalizimit pranë KQZ, duke shprehur vullnetin për ta pranuar mandatin. Bëhet fjalë për: Ediola Braha, LSI Gjirokastër, Elda Hoti, LSI Lezhë, Edlira Hyseni, LSI Durrës dhe Ligoraq Karamelo, PD Korçë. Majlinda Halilaj PD Tiranë, e cila pasi kishte firmosur fillimisht refuzimin ndryshoi mendjen dhe do ta pranojë mandatin. Ndërsa të hënën ishte Lefter Maliqi që shprehu gjithashtu vullnetin për të pranuar mandatin e deputetit.

Please follow and like us: