Albspirit

Media/News/Publishing

PD: Pa LM dhe MM, 103 kandidatë të listës refuzuan publikisht marrjen e mandatit

103 kandidatët nga lista e Partisë Demokratike, refuzuan publikisht marrjen e mandatit të deputetit në protestën përballë Parlamentit. Shumë prej përfaqësuesve të opozitës, theksuan se nuk mund të jenë pjesë e një Parlamenti të kapur nga krimi.

Gerti Bogdani në listën e Tiranës teksa refuzoi publikisht marrjen e mandatit theksoi se Edi Rama mblodhi qelbësirat dhe fitoi pushtetin. “Edi Rama ka frikë nga zgjedhjet e lira, sepse në zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka kriminelë dhe banditë”.

Mirela Tabaku tha se Shqipëria renditet e para për nga vdekshmëria foshnjore, largimin e mjekëve, e fundit ndaj kujdesit shëndetësor. “Unë nuk mund të jem kurrë pjesë e këtij Parlamenti. Rama ik!”

Bernadeta Syku nga Shkodra nuk pranoi të marrë mandatin e deputetes. Në protestë ajo theksoi se si familje e persekutuar nga regjimi komunist, kërkon një Parlament të pastër nga krimi. “Një porosi për z.Lleshi. Burrat malësorë nuk e kanë pasur zakon me i shërby horrave të komunizmit. Asnjë hap pas. Duam Shqipërinë si gjith Europa”.

Matilda Qurku nga qarku i Sarandës refuzoi kategorikisht të bëhet pjesë e një parlamenti të kriminalizuar. “Ai mandat nuk më përfaqëson as mua as qytetarët e jugut”.

Martin Biba kandidat i listës së PD për qarkun e Lezhës nuk pranoi thirrjen e KQZ për marrjen e mandatit. “Ky është mandat i turpit, të cilën e pranuan disa të tjerë. Ky përbindësh nuk bëri asgjë për sportin dhe aviacionin. Aviacionin e ktheu në fushë droge”.

103 kandidatët nga listat e Partisë Demokratike, kanë dorëzuar sot në KQZ formularët për të refuzuar marrjen e mandatit të deputetit.

Please follow and like us: