Femrat e hasdisura festojnë në Këln
Arti, kultura dhe karnavalet. Këlni është i famshëm për këto dhe vizitorët nuk mbeten të zhgënjyer. Por, së fundmi ata janë ngazëllyer nga ajo që njihet si e enjtja e grave, apo dita e femrave të hazdisura.
Në këtë ditë nuk është çudi që të shohësh përqafime mes njerëzish që nuk njihen me njëri-tjetrin sepse kjo është pjesë përbërëse e Karnavaleve të Këlnit, ashtu si dhe muzika e birra.
Që në Mesjetë zonjat e shoqërisë së lartë kishin të drejtë që në këtë ditë të “lëshoheshin nga zinxhirët” dhe të festonin si t’u donte qejfi. Në shekullin e XVIII një ditë të tillë përjashtimi e lejonin edhe disa manastire, ku murgeshave u lejohej të hanin e të pinin sa të donin dhe madje edhe të luanin kumar apo të kërcenin valle deri në mëngjes.
Tradita e festës së grave të hazdisura si festohet sot, nisi në shekullin XIX, kur rrobalarëset e Beuel, pranë Bonit, vendosën që në këtë ditë të mos lanin, por të mblidheshin në një pijetore dhe të shanin burrat, që vetë shkonin të festonin dhe i linin gratë në shtëpi.