Albspirit

Media/News/Publishing

Jehona e librit u dëgjua fare pak!

Greca Qinami
I nderuar z. Asdurian,
Ju uroj suksese te metejshme ne krijimtarine tuaj, por me lejoni te ndaj publikisht disa shqetesime me ju per librin tuaj.
Diku andej nga mesi i librit, interesant dhe më shumë së një kronikë e bulevardit të Madh, shkruani:
“Lëvizja duhet të gjenerojë lloje të tjera udhëheqjeje për të mbështetur organizmën e saj; duhet të kërkojë baza të përhershme financiare; duhet të përshtasë veprimtari të reja dhe më të specializuara brenda vetes; duhet t’i bëjë shprehi të përditshme mënyrat e saj të rekrutimit.”*
Nukarrij të kuptoj se për cilën udhëheqje e keni fjalën kur vetë ju zotëri jeni kundër personave “udhërrëfyes”, siç i quani, dhe për më tepër kundër vetë partive, këtyre që kemi këtu, madje edhe si pjesë përbërëse të demokracisë. Sillni disa argumenta por realiteti këtu është ndryshe. Këtu as parti të reja nuk të lënë të krijosh dhe jo më pastaj të arrish të bashkëbisedosh me elektorati, kur partia më e madhe në vend mezi ka një radio dhe një stacion televiziv. Pa përmendur fondet për të mbështetur procesin e zgjedhjes, kur ndershmërisht dhe larg trafiqeve frutëdhënëse nuk ke se ku t’i gjesh. Njerëzit janë zhvatur kaq shumë ndërmjet TEG-tregut dhe spitalit ku shkojnë se s’kanë çfarë të bëjnë për të mbetur gjallë, sa nuk u ngelen para për të blerë një libër e jo më t’u dhurojnë para partive të reja, që do fillojnë të vjedhin nga e para! Kjo vlen edhe për kandidatët e pavarur, se edhe po të kenë paratë e tyre, se vinë nga diaspora, apo i mbështesin të huajt a të tjerë, do hasen me të njejtin mur të pakapërcyeshëm izolimi shoqëror të krijuar nga oligarkët në fuqi. Pavarësisht nga fasada europiane, demokracia shqipëtare është fare e njejtë me demokracinë ruse të Putinit. Këtu blihet çdo gjë, dhe vota në këtë treg s’është asgjë, jo nga dinakëria dhe mashtrimi i politikanëve, por nga varfëria e skajshme. Nëse do na vije përpara një thes, ç’thes them, por një kusi me miell dhe një kandidat të pavarur të shkëlqyer për nga dija dhe të pastër qelibar nga jeta dhe veprimtaria, do zgjidhnin kusinë. Dhe kështu edhe ata intelektualë që i quan “tradhëtarë”, pasi edhe ata siç jam e sigurtë edhe ti që flet kaluar, po të ishe këtu do zgjidhje njëlloj si ne, kusinë.
Më vjen mirë që midis personazheve pozitivë në libër, ndoshta të vetmet, përveç studentëve pjesëmarrës paemër në lëvizjen e dhjetorit 2019, janë dy zonjushe dhe një zonjë që e thërresin Evë. Ato janë më të pastërtat ndër të gjithë aktorët në këtë histori të trishtë heshtjeje. Ato sjellin aty dashurinë. Por dhe rrezikojnë në çdo hap si gra dhe si intelektuale, si të nëna, por edhe si viktima të pambrojtura pre e spiunëve dhe dhuna përreth tyre. Por nuk janë vetëm të tilla. Duke qenë dhe unë një grua e re, jam e sigurtë që ka plot si mua, që duam ta ndërtojmë jetën tonë këtu, në këtë tokë, të cilën ngadalë nga dëshpërimi po e braktisin të gjithë. Ne mund të jemi më shumë se Eva që u rrek së ndihmuari me shpirt e duar mbushur me ushqime, se dimë të ndërtojmë dhe udhëheqim një lëvizje të re me të vërtetë. S’ka kush ta bëjë një lëvizje Pranverë më mirë se ne zonjat, mëmat e mënçura. Të jesh i bindur zotëri, se do ta bëjmë përpara se të ngrihen të vdekurit siç e nënkupton ti. Jo mik, do të jemi NE, ato që do e ndërtojme këtë vend nga e para, siç ishim po NE, që u flijuam pa u ndjerë të mbanim gjalle këtë komb te ndarë dhe të përçarë, gjuhën tonë të mrekullueshme, si mbajtëm këngët dhe kostumet tona kombëtare. Se ishim dhe jemi ne, ato të cilat i qëndisëm dhe i qëndisim flamurin në shpirt e këtij populli që e rropën së vjedhuri.
E dimë që librat nuk nxisin lëvizje mosbindëse, siç i quani ju,, as dryshimet në qeveritë e shteteve, as se ato u mësuan duke i lexuar nëpër libra, por ashtu si e keni thënë e përsëritur disa herë, libra si ky, do ndihmojnë nëse do të përfshihnin në diskutim e tyre të lirë gjithkënd, rreth problemeve dhe dukurive që nxjerrin koke mes ngjarjeve të kësaj kohe veçanërisht të paqartë. Librat s’janë gjë tjetër veç kuti të kujtesës njerëzore dhe ndoshta dhe më shumë se dhe vlerat praktike për t’u vënë në përdorim që sjellin, po aq sa një shishe verë a një tufë me lule.(Mendime mbi librin Kambanat e Heshtjes të Emil Asdurian)
Please follow and like us: