Mehmetali Rexhepi: THELLËSIA
Tregim
Në arkivimet e shkapërderdhura të ndërdymes ndodhet edhe një incizim. Kur kërkoja ta shpaloja nuk e gjeja dot. Çfarë të shpaloja se? Veten time të pistë?! I ikja atij shpalimi, por ai më shpalohej bezdisshëm, sikur donte të më neveriste nga vetvetja. Tash, kur përkundër dëshirës, mëtoja t`i shihja së paku disa nga ato inserte groteske, nuk më shpalosen. Çasti i shpalimit vjen pikërisht kur nuk e pret. Disa trajta të jetës kurdisen të shpijnë tej-botës, tej shpërfytyrimit, pa asnjë skrupull të njeriut.
– Kujt dhe pse t`ia shpaloja incizimin?
Desha t`ia dëftoja Valorit, por pikërisht atëherë u tret incizimi. Nuk e gjeti çasti dhe treti; treti edhe Valori dhe mbeta me veten time.
Pse duhej t`i shpaloja Vijimit gjëra të tilla “pornografike”? Le të mbesin të mbërthyera nën të brendshmet, nën këmishën e bardhë, katin e zi dhe kravatën e përshtatur sipas ngjyrave të kostumeve. Po ashtu, mendoja se sinqeriteti i tepruar do të më shpie në naivitet. Nga moria e të njohurve vetëm njëri më tha: askush nuk shpalohet tërësisht tek askush. U mpira.
– Pse janë të tillë njerëzit? – Pyeta vetën.
– Të gjithë karakteret ngrihen mbi cektësinë dhe jo mbi thellësinë e tyre – nuk i lash shkas përgjigjeje vetes së dytë.
Herë-herë mendja ma thoshte, ndoshta është mençuri të mos shfaqet kurrë thellësia e karakterit. Pse? Çka nuk ngërthejnë karakteret… Andaj, është më mirë të mos i njohim, të mos i shohim, të mos mihim mbi ta, por…? Si duket të gjithë e kanë përvetësuar këtë mençuri?
– Cilën mençuri?- pyeti veta ime.
Nuk mund t`i shmangesha vetës pa i dhënë përgjigjen e kërkuar, ndonëse mund të futesha në mjegullën e saj të ngatërruar… Matanë do të më nënqeshnin fije e doza intervalesh të shkëlqimit të së vërtetës së fshehur.
– Je a nuk je idhnak i mençurisë sipërfaqësore?
Pyetja ime lypte tumirje që ta dija vetën se ku duhej të gjendesha: këndej të mençurve a andej të marrëve? Si duket në paradoksin e këtillë, të marrët sikurse unë qenkan të paktë!
– Mot, pse ende nuk e ke kapur ndjesinë e sipërfaqësores, por je zhytur në atë thellësi ngufatjeje parimesh?!
Vijimi i munguar më parë, erdhi dhe vijoi në kursin e përcaktimit të tij kësaj rrjedhe të mençurisë:
– Sipas teje ne, të shumtët jemi sipërfaqësorë?
Ishte diçka mes pohimit, dyshimit, fyerjes dhe mos-tumirje Motit.
– Gjithsesi! – thash.
Kjo përgjigje tejet e përgjithësuar, si duket, nuk depërtoi në dyshimet e kapshme të Vijimit këmbëngulës.
Bezdia kishte filluar të hynte mes nesh. Ajo mund të merrte trajtën e grerëzës pickuese, meqë ndiente erën e tundimit të saj mos-durues. Iu dorëzuam heshtjes flluskuese…
– Te kush mbeti thellësia Mot?
– Te deti…
***
Nuk e dija pse mbeta ashtu… I zhveshur mes përmes qytetit… Cullak?! Nuk isha mes drunjve të pyllit, as brenda një akti gjinish… Qyteti nuk kishte drunj që të fshihej lakuriqësia. Në trupin e cullakuar më kishte mbetur vetëm e brendshmja e sipërme, pa të poshtmet. Ecja dhe shkelja mbi tiparet e fytyrës sime… Nuk më ndiqte kush pos e njëjta fytyrë. Nuk e mbuloja fytyrën me duar por organet intime. Për habi, pa një pa dy, duart venin aty. Çfarë mbuloja e çfarë zbuloja?! Përpiqesha të mbuloja ankthin e fytyrës dhe zbuloja pikërisht atë. Ishte një ankth i llojit vertikal. Ankthi i një cullakomi vertikal mes sysh që shtireshin të panjohur. Çfarë disipline kalimtarësh, asnjëri nuk kthente kokën për të parë “havalenë”! Çfarë bëja? As ecja, as vrapoja. Kisha një ritëm të parregullt, një stil i aty-për-atyshëm për shmangie shikimesh, thuajse bëja turpin më të madh në botë dhe, duhej të më drejtohej gishti i anatemës pikërisht mua!
Të vetmen xhaketë në trupin e cullakuar e kisha këputur, duke e ngrehur për të mbuluar sipërfaqen ku më shkonin duart. Ajo copë e leckosur do të kishte kuptim, po t`iu përkiste gjymtyrëve të poshtme, sikurse pantallonat e shqyer të modës. Asgjë tjetër nuk e mbulonte relievin e këtij mashkulli me karakter të graduar.
– Pse nuk më shikonin kalimtarët? – pyeta vetën e dyzuar.
Tendosja e kësisoj përvidhej nëpër shesh mes sysh e veshësh përmasash të pa rëndomta. Se si më vërshonin një palë sy, shumë palë sish… Tërë sytë e kalimtarëve në tablotë e tyre, do t`i pikturonin aktet e mia me lëvizje të pjerrtë!… Mandej, ndokush prej tyre ndoshta do ta ekspozojë pjerrtësinë time cullake, në ekspozitë a në murin e dhomës vetjake? Nuk është thënë sa për tu thënë: fusha ka sy e mali ka veshë. Në çdo kënd të qytetit hasja në pasqyra. Rreth e rrotull pasqyra të stërmëdha, reflektuese, edhe nën këmbë shkelja mbi pasqyra të rrëshqitshme… Shkelja mbi pasqyrën e karakterit tim të rrëshqitur! Shkelja mbi copat e shëmtisë sime; mbi dhimbjen time të copëzuar… Mbi shëmtinë time të pikturuar…
Po i thosha vetës:
– Si u bë që qyteti im i tëri qenka veshur me pasqyra: dyer, dritare, fasada, ballkone, mure, rrethoja dhe ja: unë mes tyre, i tëri i cullakuar?! Më kot i lëshoja duart para organeve mashkullore, nuk fshiheshin dot.
– O Zot pse ma bëre këtë ndëshkim?
– Ndoshta ndjellakëqijat e Vijimit, se namatisjet e tija për mua, sado të përsëritura, nuk do t`ia tumirte vullneti i Zotit Mëshirëplotë?!
– Sa do të dëshiroja që të shndërrohej qyteti në liqe të thellë dhe të futesha në thellësinë e tij! Të fundosesha, qoftë dhe me kushtin e ngufatjes, të mbetesha në fund tok me marrëzinë e përbuzjen!
– Çka po thosha? Ëhë… – Të shfarosen të tjerët për të shpëtuar karikaturën time?!
***
Mendja më fjaf-fjoi te thellësia dhe cektësia e karaktereve. Kësaj mynxyre më vinin qindra pyetje pa përgjigje. Isha mes dy vetave, dy simbioza, tre karaktereve. Njërës vetë, që kishte kapërcyer ylberin, gjithë ecejaket e mia të mynxyrosura i dukeshin se u fanitej vetëm e rëndomta. Përderisa mua më bëhej se isha kthyer në zanafillë, në bashkësinë e parë primitive.
Ec e përballo legjendat urbane të thashethemnajës për shkallmimin tim mental… Jeta rridhte përmes ndotjes të mjedisit fushor dhe mendor. Nga rendi i egove nisnin e ndalnin ritmet e zemrave me tela. Dhimbja dhe gëzimi hyjnë dhe dalin në “rrethin vicioz” të celularëve. Korubeve të trupave njerëzorë në më të bukurën verë u veniteshin lulet e fisnikërisë… Secilën herë kur zhvendosej nga unë veta e ylberit të kapërcyer, më vareshin në sy bashkat e reve, vetëtimat, breshërima e tymnaja.
Ecejakeve të ritmit të çrregulluar për ikje e fshehje publike, mëtoja t`i fusja duart në xhepa, siç bëja rëndomë për mot të ftohtë. Madje më patën premtuar “se do t`i hapim xhepat e lëkurës tënde që t`i fusësh duart në ta!”
“ Ty do t`i bëjmë xhepat e thellë prej lëkurës origjinale, për t`i ngrohur duart tua kur të kesh ftohtësi!” Më kishte tmerruar ky premtim i një cinizmi kaq të zi, i shkallës nga më të skajshmet.
Edhe sot ankthi i xhepave më rrëqeth, sidomos kur shoh diku thikë a çfarëdo mjeti të mbrehtë. Kur e zbërtheva ngërthesën sadizëm, u binda se ata që e pëlqenin përmbajtjen e tij, nuk ishin qenie me brirë.
Kalimtarët nuk e ndëshkonin cullakun tim në rrugë. Secili i shmangej telasheve. Akëcili mund të më ndëshkonte me hithrën e shikimit, ose me tufë hithrash të mes-majit, të cilët kishin gufuar ndanë lumit të pistë. Ndëshkimet, po deshën, do të ishin gjithfarë, por banorët shikonin vijën që ua vizatonin sytë e tyre, drejtëzën e palakuar gjeometrike.
Vetja e ylbertë:
– Shiko Mot, askush nuk të nget!
Pastaj më zbriti grada e tendosjes dhe iu ktheva të esëlltës.
***
E kisha një lloj pështirosjeje të pa përkufizuar. Nëna ndjesë pastë më pat thënë:
– Bir, mos ke hi n`gjynah te dikush?
– Mos e ke lënë në thellësinë e vorbullës së dashurisë, nuk ia ke zgjatur dorën dhe ia ke kthyer kurrizin ndonjë të dashure anonime? – Pyeti dhe pohoi një lloj konstatimi veta e ylbertë.
Ç`t`i bësh dhimbjes njerëzore që nuk është këputur, por është ngushtuar në numra tek.
Pas takimit me Valorin, Moti shfaqet i zbehur:
– Mot a je qetësuar pak?
– Jo Valor, përderisa ka një të këtillë Vijim…
– Secili karakter ka vorbullën e vet të thellë a të cekët – i rrëfehej qetësisë së Valorit.
Takimi me Vijimin nuk ia sillte të këndshmen Motit. Mëria mes të sprovuarit dhe të paprekurit, mbahej si një kafshë lehtësisht e ndërsyer për të kafshuar herë nga njëra, herë nga pala tjetër.
– Valor, Vijimit i thash: – Mos i shtyj karakteret të bien në vorbullën tënde!
– Do të thuash në grackën time! – U shfaq Vijimi i papritur se do të gjendej aty.
– Nuk e mëtova këtë ashpërsi të dëshirueshme për ty, Vijim!
Më thuaj Mot:
– E kapërceve a mbete në thellësinë tënde të padukshme? Dhe vazhdoi:
– Ti je i padukshëm!
– Padyshim Vijim! Unë notova thellësive dhe gjeta koruben tënde tek bredhte ligatinave të jetës.
Në fytyrën time ai pa zbehjen e pushtuar nga e kuqja. Në të tijen pash gjembat e qimeve që shpojnë faqet e buta të përqafimit.
Gjilan, maj 2018.