Albspirit

Media/News/Publishing

Zbardhen letrat e Elena Gjikës për nënën e saj

Elena Gjika, vajza e bukur italiane që kaloi jetën në kampet shqiptare të komunizmit, e shpreh trishtimin e një jete që nuk e kishte pritur, në letrat që i çon të ëmës në Itali. Elena nuk do ta shihte më kurrë nënën, pasi kur ajo u kthye në Bari pas viteve 90-të ishte shumë vonë.

Më 9 prill 1948 ajo i shkruan nga qyteti i Krujës ku ishte shpërngulur familja Merlika.

“Nёna ime e adhuruar. Nё kёtё çast mora dy letrat e tua tё datave 20 e 22 tё muajit tё shkuar; mos u merakos nёse ndonjё herё shkruaj zi, nuk mund t’i a fal vetes, sidomos kur mendoj se tё shkaktoj dhimbje shumё, nga njё herё dёshpёrohesh e nuk ёshtё mirё, jam e marrё e mjaft, mbyllet incidenti.

Xhaxhait i lutem tё mё falё turbullimin tim; duke menduar pёr tё i kam premtuar vetes se do tё jem gjithmonё e fortё dhe buzёqeshur, deri sa tё mundem t’a pёrqafoj sёrish e tё shihemi sy nё sy, sepse fjalё ёshtё e vёshtirё se do tё jemi nё gjёndje tё shqiptojmё”.

Më 28 gusht të po atij viti ajo i shkruan: “Nёnokja ime e adhuruar. Ka dy javё qё gjёndem kёtu nё Vlorё sё bashku me Poçin; kemi ardhur kёtu tё kalojmё njё muaj me Asllanin dhe Xhanёn, pёr tё ndryshuar pak jetёn tonё tё Krujёs…. Sa e trishtuar ёshtё heshtja e zgjatur nga ana e juaj, tepёr, pambarimisht e trishtuar. Letrat e juaja, pakot e juaja, janё gёzimi ynё, oksigjeni i ynё material e moral; dashtё Zoti qё tё rifillojnё pёrsёri! Dje kam mbushur 28 vjet, nёnokja ime, por u kujtova vetёm sot duke vёnё datёn nё fillim tё letrёs: si kalojnё vitet e un nuk mundem tё tё shoh, tё tё shtrёngoj nё zemёr, tё jetoj me ty dhe me Poçin njё çast lumturie! Durim! Do tё jemi tё fortё deri nё ditёn e bekuar tё bashkimit tonё. Asllani e Xhana tё pёrshёndesin shumё: mё mbulojnё mua dhe Poçin me njё botё dashurie e kujdesi dhe Poçi ёshtё i lumtur me dy vёllaçkot nё det, nё shtёpi e kudo. Me detin ёshtё mёsuar shumё mirё, veç t’a shohёsh, si njё peshk”.

Një vit më vonë më 1949-ën nga qyteti i Krujës Elena shkruan: “Kam lexuar se shpejt do tё jetё njё pёrfaqёsi e juaja kёtu, a e kuptove? Mendoj se mund tё gjej njё vend pune me ta, çfarё thoni juve? Nёse e shihni t’arsyeshme, nёse keni mundёsi, duhet t’interesoheni aty; nuk e di nёse ёshtё njё ide e mirё, gjykojeni juve e pёrgjigjmuni…”.

Elena Gjika u martua me Petrit Merlikën, i diplomuar në Universitetin e Grenoblit, në Francë, më 12 korrik 1942 në Bashkinë e Barit. Merlika ishte djali i ish kryeministrit Mustafa Kruja, ndërsa Elena e bija e gazetarit Sotir Gjika. Dy të rinjtë ishin njohur nga miqësia e prindërve e kishin rënë më pas në dashuri. Elena, profesorë e letërsisë vjen në Shqipëri e udhëhequr nga dashuria, pa e menduar se ditët e saj të bukura në këtë vend do të ishin shumë pak. Një pjesë të madhe të viteve familja Merlika e kaloi në Kampin e Tepelenës.

Në kujtimet e saj Elena e përshkruan kështu kampin: “Kam jetuar 47 vite në kampet e internimit, nga Tepelena në Vlorë, kantieri 216, nga Tirana, Kampi n.3, në Lushnjë, Gradisht, Pluk, Savër e së fundi në Grabian, kampe pune e dëbimi. Isha e huaj, italiane, e diplomuar, por kam punuar me ato gra e vajza shqiptare që më mësuan se si vihej barra e druve mbi shpinë, se si mbatheshin opingat prej lëkure derri, që habiteshin si jetonja, flisnja, merresha me problemet e tyre kur më kërkonin ndonjë këshillë, por më shfaqnin dashuri e më jepnin kurajo, kemi kaluar një jetë të tërë.

E kthyer në 1990 n’Itali munda të shoh një Kishë, t’i afrohem një altari, të marr kungimin e shenjtë. Gjthshka është e bukur, magjepsëse, por asgjë nuk mund të barazohet me emocionin aq të thellë, aq të mirëfilltë të asaj Krishtlindjeje të largët 1951, mes kaqë dhimbjeje, kaqë vuajtjesh por edhe kaqë shpresash në Virgjëreshën e Bekuar, Ruzari i së cilës shoqëronte kthimin tonë nga ajo punë çnjerëzore dhe e padrejtë, frut i një ideologjie të rreme e të mallkuar. Kalonin vitet në kampin tonë, gjithmonë mes punës e gazermës, mes sëmundjesh e mungesash të çdo lloji. Sa shumë vuanin të moshuarit dhe të sëmurët, nëpër çfarë torturash kalonin, kuptohej kur të tregoheshin kushtet higjenike në të cilat jetohej.

Nevojtoret, dhjetë gjithsej për dymijë vetë, ishin larg rreth dyqind metro. Natën duhej shkuar deri atje, edhe duke qënë të sëmurë apo të pamundur, në të kundërt dënimi ishte çnjerëzor: njeriut i varej në qafë një kanaçe me jashtëqitje dhe detyrohej të vinte vërdallë nëpër kamp një ditë, dy, tri, deri sa t’a quanin ‘t’arsyeshme’ xhelatët tanë. Ishte për të qarë e për të qeshur ajo tragjedi e tmerrshme”.

Please follow and like us: