Avdulla Kënaçi: GAXHIA
Tregim
Bazuar mbi një ngjarje reale.
Nuk mund të quhej vakt dreke, megjithatë unë të tillë e konsideroja. Gjatë gjithë ditës isha i përhumbur pas një shkrimi që duhej të botohej të nesërmen. Atë të premte kisha qëndruar dy orë më shumë nga orari zyrtar. Kështu u ktheva në shtëpi në të perënduar të diellit. Nuk ke çfarë i bën, e tillë është gazetaria, shkatërruese e të tëra skemave. Shpesh, pa e kuptuar, koha të rrëshqet nga duart. Takimet në rajonin numër 3 të partisë desh më morën në qafë. Ashtu, i uritur, isha i përqëndruar i tëri tek ushqimi në pjata. Nuk e dëgjova fare trokitjen, por bashkëshortja ime që nuk i shpëton asgjë, e hapi portën. Ndonjë shoqe e saj, mendova, duke dëgjuar zërin e huaj jashtë derës. Gruaja u kthye tek unë në majë të gishtërinjve dhe si rrallë herë m’u drejtua me zë të ulët:
– Të kërkon ty. Është një vajzë e re, bionde me sy të kaltër. I thashë që të vinte nesër në zyrën tënde, por ajo këmbënguli të të takojë tani. Kur e refuzova, iu mbushën sytë me lotë, akoma po qan. E zeza, duhet të ketë ndonjë hall të madh.
– Mos është një vajzë e bukur, bionde, me një gërshetë të trashë gjer në mes të shpatullave? – e pyeta unë duke hamendësuar se kush mund të ishte.
Kaq deshi ime shoqe, largoi keqardhjen nga fytyra dhe aty për aty u tjetërsua:
– Pse, e njohke, mos e ke lënë gjë shtatzanë? – ma priti me shpotinë e saj karakteristike. Duke më lënduar si gjithnjë.
– Po si nuk hoqe njëherë dorë nga xhelozitë? Të tillë e kam punën, herë me njerëz të bukur e herë me të shëmtuar. Nuk mund ta përshtat popullin sipas shijeve të tua, – iu ktheva i nevrikosur.
– Ik ha kokën me të në zyrë, mos m’i bjer më në shtëpi, – tha ajo prerë duke dashur që ta dëgjonte edhe mysafirja pas derës.
Nuk kisha gabuar, ishte Gaxhija. Në të vërtetë ajo quhej Svjetllana, por kështu i thërrisnin romët me të cilët ajo punonte gjatë stazhit të partisë. Isha dëshmitar në një moment të sikletshëm të jetës së saj. Atë mëngjes ajo ishte thirrur për të dhënë llogari në rajonin e parties numër 3. E kishin kapur në flagrancë me një rom të martuar. Partia nuk mund ta fshihte dot këtë skandal, pavarësisht se ajo ishte bijë e dy militantëve, nënës mësuese dhe babait oficer i lartë, kolonel. Për të njëjtën mesele, bashkëshortja e romit, para një jave ishte drejtuar në rajonin e partisë duke uluriturme sa kishte në kokë, qysh tek porta:
-Turp, turp i madh, Gaxhija, moj të keqen do të më marrë burrin. I gjeta në stallën e kuajve një mbi një. Me këta sy i pashë. Jazëk, i thotë vetes komuniste. Hiqeni nga ferma, ju bëfsha kurban! Ndryshe kam për të bërë atë që nuk ua pret mendja. Do bëj namin, do bëj të pabërën, do ta ther me thikë të bukës. Ja, me këto duar…
Aq fort bërtiste sa nuk mbeti nëpunës rajoni pa e dëgjuar, sidomos ata të pjesës ballore, gjer në katin e tretë. Nga frika se mos kushtrimi dhe të bërtiturat e saj dëgjoheshin jashtë oborrit, e futën me shpejtësi në një zyrë të katit të parë dhe u përpoqën ta qetësojnë duke i premtuar ndëshkim ndaj Gaxhies në se vërtetoheshin fjalët e saj. Njëkohësisht e kërcënuan se po qe se përgojonte jashtë këtyre zyrave kandidaten e partisë, Svjetllana Prushi, të cilën ajo e thërriste me nofkën “Gaxhia”, le të shkonte vetë në burg, me këmbët e saj. Nuk merren aq lehtë nëpër këmbë komunistët, i thanë. Partia ka rregulla të forta për këto raste, i shpjeguan ata. Romes llafazane, fjala “burg” i futi drithmat, aq më keq që në korridor kishte parë një polic i cili e shikonte i egërsuar dhe ishte gati të vërsulej mbi të duke i hedhur prangat. Bëri ç’bëri, e uli tonin e zërit, e mori më shtruar ankesën. Në fund, nëpunësve të statutitu tha: “Unë dua të ma hiqni nga burri im, se çfarë do të bëni me të, nuk më lypset mua. Kaq kërkoj nga ju”’
Rajoni i partisë numër 3, i shqetësuar nga skandali që po përhapej, por më shumë duke pasur parasysh reputacionin e partisë në popull, veproi me shpejtësi si kurrë më parë; duke njoftuar strukturat përkatëse. Policia hë për hë arrestoi romin me akuzën “tradhëti bashëshortore”, por hetimet do të vazhdonin më tej duke sqaruar hap pas hapi ngjarjen. Thirrën Svjetllanën në rajon dhe ajo përmes lotëve pranoi se jashtë vullnetit kishte bërë dashuri me romin. I ati i saj, kolonel në prag të pensionit, sa mori vesh për ngjarjen, kishte thënë se do të shkonte për ta vrarë përdhunuesin me dorën e tij, sikur ‘qeni qepën të hajë’, për atë turp që i kishte bërë vajzës dhe emrit të tij si veteran.
***
Realisht atë mëngjes unë u ndodha rastësisht në rajonin numër 3. Më duhej një statistikë e komunistëve të ndëshkuar për pesë vjetët e fundit. Sekretari i propagandës së atij rajoni ishte një shoku im i shkollës së mesme.
– Ke kohë të vish në mbledhjen e byrosë së rajonit? Ka qyfyre sot. Ke për të parë e dëgjuar se sa mendjelehta janë femrat e bukura. Do të gjykohet një kandidate partie, është yll, perri, por… Ka bërë një gabim fatal, pikërisht ditën e fundit të stazhit të saj. E kapën në flagrancëme një rom të ri, – më tregoi ai miqësisht e në mirëbesim.
– Domethënë sot në vend të pranohej në parti, po përjashtohet!? Kështu është? – e pyeta i habitur.
– Pikërisht, – tha ai.
Sidoqoftë isha kurioz ta njihja atë vajzë.Çfarë e detyroi të sakrifikojë të ardhmen e saj? Kisha lexuar shumë për historinë e romëve. E dija se ishin një fis endacak, por trim, të cilët erdhën nga India gjatë mesjetës. Në Shqipëri ndaheshin në katër kategori: ata që merren me zejtari si teneqepunues, ata që thurin shporta e kanistra shelgu (endacakë), ata që merren me bujqësi dhe të fundit, ata që merren me tregti kuajsh. Popujt që i kanë trajtuar më mirë në botë janë shqiptarët dhe grekët. Në Europë kanë hyrë pas pushtimit turk, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vitit 1700. Shahu i Iranit prej tyre ka pranuar vetëm muzikantë, madje disa fise i ka blerë me flori. I solli pas epidemisë së murtajës e cila i përgjysmoi popullsinë dhe Shahut i duhej aheng për të ngritur lart moralin e popullit të tij. Ka edhe romë të tjerë, ata që zbutin arinj me të cilët japin shfaqje cirku nëpër rrugë. Nisur prej arinjve, në Jug të Shqipërisë u thonë “arixhinj”.
– Nuk thonë kot se nuk dihet ku të çon kali pa frerë dhe vajza pa hudut (pa disiplinë), – shpjegoi më tej miku im duke e ilustruar mendimin e tij me një thënie të lashtë popullore. Pastaj vazhdoi:
– E bardhë është bora në mal, por e dhjesin qentë.
Prita edhe ndonja një orë duke bërë sikur studioja materialin që më vunë në shërbim instruktorët e partisë së sektorit të statutit. Në presidium ishin vetëm tre sekretarë, ndërsa stenografistja dhe unë ishim ulur anash duke formuar një kënd të drejtë me presidiumin.
-Thirreni vajzën të hyjë brenda, – dha urdhër sekretari i parë i rajonit.
Dera u hap përgjysmë dhe aty u shfaq një vajzë me fytyrë të bardhë e të lëmuar si alabastër, sy të kaltër, trup mesatar, veshur me një kostum sportiv të dalëboje. Megjithatë ishte simpatike, dukej që atje tej. Linte shteg të mendoje se vinte drejt e nga fusha. Ishte krejt e hutuar dhe ngjante sikur shkelte zbathur mbi gurë të përvëluar. Nuk dinte se ku ta përqëndronte vështrimin.
Stenografistja i tregoi karriken ku mund të ulej. Dhe ajo u ul në njërin kënd të saj, gati të hepohej dhe mua m’u duk se nga çasti në çast do të rrëzohej.
U lexuan gjeneralitet e saj. U tha se ishte mësuese e dalluar, ishte diplomuar për ciklin e ulët të shkollave 8-vjeçare dhe rridhte nga një familje intelektuale e lidhur me Luftën. Kishte kryer me përpikmëri të gjitha detyrat e stazhit të partisë. Por fati nuk e deshi deri në fund. Ishin dhjetë minuta që e turpëruan për jetë. Nisën pyetjet:
-Si e ke njohur romin Hekuran Xhambali? – pyeti sekretari parë.
Svjetllana, kështu quhej vajza, nuk po përgjigjej. Sekretari u detyrua ta përsërisë pyetjen. U dëgjua një pëshpërimë, apo belbëzim, por askush nuk kuptoi gjë dhe stenografistja ndërhyri. Më në fund vajza e ngriti pak më lart zërin:
-Ai ishte karrocieri që çdo mëngjes na merrte tek Stacioni i Trenit dhe na transportonte drejt fushave të fermës.
-Pse u ndodhe ditën e fundit të stazhit në stallën e kuajve? – ishte pyetja tjetër.
-Unë jam ndodhur edhe herë tjetër aty. Brigadieri më ka urdhëruar të pastroj stallën. Kam lëkurën shumë të bardhë, më bën alergji dielli, më bëhet plagë dhe puna në stallë është në hije.
-Pse nuk bërtite kur romi po të përdhunonte?
-Më erdhi turp, nuk doja ta merrnin vesh shoqet e brigadës.
-A ke ndonjë shenjë përdhunimi në trup?
-Po, kam.
-Ku?
-Në gjoksin e majtë, një të nxirë të madhe.
-Ajo shenjë e zezë është gjurmë e ushtrimit të forcës fizike nga i pandehuri apo çfarë?
-Nuk e di, – tha ajo përmes ngashërimesh dhe u shkreh në vaj. Pikat e lotit binin njera pas tjetrës mbi syprinën e tavolinës. Komisioni u prek duke e parë ashtu të shkalafitur e të dërrmuar. U erdhi keq. Stenografistja i zgjati një shami dhe ajo fshiu sytë e squllur.
Sekretari i rajonit, duke mos dashur ta mundojë më tej, tha se situata është e qartë. “Vajza le të presë përjashta deri sa të vendosim”, urdhëroi ai. Svjetllana u çua më këmbë, por nuk gjente dot derën, shikonte nga të katër anët me sy të çakërryr dhe nuk dinte nga cili drejtim të ecte. Stenografistja e ndihmoi duke e kapur për krahu.
-Shokë, – tha sekretari i parë pasi vajza doli jashtë – të mendojmë sikur të jetë bija e njërit prej nesh. Një rrugaç, një njeri pa asnjë klasë shkollë e ka përdhunuar me zor. Ajo është bijë e dy komunistëve të devotshëm. Duhet t’i vijmë në ndihmë. Unë them t’ia zgjatim stazhin edhe me tre muaj të tjerë sa të shuhet kjo valë thashethemesh, por ta heqim prej andej.
-Nuk ka asnjë rregullore, asnjë pikë të statutit ku të thotë se një vajze të përdhunuar t’i shtyhet stazhi, – tha prerë sekretari organizativ.
-Në se sot e përjashtojmë nga partia këtë mësuese shembullore e cila me sa shoh është viktimë, vajzë e vetme, ne e asgjësojmë plotësisht, – ndërhyri shoku im – i shkatërrojmë komplet reputacionin, të ardhmen. Dashur pa dashur i kemi mbyllur të gjitha dyert e jetës. Partia u ka dalë zot femrave shqiptare. Ky është një mësim për ne, nuk duhet ta kishim caktuar të punonte me komunitetin rom.
-E ke shumë gabim, këto janë lakra të huaja që ti ke në kokë, – ndërhyri sekretari organizativ me agresivitet – stazhi i Partisë është për ta kalitur e përgatitur si komuniste guximtare. Po sikur të ishte në vepra industriale apo në uzinën e traktorëve, mos do të ishte më mirë? Në fund të fundit ishte në një stallë kuajsh, punë me mik. Të ishte më vigjilente, ta mbronte veten, kjo ishte detyra e saj. Ka treguar papjekuri.
-Po nga kush do të merrte shembull, nga kush do të udhëhiqej aty? – tha sekretari i parë – Unë them ta shtyjmë vendimin e të shohim çfarë materialesh do të na sjellë policia për të akuzuarin. Ai gjer tani ka pranuar se e ka përdhunuar me forcë. E ndjen veten fajtor. Pra, vajza është viktimë. Megjithatë unë kam një dyshim të vogël. Të kemi durim e të presim. Kushedi çfarë mund të dalë tjetër. Le të dëgjojmë edhe mendimin e organeve kompetente. (E kishte fjalën për sigurimin dhe policinë).
-Sidoqoftë kësaj vajze i ka munguar vigjilenca dhe kurajoja, – tha sekretari organizativ – këtu ka një problem tjetër. A mbahet mbyllur goja e arixhofkave? A e dëgjuat se çfarë thoshte bashkëshortja e romit? “Komunistja po më merr burrin”. E thoshte në mënyrën sikur ne si parti e kishim dërguar Svjetllanën aty për t’i grabitur asaj bashkëshortin.
-Për romët mos ki merak, shoku Zalo, – ndërhyri sekretari i parë – atyre u dërgojmë policinë t’u mbyllë gojën. Ata të gjithë jetojnë në toka shtetërore, nuk kanë asnjë tapi. Të ardhur nga ana e lumit janë. I bëjmë zap lehtë.
***
Isha kurioz të dija se çfarë i duhesha unë mësuese Svjetllanës. Si e kishte marrë vesh që isha gazetar? Si e kishte gjetur shtëpinë në gjendjen depresive që ndodhej atë ditë!? Mendova se vendi më I përshtatshëm për bisedë ishte veranda e hotel “Pesëmbëdhjetëkatshit” të cilin e kisha afër shtëpisë. I tregova se për ku ishim nisur. “Dakord”, tha ajo me gjysmë zëri. Duke ecur në krahun tim të majtë, as frymëmarrja nuk i ndihej. Ngjitëm shkallët e hotelit. Ktheu drejt meje sytë e habitur, por nuk foli. Buzëqeshi lehtë, fare lehtë kur dolëm në verandë. Ndoshta kishte menduar se do ta ftoja të bisedonim në ndonjë dhomë hoteli, prandaj u hutua për fare pak çaste. Me sa duket nuk kishte qenë ndonjëherë aty. Zgjodhëm një tavolinë dhe u ulëm nga ana e perëndimit, pikërisht në vendin ku kishte vdekur një klient që ishte hedhur nga kati i trembëdhjetë. U kujtova kur kamerierja uli tabakanë mbi tavolinë. Ishte vonë, tashmë porosia kishte ardhur.
-Do shkruani gjë për mua? – pyeti ajo duke hyrë drejt e në temë.
Kishte një zë të dërrmuar e të drithëruar. Sytë nuk i paskishte të kaltër, por blu të thellë, plot ëmbëlsi. Buzët të kuqe, përvëluese. Kishte veshur një fund të zi me cirka të bardha dhe bluzë të kuqërremtë, diçka si ngjyrë tullë. Një spirale flokësh ngjyrë mjalti i lëkundej mbi ballë dhe ajo vazhdimisht i largonte me gishtërinjtë e dorës së djathtë. Nuk dija si t’i përgjigjesha sepse nuk kisha vendosur për asgjë. Historia e saj ishte shumë turbulluese, e rrallë, e jashtëzakonshme. Dashuri me një rom; e padëgjuar gjer atëherë si dukuri.
-Jo, pse? – iu përgjigja për ta qetësuar.
Nuk doja ta ngarkoja me një tjetër ankth duke marrë me mend gjendjen të cilën ajo përjetonte. Vërtetë unë kisha botuar një përshkrim në “Zërin e Rinisë” me temë dashurie, por ishte krejt rast i ndryshëm nga ky. Bënte fjalë për dashurinë e një orthodokseje me një musliman. E sa për shkrimet negative të botuara në ato vite në gazetë, ishin më keq se dënimet që jepnin gjykatat. Përgjigja ime nuk e gëzoi shumë dhe për herë të parë gjatë asaj dite vura re se si buzëqeshi fare lehtë me një nënkuptim ironik. Duke parë lëkurën e saj të lëmuar, sytë shprehës dhe sjelljen e saj të butë, mendova se ajo vajzë nuk meritonte të përflitej për aventurën me një rom, edhe sikur të ishte e vërtetë.
– Historia ime është subjekt për roman, gazeta nuk mjafton, – tha ajo e menduar.
Nuk desha të lëndohej më tej. U përpoqa të ndërroj bisedë: e pyeta për historinë e emrit të saj. Me sa dija ai emër ishte me origjinë ruse. Kishte diçka të lidhur me kuptimin e fjalës dritë.
– Realisht ashtu është, emër rus, – tha ajo – babi im ka studiuar dy vjet në akademinë ushtarake “Frunxe” në Bashkimin Sovjetik. Aty u njoh me një vajzë që e kishte emrin Svjetllana. Në kujtim të saj më vuri mua këtë emër që mbaj sot.
– Po mamaja jote si e priti?
– Ai edhe mamanë, kur e dashuroi, i tha se kështu si je, bionde me sy të kaltër, më kujton Svjetllanën dhe do të marr për grua.
– Pse s’thua që Svjetllana ruse u është bërë si e shtëpisë.
– Po, kemi një foto ku ajo ka dalë së bashku me babain. Tim at e kthyen pa mbaruar akademinë nga që siç e di, politikisht u prishëm me rusët dhe ai u nda përgjithmonë me të dashurën e tij.
– Të kthehemi tek Hekri yt. Vura re se nuk kishe urrejtje ndaj tij, madje si me mëdyshje pranove se të kishte përdhunuar, – i thashë unë.
– Ah, ju gazetarëve nuk u shpëton asgjë. E vërtetë, nuk desha ta rëndoja sepse ndjej se jam fajtore.
– Fajtore? Pse? – pyeta plot kërshëri.
Heshti për pak çaste, pastaj nisi të qajë. Kërkova nëpër xhepa se mos kisha ndonjë shami, por jo. Vështrova rrotull se mos na ndiqte dikush me sy, por nuk kishte asnjë klient tjetër në verandë. Ishim vetëm ne të dy. Dielli ishte duke u fshehur pas godinës së Muzeut Historik, por qielli ende ndriçonte prej fashave të rrezeve të tij të argjenda. Biseda ngeci. Ishim bërë për cigare. U çova. U nisa për tek banaku. Mora një “Diamanti” dhe një shkrepse. “Nuk e pi”, tha ajo kur unë hapa paketën dhe i zgjata një cigare. “As unë, por ky të qetëson”, i thashë dhe ajo pranoi. Ia ndeza. E thithi, pastaj shtrëmbëroi fytyrën, siç bëjnë gjithnjë fillestarët, por nuk e fiku. E thithi përsëri. Shtëllungat e tymit bashkoheshin diku sipër kokave tona, pastaj treteshin në hapësirë. Asnjëri prej nesh nuk guxonte ta prishte heshtjen. Hiqeshim sikur ishim të preokupuar me pirjen e duhanit. Nuk di për sa kohë digjet një cigare, por di që të dy, në një kohë arritëm tek bishti i tyre, filtrat. I fikëm në tak-e-tuke. Vura re se si me mollëzën e gishtit tregues, bishtin e cigares, e shtypi fort dhe me mllef. Desha ta paralajmëroj se mund të digjej, por ndërkohë ajo e ngriti dorën dhe tha:
– Hekri nuk ka faj, unë e josha. Nuk mendova se ai do të bënte atë proçkë në ditën e fundit të stazhit tim.
– Ti po përpiqesh ta lehtësosh?! – e pyeta unë i habitur.
– Dua të jem e sinqertë me veten time si dhe me ty. T’i kam ndjekur shkrimet, brenda standartit të kohës, ndryshe nga të tjerët, ti ke mirësi në artikujt e tu, sidomos në reportazhet, por nuk di se si ke menduar të trajtosh historinë time, si viktimë, si guximtare apo si kurvë?
– Ta thashë, deri tani nuk kam vendosur të shkruaj për ty. Ama jam kurioz të di se ku e gjeti guximin një rom të vërsulet mbi një kandidate partie!? Aq më tepër kur ajo është bijë e një koloneli, vajza e një veterani. Ti hyn tek njerëzit me shpatulla të ngrohta.
– Histori e ngatërruar, nuk është ashtu siç duket. Njeriu është kompleks, nuk është bardhë e zi, – tha ajo e menduar.
– Ama ti në rajon nuk e the këtë.
– Ashtu isha porositur të flisja, por tani nuk jam në rajon, jam me një gazetar, aq më tepër që jemi me origjinë nga e njëjta krahinë. Prindërit e mi kanë simpati për ju. Të më falësh në se të hapa telashe me gruan. Dreqi e mori, unë gjithnjë u hap telashe meshkujve. Si të bëj, ta lyej fytyrën me katran?! Thonë se jam e bukur, por bukuria, sa të mira ka, aq edhe të këqija. Nuk duhet t’i kisha hyrë fare rrugës së partisë, por çfarë t’i bëj babait? Ai këmbënguli. “Do të bësh karrierë po u bëre komuniste”, më thoshte vazhdimisht. Edhe stazhin në fermë ai e rregulloi me miqtë e tij, por nuk dinte se kujdesi i tij i tepruar më hodhi në krahët e një djaloshi rom. Unë duhet të punoja në fushë të hapur si gjithë kandidatet e tjera të partisë. Do të mjaftonte një kapele kineze prej kashte për t’u mbrojtur nga dielli.
– E patëm fjalën tek romi, si u njohe me të? – këmbëngula unë tek ideja ime.
– Ai çdo mëngjes do të më ruante vendin e parë në karrocë, krahas tij. Ne bënim dy kilometra rrugë çdo ditë drejt fermës bujqësore. Ditën e tretë vura re se ai e kishte hequr jastëkun me lecka dhe kishte vënë një sfungjer të ri, diçka si sedilje e improvizuar. Nejse, unë jam mësuar me privilegjet që të fal fiziku im, sidomos me çunat e rinj. Gjithashtu vura re se kalin nuk e godiste me shufër si ditët e tjera, por i fliste urtë e butë. Përpiqej të binte në sy. Mbante gjithnjë këmishë të pastër dhe nuk vinte era djersë si ditën e parë. Nuk di se ku lahej ai njeri. E pashë me kujdes; kishte shpatulla të gjera, sy të zinj depërtues, fytyrë të rrahur nga dielli dhe flokë të gjata të cilat vazhdimisht ia shpupuriste era. Po përpiqej të bënte figurë të mirë. I vija re të gjitha këto dhe më vinte për të qeshur. Në karrocë, së bashku me ne, udhëtonin edhe dy rome të reja që unë nuk dija se çfarë lidhje kishin me djaloshin. Ishin dy llafazane energjike. Megjithse me romin ishim moshatarë, ai ishte martuar herët dhe kishte dy fëmijë. Kjo më habiti. Dukej më i ri se unë. Nuk bëhej fjalë për ndonjë lidhje dashurie, as më shkonte kurrë ndërmend. Shpesh romet grindeshin në gjuhën e tyre dhe gjithnjë dalloja një fjalë që përsëritej vazhdimisht: Gaxhie. Kuptohet, molla e sherrit isha unë. Me sa duket kisha zënë vendin e njërës prej tyre. Ama bëja sikur nuk kuptoja se ishte fjala për mua.
– Nuk e shihnin ato se nuk ishte faji yt? – ndërhyra unë.
– Si është ai proverbi ‘kur nuk i bie gomarit, i bie samarit’. Fillimisht më caktuan në serën e domateve. Aty punova rreth një muaj. Isha në një skuadër së bashku me dy romet dhe një plak të deklasuar. Ato bënin hile në punë dhe unë i denoncova në mbledhjen e brigadës. Nuk më shihnin dot me sy. Në kthim u ulën të dyja së bashku në vendin e parë të karrocës, kasten për t’u hakmarrë. Hekurani i pa, u irritua dhe u skuq i gjithi në fytyrë. Balli iu nxi. Vrapoi drejt tyre dhe i flaku si leckë prej andej duke i tërhequr zvarrë. “Kurvë, kurvë, gaxhie e qelbur, na fute sherrin”, më tha njera prej tyre, ndërsa tjetra u përplas tek rrota e karrocës dhe prej gjurit gjaku i shkoi çurg. E kishte gërvishur. Më erdhi keq dhe vrapova t’i vij në ndihmë, por ajo më shtyu sikur të isha qen. O Zot, mos hyfsh në gojën e tyre! Hekurani nga inati nuk i hipi fare në karrocë, i la të ktheheshim me këmbë. Mua përsëri më erdhi keq, pavarësisht se më kishin fyer aq shumë. I thashë atij se bëri gabim. Duhet të ndaleshim për t’i pritur, por ai refuzoi kategorikisht. Ende më vinte në vesh jehona e nofkës “Gaxhie”, kështu na thërresin ato ne të bardhëve, por Hekuranin nuk e kisha dëgjuar kurrë ta përsëriste atë fjalë.
– Ti mendon se ky Hekri kishte rënë në dashuri me ty?
– Jo, mendoj se duke qenë përkrah meje, ai u mburrej e lëvdohej arixhofkave, vajzave të racës së vet. U thoshte se ato nuk ishin kurrgjë para meje dhe se ato vendin e kishin në fund të karrocës.
– Mundet. Si përfundove në stallë?-vazhdova ta pyes unë.
– Histori më vete. Domatet në sera i pleheronin me pleh që kutërbonte. Unë e ndjeja erën e keqe, por nuk më shkonte mendja për fekale. E mësova këtë prej një plaku të deklasuar që punonte së bashku me ne. Një ditë, duke hapur gojën e tij pa dhëmbë (thoshnin se ia kishin thyer në hetuesi), më tha: “Këto janë domatet e para që dalin për treg. Një pjesë e tyre shkojnë në Bllok, por e di ti kush i tërbon që rriten kaq shpejt? Muti”. Qesha së brendshmi, por nuk mund ta besoja se ato domante mund të shkonin në Bllok. Këtë nuk mund ta lejonte partia. Këtë fakt, të fekaleve, ua tregova edhe në shtëpi. Nëna nuk qeshi, por i tha babait të ndërhynte për të më gjetur një punë tjetër. “Hiqe sa më parë, do na bjerë shtëpia erë ashtu…”, tha ajo. Dhe babai veproi menjëherë. U transferova në stallën e kuajve të transportit, aty ku punonte Hekri. U njoha më mirë me të. Ai ndjehej në faj që dy romet më kishin sharë dhe me sjelljen e tij donte të tregonte se ai ishte ndryshe. Nuk më linte të lodhesha. Njeri i çuditshëm, ti nuk e njeh, por ai djalë ka shumë mirësi dhe dashuri. Nuk ka arsim. Më pyeste për çdo gjë dhe më dëgjonte si Perëndi. Besonte verbërisht tek ato që i tregoja unë nga librat. Është i etur për të mësuar. Zbuloi një mënyrë origjinale për të shprehur mirënjohjen: se nga shkonte e gjente lloj-lloj frutash. Unë vdes për fruta, sidomos për pjeshkë. Herë më sillte nga ato, herë kumbulla e herë nespulla. Më thoshte se mund të më gjente edhe më shumë, mund të m’i sillte edhe në shtëpi, por unë ia refuzova. “Nuk e di ti se gjatë tre muajve unë jam këtu kandidate partie në provë, don të më marrësh në qafë?!”, i thashë e zemëruar dhe ai ma ktheu: “U më rëntë pika, mësuese, po si unë do të marr ty në qafë? Më parë vras veten se të të bëj ty zarar. Unë po përpiqem si e si të të vij në ndihmë!”.
– Nuk mendon se ai po të pëlqente dhe donte të të hidhte në dorë?
– Dëgjo, ne femrat kemi një shqisë më shumë se ju meshkujt, ne e kuptojmë të parat kur dikush ndjen për ne. Ai e quante veten shtresë të ulët. E dinte që nuk kishte shkollë dhe ishte shumë larg meje, plus që ishte i martuar. Unë sigurisht isha e paarritshme për të.
– Do të bëj një pyetje delikate, kjo ka shumë rendësi për mua, ti ishe e virgjër?
– Jo, para një viti unë kam pasur një lidhje të dështuar me një koleg. E ndava unë. Ishte shumë xheloz, nuk mund ta duroja dot gjithë jetën ashtu.
– Svjetllana, e di ti sa vjet dënohet romi nëse vërteton policia se është përdhunim?
– Jo, atë e kanë arrestuar për tradhëti bashkëshortore. Ato dy romet janë sebepi i gjithë kësaj meseleje. Ato lajmëruan gruan e Hekrit se unë ndodhesha në stallë pas orarit të punës.
– Po qe se mund ta dënojnë për përdhunim, ka pesëmbëdhjetë vjet në kurriz nga ky nen. Ama duhet të dish se ti mund të ndëshkohesh shumë rëndë po qe se nuk vërtetohet përdhunimi, – e sqarova unë duke nxjerrë pa dashje sekretin e mbledhjes së byrosë së rajonit, pa praninë e saj.
Svjetllana u pre në fytyrë dhe nisi të dridhej. Kërkova një gotë raki nga banaku dhe i fërkova ballin. Mezi e mbajta për të mos rënë përdhe. E rehatova në karrike. Dreq, si u mpleksa kështu edhe unë në këtë mesele, mendova. “Gaxhie, Gaxhie, tundesh e nuk bie”, më erdhën vetvetiu ndërmend këto dy vargje. Ajo po heshte dhe mendonte sikur unë të mos isha aty… Bëri me shenjë nga paketae cigareve. Ia ndeza edhe një prej tyre. I thashë se kishte shkuar vonë dhe secili duhej të kthehej në shtëpinë e vet. Ama mua më duhet të shkoja në gazetë. Po kjo histori nuk përfundon me kaq. Ka të papritura të tjera, kini pak durim dhe lexoni më poshtë, në vijimësi…
***
Atë natë isha kthyer vonë në shtëpi. Bashkëshorten e gjeta në gjumë. Vonesa do të më shpëtonte nga pyetjet me rrënjë e degë për bisedën që pata me Svjetllanën. Mirëpo të nesërmen, një grua e bëshme, vithegjerë, bionde e me sy të kaltër, qysh herët, më kishte zënë derën e zyrës.
– Jam mamaja e Svjetllanës, – m’u prezantua. Realisht ngjanin shumë me njëra-tjetrën, sidomos nga sytë. Në gjoks ajo kishte varur një dekoratë lufte. Edhe kjo veterane m’u desh, mendova, apo nuk kam gjithë ato punë pa mbaruar.
– Të lutem, nuk kam kohë, dje mbasdite kemi folur me Svjetllanën dhe ajo m’i ka sqaruar të gjitha. Nuk do të ketë shkrim për të në gazetë, – iu përgjigja i nervozuar duke ndjerë një boshllëk në stomak. U kujtova që nuk kisha pirë as kafen e mëngjesit. E pse të sillesha ashtu?! Kjo ishte nënë në fund të fundit. Çfarë faji kishte ajo? U pendova që iu përgjigja nxituar, pa asnjë lloj takti. Ndërrova mendje. E ftova për kafe. Vura re se i shkëlqyen sytë.
– Hë, ja ashtu, si u ka mësuar partia, do më dëgjosh të pastë nëna, – më tha ajo duke më mikluar – ke fëmijë?…Të të rrojnë. Svjetllana e ka kuptuar që je njeri i mirë. Do më dëgjosh me kujdes, të keqen nëna, do lësh çdo punë për hatrin tim. Kam derdhur gjak për këtë parti, dy herë jam plagosur në Luftë, por pa zarar, kam shpëtuar paq.
U ulëm në kafen e “Klubit të Gazetarëve”. I porosita një ekspres si dhe një për vete. “Jo të keqen nëna, e pi turke, por do të më lësh t’i paguaj unë”, tha ajo. “Nuk prishemi”, i thashë unë. “E po ti pagove edhe mbrëmë për vajzën, nuk e kishe lënë të vinte dorën në portofol, siç më tha ajo vetë”.
– Nëne, fol shpejt e shpejt se nuk kam kohë, – iu luta unë. Ajo nuk u përgjigj, por nxori nga çanta një tufë lesh dhie të përzier me ca thonj të grirë, mbështjellë në një mushama gri.
– Po çfarë i ke këto, nëne?! – e pyeta unë duke qeshur.
– Ia kam gjetur vajzës në çantë, ia kishin futur ato dy arixhofkat. Është magji, m’i kanë bërë bijës magji, më kupto.
– Edhe ti beson në budallallëqe të tilla?! Ti je mësuese, nga këto gjëra u mëson fëmijëve? Po ky “marifet” i romeve e paska bërë efektin e vet, ju kanë bërë për ujë të ftohtë, ju kanë trembur me lesh e me thonj, – i thashë unë duke qeshur.
– Deri sa pa i ndodhur vajzës sime kjo gjëmë, nuk u besoja magjive, por kur ajo u kthye nga rruga për të marrë çantën që kishte harruar, i besoj. Shejtani i tha asaj të kthehej nga rruga?! Asgjë nuk kishte në çantë, le ta merrte të nesërmen. Po të mos ishte kthyer, nuk do t’i ndodhte ajo që i ndodhi. Moraman, duhet t’ia kishte hedhur thojtë në grykë arixhiut, por magjia ia ka lidhur duart, e ka dambllosur siç e dambllosi. Ma vranë yllin e nënës!
– Nëne, Svjetllanës nuk i kërcënohet asnjë rrezik, ajo që ndodhi, ndodhi. Partia po e mbron. Me sa di, pas një jave do të kalojë përsëri në sekretariat dhe ajo do të hajë vetëm një vërejtje për mungesë vigjilence, ndërsa arixhiu do të hajë nja njëzetë vjet burg, – i thashë unë dhe u ngrita duke nxituar për në zyrë. Më prisnin shumë punë.
***
E porosita disa herë shokun tim në rajonin numër 3 për të më kujtuar kur do të kalonte Svjetllana në sekretariat. Jo se nuk e dija përfundimin, por doja të mësoja se si do t’i vihej kapak këtij skandali. Cila do të ishte fjala e fundit e saj? Realisht po bëhej një luftë racore e fshehur. Të gjithë ishim kundër romit: policia, organizata e partisë, unë vetë dhe sekretariati. Asnjeri nuk u referohej fakteve, por emocioneve. Na dukej sikur romi na kishte prekur të gjithëve në nder. Kishte shkelur me dhunë territorin tonë. Kishte thyer të gjitha normat morale, të reja dhe të vjetra. Svjetllana na përkiste ne, ne dhe vetëm ne.Në fund të fundit pushteti ishte yni.
Atë ditë në sekretariat ajo kishte veshur një fustan të gjatë basme me lule të bardha kumbulle që e tregonte edhe më të bukur nga hera e fundit që unë e kisha takuar. Përmes basmës së hollë dalloheshin konturet e trupit të saj aq të rregullt e simetrik. Ne, meshkujt, kush më shumë e kush më pak, e shikonim me një lloj lakmie dhe ishim gati ta falnim për çdo lloj gabimi që kishte bërë. Na erdhi mirë që ajo e kishte marrë veten. Thellë syve të saj shkreptinte një lloj inati. Por me kë e kishte?! Dukej e vendosur. Dhe ja ku Svjetllana e bukur ishte përsëri përpara të njëjtit sekretariat, po e njëjta stenografiste. Nga të gjithë sa ishim në sallë, realisht unë i isha afruar më shumë se të gjithë të vërtetës së skandalit, por nuk doja t’ia pohoja as vetes dhe as gruas sime, le më sekretriatit. E çfarë dëmi i sillte partisë një takim idilik? Qoftë edhe me një rom. Ashtu si herën e parë, fjalën e mori sekretari i parë i partisë së rajonit:
– Shokë, tablloja sinoptike tani është shumë e qartë. Të dhënat nga policia janë të plota. Hekuran Xhambali e ka pasur babain matrapaz kuajsh, mbiemrin e kanë pasur Xhambazi, por në gjendjen civile e kanë regjistruar Xhambali për të humbur gjurmët. Veç atyre që dini nga mbledhja e parë, ka vjedhur edhe kumbulla, pjeshkë dhe nespulla nga të pronës socialiste dhe ia ka çuar çdo ditë kandidates sonë të partisë. Ka dashur që ta kompromentojë. Këtë e vërtetojnë dy kushërirat e gruas së romit të cilat ai i ka rrahur gjer në gjakosje pse janë konfliktuar me Svjetllanën. Ato kanë lajmëruar edhe bashkëshorten e Hekuranit për çfarë u ka ndodhur si dhe për takimin e fundit…Si përfundim: Hekuran Xhambazi e ka përgatitur sipas një plani të paramenduar përdhunimin e Svjetllanës. Atë e përfshijnë disa nene së bashku dhe do të kalbet në burg…
– Pisni, – tha Svjetllana me një zë kumbues duke u ngritur me vrull më këmbë – unë gjer tani nuk kam treguar të vërtetën. Duhet ta dini: Jam kthyer me dëshirën time dhe me paramendim në stallën e kuajve ku e dija se më priste Hekurani. Po ashtu çantën e kam lënë vetë, si një pretekst për t’u kthyer.
Pastaj ajo për pak heshti…Gati sa nuk po na ndalej fryma me çfarë po dëgjonim. Të gjithë kishim shqyer sytë nga habia. Ishte një kthesë e papritur. Si mund ta bënte ajo këtë deklaratë pa e detyruar askush?! Në këtë mënyrë ajo thoshte: “Hapu dhe të futem unë!”. Me gojën e saj, me pohimet që bëri, i mbylli të gjitha shtigjet me të cilat mund të mbrohej. E papranueshme. Axhami. Vetvrasje. Mendjelehtësi. Budallallëk. Svjetllana vazhdoi:
-Unë e dashurova këtë djalë të sinqertë rom. Ai ka shumë mirësi. Në shpirtin e tij ka shumë dritë. As nuk kam bërë pazare të martohem me të. Ai nuk ka shkollë, por ka një zemër flori. Atë e kanë fejuar që në djep. Atë nuk e kanë lënë të zgjedhë. Ai nuk është hajdut. Të gjitha frutat nuk i ka vjedhur, por ia ka dhënë vetë roja me dorën e tij për nderet që i ka bërë. Ai është arrestuar për tradhëti bashkëshortore, por duhet të dini se nuk ka bërë celebrim. Fatin e tij e kanë caktuar zakonet mesjetare rome që në djep të cilat e kanë fejuar e martuar pa e pytur atë. Ne duhet t’i djegim me zjarr e hekur këto zakone prapanike! A nuk na mëson kështu partia?! Martesa me mblesëri, me detyrim, është e papranueshme, e pafalshme. Ne nuk jemi në mesjetë. Ky është një komunitet që ne e kemi lënë pas dore. Ata nuk kanë as shkolla e as shtëpi. Jetojnë ku munden. Kanë të njëjtin gjak si ne. Qeshin, qajnë si ne, por nuk kanë të njëjtat të drejta si ne, njerëzit e bardhë, – deklamoi ajo me një ton të lartë e guxim të marrë.
Dhe nuk isha vetëm unë që po mahnitesha nga kurajoja, madje edhe nga oratoria e saj. Ku e gjeti gjithë atë forcë e trimëri?! Mos kishte ndërmend të martirizohej? Apo do të martohej me Hekuranin!? Askush nuk e ndërpreu. Prisnim se ku do të dilte, ku e kishte fundin. Dhe ajo vazhdoi:
-Miqtë e babait tim më mësuan mua të them se jam e përdhunuar. Këtë e bënë me qëllim që të mbrojnë nderin e tyre. Edhe vetë Hekurani ka pranuar që më ka “përdhunuar” sepse mendon që më vjen në ndihmë; më shpëton mua si komuniste. E shikoni sa fisnik është ky djalë?! E shihni ju sa lart qëndron ai krahasuar me mua që gjer tani kam gënjyer?! Unë kam fytyrën të bukur, siç më thonë, por ai ka shpirtin. Ju nuk e njihni shpirtin e tij, ndërsa unë e e di, e njoh në thellësi.
Këtu në sallë është një gazetar i nderuar që unë ia ndjek shkrimet.U mundova t’i tregoj atij të vërtetën që ta bëjë problem në shtyp, ta shkruajë ashtu sikundër është dhe të na marrë në mbrojtje, por ai dredhoi në mënyrë të tillë sa vërtetë e ndjeva veten keq dhe u duka fajtore. Megjithse ia shpjegova deri diku të vërtetën ai nuk deshi ta dëgjonte deri në fund. Ai dhe ju doni të dëgjoni atë që ju pëlqen. Hoqa dorë nga shkrimi sepse e kuptova që ai është pjesë e juaja. Kaq kisha, merreni tesrën time të partisë, ama çlirojeni Hekuranin nga hekurat, këtë djalë të pafajshëm të rritur në liri. I vetmi faj i tij është se dashuroi një të bardhë, i vetmi faj imi është se bëra një herë të vetme dashuri me të, ditën e fundit kur do të ndahesha përgjithmonë. Ky ështe faji im, – kaq tha dhe u ulnë karrike plot zhurmë, krejt e zbehtë dhe e këputur.
Më habiti shpirti luftarak dhe guximi i kësaj vajze të re. Në pamje të parë ajo të jepte idenë e një femre të rregullt e të qetë, të edukuar e të sjellshme, por qënkisha gabuar. Unë duhet ta kisha përkrahur, por ndjeva se askush nuk do të më kuptonte, askush nuk do të më mbështeste. Kush mund të pyeste për dashurinë e një romi? Svjetllana nëpërmjet atij qëndrimi, u armiqësua me të gjithë, jo vetëm me mua. Thellë-thellë unë e admirova veprimin e saj, por nuk mund ta pohoja me zë apo me shkrim në gazetë. Domosdo që ajo kishte shkelur në tokë të minuar. Sigurisht që do të paguante pasojat e guximit të saj të tepruar. Kujt po i shiste mend? Neve? Nuk ishte koha e martirëve. Ishte koha e mbijetesës.
-E qartë, – tha sekretari i parë rajonit plot zemërim – e dëgjuam të gjithë kandidaten. Është e ndërgjegjshme për fajin që ka bërë. Ta hedhim në votë. Kush është për përjashtimin e saj nga partia? – Të gjithë ngritën duart kundër saj,-Vendimi: Svjetllana Prushi përjashtohet nga partia me unanimitet. Kjo vajzë nuk meriton as në parti dhe as mësuese, – vazhdoi ai – nuk meriton as të jetë bijë e atyre veteranëve të nderuar. Le të kthehet në fermën bujqësore së bashku me arixhiun e saj mashtues. Aty le ta gëzojë “lirinë” që kërkon, – tha ai me urrejtje e cinizëm.
Ne dolëm një nga një nga salla e rajonit të partisë numër 3, pa folur, si në një funeral, duke mos ia hedhur asnjeri sytë Svjetllanës. Na kishte fyer të gjithëve. Po me mua ç’pati?! Vetëm stenografistja iu afrua, diçka duhet t’i komunikonte me shkrim.
Jam ca i vonuar duke treguar historinë e saj, por më mirë vonë se kurrë.
Toronto, 3 mars 2019