Albspirit

Media/News/Publishing

Frank SHKRELI: Një ditë e re po vjen për Venezuelën!

Javën që kaloi, Zëvendës-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence bëri një vizitë në Bogota të Kolumbisë, një vend kufitar me Venezuelën, për të shprehur mbështetjen e administratës Trump dhe të Shteteve të Bashkuara për popullin venezuelas në përpjekjet e tij për liri e demokraci kundër diktaturës socialiste të Nicolas Maduro. Gjatë qëndrimit të zyrtarit të lartë amerikan në Bogota, a tij iu bashkua edhe presidenti i përkohshëm i Venezuelës, Juan Guaido, të cilin administrata e presidentit Trump e njohu muajin e kaluar si president të vendit. Me Z. Pence ndodheshin edhe udhëheqës të tjerë të rajonit, në një moment që Shtëpia e Bardhë e cilësoi si një “moment kritik për popullin e Venezuelës dhe për përparimin e lirisë në këtë hemisferë”! “Ishte vetëm disa ditë më parë, ndërkohë që e gjithë bota po shikonte zhvillimet në Venezuelë, tirani i Karakasit kërcente ndërsa satrapët e tij dogjën një numër kamionësh të ngarkuar me ndihma ushqimore dhe ilaçe dhe duke vrarë civile,” deklaroi Zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara, Z. Pence.

“Dita e shtunë ishte një ditë tragjike për familjet e atyre që humbën jetën dhe një ditë tragjike edhe për mbarë popullin e vuajtur të Venezuelës”‘ është shprehur numri dy i Shteteve të Bashkuara. Ai u tha të pranishmëve, duke shikuar drejt së ardhmes, se “Një ditë e re e pret Venezuelën.” Ndërsa, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar sanksione të rrepta ndaj presidentit Maduro dhe zyrtarëve të lartë të ish-regjimit të tij, duke bllokuar të ardhurat dhe pasuritë e kompanisë së Naftës të Venezuelës që kontrollohet nga shteti. Qëllimi i këtyre masave, sipas administratës amerikane, në bashkëpunim me vende të tjera, është që të priten lidhjet e diktatorit Maduro dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, me burimet financiare që rrjedhin nga pasuritë e Venezuelës dhe të ruhen të ardhurat dhe pasuritë kritike të vendit, për të ardhmen e atij vendi.

Në këtë ndërkohë, burime të qeverisë amerikane njoftojnë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të dërgojnë ndihma humanitare për popullin e Venezuelës, ndërkohë që ushqimet dhe ilaçet nuk janë pjesë e sanksioneve. Burime të ndryshme lajmesh bëjnë të ditur se më shumë se tre milionë venezuelas kanë braktisur vendin e tyre, prej vitit 2015, ndërkohë që thuhet se ky numër, sipas Kombeve të Bashkuara, mund të arrijë deri në pesë milionë veta deri në mbarim të këtij viti.

Duke konsideruar këtë gjendje tragjike, Zëvendës Presidenti Pence tha se kjo vetëm ka forcuar vendosmërinë e Amerikës për të mbështetur popullin e Venezuelës. Ai e cilësoi aktualitetin politik të popullit të Venezuelës si “një luftë midis diktaturës dhe demokracisë, si një luftë midis shtypjes dhe lirisë dhe si një luftë midis vuajtjeve dhe begatisë”.

Ai përfundoi duke i bërë thirrje popullit të Venezuelës: “Kërkoni lirinë tuaj!”, duke u premtuar njëkohësisht se “Ne do të jemi me ju!”, përfundoi fjalën e tij drejtuar popullit të Venezuelës, Zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence – gjatë vizitës së tij javën që kaloi në Bogota të Kolumbisë, një shtet Amerikës Latine që kufizohet me Venezuelën.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara uruan popullin e Venezuelës për masat që kanë marrë drejt krijimit të një tranzicioni paqësor the demokratik dhe përshëndetën Presidentin e përkohshëm, Juan Guaido për përpjekjet e tij të suksesshme diplomatike në rajon, si dhe për kthimin e tij në Venezuelë. Shtetet e Bashkuara dhe kombet liridashëse anë e mbanë botës mbështesin presidentin e përkohshëm, Guaido, Asamblenë Kombëtarë dhe të gjitha forcat demokratike në vend, ndërkohë që punojnë për zgjedhje të lira dhe demokratike, që do të rivendosin demokracinë, thuhet në një njoftim të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Në njoftimin për media të DASH thuhet, se Shtetet e Bashkuara mirëpresin lajmin e personelit ushtarak dhe i Forcave të sigurisë, për njohjen e Presidentit të përkohshëm të Venezuelës. Z. Juan Guaido. Komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet që t’i japë fund regjimit brutal të Maduros dhe për rivendosjen, në mënyrë paqësore, të demokracisë në Venezuelë, përfundon deklarata e lëshuar dje nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Please follow and like us: