Namir Lapardhaja: 2019 do të jetë vit i Opozitës
Viti 2019 do të jetë viti i opozitës në Shqipëri. Do të jetë viti ku reagimi qytetar do të sinkronizohet me reagimin politik të opozitës, si e vetmja shpresë dhe alternativë për qytetarët e këtij vendi, rrjedhimisht duke e kthyer PD-në në parti frymëzuese, të besueshme dhe inspiruese.
PD-ja do të vijë në pushtet jo si nevojshmëri e saj e brendshme për të administruar pushtet, por si një kërkesë qytetare, sociale, ekonomike dhe politike.
Pavarësisht se rruga duket e gjatë, kërkohet vendosmëri dhe durim.
Frytet e së mirës janë të vështira për t’u arritur, por jo të pamundura.
Vendi ka nevojë për ndryshim dhe në sistemet demokratike që njohim deri më sot, nëse këtë ndryshim nuk e realizon mazhoranca, i hapet rrugë zgjedhjeve dhe rrjedhimisht të drejtën e ndryshimit e merr opozita.
Qëndresa e fortë, masivizimi i protestave, shtrirja e reagimit edhe në qytetet e tjera veç Tiranës, përgatitja reale e terrenit për zgjedhje të reja, njohja e njerëzve me programin dhe alternativën e PD dhe opozitës, duhet të sinkronizohen në të njëjtën gjatësi vale. Pa harruar durimin e madh dhe qëndresën e vazhdueshme. Kjo është rruga drejt fitores. E vetmja rrugë, në fakt.