Albspirit

Media/News/Publishing

Nora Malaj: Një urim për ty! 💐

Teksa kalendari shënon datën 7 mars 2019 , nostalgjia e kujtimet të kaplojnë dhe në këto çaste ato që të ndihmojnë më shumë janë fotografitë e letrat dhe urimet e ish- nxënësve, që me dashuri e mirënjohje dhe kur kanë mërguar shumë larg nuk të kanë harruar, por të kanë shkruar dhe uruar festën e mësuesit, profesionit tënd të parë, të vetmit profesion që edhe kur i kalon koha nuk mund të të thonë ish- mësuesja, po ajo apo ai do të thonë: E shikon atë, ajo është mësuesja (zyshai me, që më ka mësuar dikur. Këtë ndjesi pata edhe kur çova Solein në Teatrin e Kukullave dhe pashë Florin, që luante rolin kryesor në atë shfaqe për fëmijë. E kur mbaroj shfaqen i tha sime mbese: “Zysh Nora më ka męsuar të jem ky që jam bërë sot…”. Ndjeva lumturi brenda vetes, se tashmë kuptova që 31 vite, që e ushtroj këtë profesion, dikur si mësuese e tani si pedagoge, pa u ndarë asnjëherë, nuk më kishin shkuar dëm.

Teksa shfletoja letrat e ardhura dhe të ruajtura ndër vite nga Blerina, Isida, Valbona, Ilda dhe shumë urime e kartolina, u ndjeva e realizuar në misionin tim, atë të mësimdhënies, që me aq dashuri e bëj dhe sot. Emocionet e këtij profesioni më kanë shoqëruar tërë jetën dhe gjithnjë e më shumë kam kuptuar se auditori është magjia që më bënë të ndjehem si Anteu, me këmbë në Tokë. Ndjej se kur kam qenë si pranë nxënësve dhe tani pranë studentëve, përherë kam kuptuar se dija bëhet e qendrueshme kur t’i inspiron dhe i bënë ata, nxënësit apo studentët e tu, të ndjehen të frymëzuar nga shkolla, duke i edukuar me vetëbesim, të cilët ndonëse i zhvillojnë leksionet apo mësimin në mjedisem ndoshta pa suva dhe pa ngrohje, por në vetvete janë potencial i pallogaritshëm në të ardhmen e secilit prej tyre dhe të vendit, për atë çka ti i inspiron.
Gjithnjë kam dëshiruar që nxënësit apo studentet e mi të jenë njerëz që kanë aftësinë të krijojë, të rrëfejnë, të ndjehen mirë, të shpresojë, të ketë hapësirë të argëtohet dhe të mësojë, sepse përballë ka njëri që i frymëzon. Dhe ky është Mësuesi, i cili i sheh gjërat nga lart, i kontrollon, vigjëlon, me butësi, me ngrohtësi ndihmonë nxënësin të kapërcejë sfidat e padijes, duke kapërcyer errësiren dhe duke udhëtuar së bashku me ta drejt dritës së dijes. E ky është qëllimi më i bukur që kanë së bashku, mësuesi apo profesori dhe nxënësi e studenti, i dituri dhe ai më pak i dituri, po që do të ndriçohet nga drita e mësuesit apo profesorit të tij.
Unë e di se mësuesit apo profesorët edhe sot nuk janë të paguar aq sa duhet, di se secili ka probleme të shumëllojshme në shtëpi, por dashuria për të nxitur mendimin dhe besimin te të rinjtë, dëshira për t’i parë të vërtetë dhe të lirshëm në idetë e tyre, që kur të shohin mësuesin, mos të ndjehen në kafaz, por në një mjedis ku kryefjala është mprehja e mendjes dhe lëmimi i shpirtit, nuk besoj se pagesën është motivi kryesor për të rrezatuar këtë energji.

Ajo është diçka e brendshme. Është motivi qe ti ke bërë për zgjedhje tënde dhe kërkon shumë energji, por nëse zgjedhim ta bëjmë, është shumë e lehtë. Atëherë ajo bëhet shumë e natyrshme dhe kënaqësia që merret më pas është shumë më e madhe dhe nuk ka lidhje me paranë.

Këtë ndjesi përjetova kur lexoja urimet e tyre dhe mendoj se ku janë ata sot dhe sa më të zot se unë janë bërë! Ky është motivi i jetës, që të bën të ndjejesh krenare! Ndaj e ndjej se sot në këtë ditë të shenjtë për arsimin, dua t’ju uroj ju, nxënësit e studentët e mi, që besuat te unë dhe armata e mësuesve për t’u bërë ne, udhërrëfyesit tuaj, në fushën e vështirë po sfidante të dijes!
Të mos harrojmë, për një pjesë të madhe, për ata që kemi edukuar të breza, jo të gjithë kanë qenë ekselent në nota, po në të vërtetë ata janë ekselentë si qytetarë, pasi dinë të guxojnë, të shprehin lirshëm mendimet e tyre, ndjehen të vlefshëm e kurajozë  sepse janë mësuar të jenë të tillë e për këtë arsye unë sot, në këtë 7 Mars ndjehem krenare për të gjithë ju brezat që ju mësuam e edukuam e bashkë me ju , u rritëm dhe u përsosëm edhe vet, duke mësuar nga gabimet tona dhe nga dlirësia juaj.

E jo vetëm unë, po të gjitha brezat e arsimtarëve, që vlerën e punës së tyre e shohin te brezat dhe te ardhmja, sot urimin më të ndjerë e kanë për të gjithë brezat që edukuan ndër vite! Se kjo punë është mision dhe përtej profesionalizmit kërkon pasion, dashuri dhe energji! Nuk mund të ketë mësuese të suksesshëm, nëse nuk mësojnë e edukojnë breza të suksesshëm!

Faleminderit për atë sinergji që së bashku nxënës e mësues kemi bërë ndër vite. Po kemi shumë sifda ende të papërfunduara, të cilat kërkojnë të guxojmë më shumë, të punojmë më shumë, ta duam arsimin si mision për zhvillimin e njerëzimit e të mos lodhemi së rreshturi të luftuari për një edukim cilësor.

Dhe në fund, nuk duhet të harrojmë se mësuesi dhe nxënësi jane binomi, pa të cilët shkolla nuk do të ekzistonte. Ndaj shkolla është vendi ku të bën të lirë, ta dish! Një njeri i shkolluar mirë nuk është një njeri dosido; një njeri i shkolluar mirë është një njeri i lirë. I LIRË dhe me shtyllë të plotë kurrizore, për t’i qëndruar mandej kurtheve të jetës nga të cilat po të përmend veç dy më të zorshmet: servilizmin e mendjes dhe korrupsionin e shpirtit. Pyete veten çdo natë a do të mbrohesh nga këto dy kurthe. E nëse vetja të thotë po, atëherë shkollohu mirë, studio fort dhe do gjesh mbrojtjen!

Ndaj, falenderimet shkojnë me zemër për ju ish – nxënësit e mi që sot jeni dikushi në jetë dhe për ju ish -kolegët e mi dhe të gjithë armatën e mësuesve e pedagogëve, që nuk rreshtni së dashuri dhe kontribuar në këtë profesion, që në fakt është misioni më i rëndësishëm i njerëzimit!

Gëzuar 7 Marsin ! Zoti i bekoftë mësuesit ! 🙏🙏

Fotografia e Nora Malaj

Fotografia e Nora Malaj

Please follow and like us: