Yzedin Hima: Gëzuar, i nderuar mësues!
Mësuesi e di shumë mirë se mësuesit e vërtetë lënë pas vepra njerëzore, ndërsa ata ata falsë lënë pas gërmadha njerëzore.
Mësuesi, kur vjen 7 Marsi nuk di ku t’i mbajë duart nga ndrojtja dhe hutimi, kur dëgjon tërë ato lavdërime dhe mediton… sikur t’i shpërndajnë këto fjalë nderimi në tërë harkun kohor të ditëve dhe unë do të ndihem i nderuar gjatë gjithë vitit… dhe teksa hedh sytë në kohë, shikon me gëzim veprat njerëzore që ka lënë pas.
Mësuesi e di shumë mirë se mësuesit e vërtetë lënë pas vepra njerëzore, ndërsa ata ata falsë lënë pas gërmadha njerëzore. E di dhe trishtohet. Se mësuesi endet midis trishtimit dhe gëzimit. E ka të pamundur për të qënë i lumtur me punën, mundin, dijen e tij në këtë vend, ku dija dhe njerëzorja ka vlerë të pakët.
Mësuesi trishtohet kur sheh nxënësit e tij më të mirë, të cilët janë diplomuar dhe nisen vit pas viti për në Amerikë e Europë, ndërsa nxënësit e tij më të dobët, ata që i ka kaluar për mëshirë me një copë pesë, sot kanë kapur kreun e institucioneve në qendër dhe në bazë, madje shumë prej tyre kanë arritur atje lart, në parlament dhe “bëjnë” ligje.
Mësuesi trishtohet kur turma mezi e dallon kur kalon në rrugë, i veshur me rrobat e ‘Gabit’ dhe rrallë, tepër rrallë kujtohet t’i hedhë ndonjë përshëndetje, ndërsa i bën copë llamarinat (duart) pas fjalimit mizerabël të ish-nxënësve të tij të mjerë nga mendja, që sot kanë kapur karriket më të larta të pushtetit.
Mësuesi trishtohet kur i vënë në krye si drejtues, pikërisht atë që në vite e vite ka lënë pas gërmadha njerëzore, duke shumëfishuar te nxënësit mizerjen e tij intelektuale dhe shpirtërore.
Mësuesi trishtohet kur nxënësit e tij, të cilët mezi morën një pesë në maturën shtetërore, shkuan në universitetet shqiptare dhe u kthyen të gjithë me diploma mësuesie dhe sot i ka “kolegë” në shkollën ku jep mësim.
Mësuesi trishtohet kur shikon se si modelet e tij, heronjtë e tij të dikurshëm bien e bien në fushën e betejës së realitetit të njëmendët shqiptar dhe nxënësit buzëqeshin, duke treguar se heronjt e sotëm janë ata që nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre.
Mësuesi trishtohet që në asnjë tekst shkollor nuk ndesh ato fjalë magjike të Uollt Uitmanit: “Kundërshtoni shumë e duartrokisni pak, bindja e verbër u çon në skllavëri”.
Mësuesi trishtohet kur jep temën e esesë “Duke ngjitur shkallët e dijes bëhem më i lirë” dhe nxënësit shkruajnë se sot preferojnë “axhensorin” për t’u ngjitur dhe jo shkallët e mundimshme një e nga një të dijes.
Mesuesi trishtohet kur dikush e lavdëron duke i thënë se e kishte shpërndarë veten e tij të mirë në disa gjenerata nxënësish. I shikon këto fjalë jo si lëvdatë, por si akuzë: si dhunë mbi gjeneratat e nxënësve, duke i deformuar, duke i modeluar sipas modelit të tij, në vend që t’ u krijonte mjedisin, klimën që çdo nxënës të rritej nga ana e intelektit dhe e shpirtit, sikurse Zoti ( Natyra) e kishte projektuar në zanafillë…
Mësuesi vazhdimisht trishtohet, edhe kur e lavdërojnë dhe e nderojnë një herë në vit. Lëkundet midis trishtimit dhe gëzimit, sepse e ka të pamundur të ndihet ndonjëherë i lumtur.