Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Sot e kam shfletue librin e vjetër

Sot e kam shfletue librin e vjetër.
I kam prekë dhimbjet e kohëve,
Ata gurë të fortë pikëllimi
Që randojnë mbi Dardani;
Tokën ku shiu i zi bie pa pushim.
Kam pâ një shall që rri heshtun
Pranë sendeve të bukura
Që ai pluhuni i zi i ka mbulue.

Kam pâ portretin e Bogdanit
Me kryet kah qielli
Sikur m’ thoshte:
“Mu kanë m’em zhvarrue
E qentë kanë m’i hangër eshnat e mi.
Por jo idenë teme.”

Sot e kam shfletue librin e vjetër.
E kam pâ aty hapin e matun të lirisë
Si dilte nga shkurra e pikëllimit.
Dhe statujën e mirësisë
Ma të nalt se vala e trishtimit.

Kam pâ portrete shkrimtarësh
Si dhimbjet në qafën e poeti të mërguem.
Kam pâ edhe hijen e fjalës
Si e mposhte trishtimin;
Atë shikimin mallëngjyes
Që ta këputë shpirtin.

Libri i vjetër
Ka shpresa
Sa krejt rruzullimi i syve t’mi.

(Nga libri “Gjithmonë diçka mungon”, 2017, OM)

Image result for ndue ukaj, gjithmone dicka mungon

Please follow and like us: