Albspirit

Media/News/Publishing

Një ngjarje e rrallë dhe e pabesueshme

Albert Z. ZHOLI

Vitet e vështira 1960….

 Sa doli nga zyra e  kryetarit të Këshillit, L.T. vendosi të  arratisej. “Do ta  paguash shtrenjtë!”, e kish  kërcënuar kryetari. Dhe ato fjalë  e kishin  bishtin  mbrapa. E nesërmja  nuk  dihej  si do të  vinte. Ai kishte një  familje  të  re, një  fëmijë  të pambushur  vitin  dhe ëndrra të  bukura  për të  jetuar. Pasi e diskutoi  edhe me  gruan, u  përgatiten  për  ikjen. Planin  e kishin  menduar  mirë  për të  arritur  te kufirit pa rënë  në duart e  ushtarëve.

Ishte  prag nate. Shiu  kishte  heshtur, por  bënte  ftohtë. Në  kushte  të tilla  ushtarët e kufirit ishin  më pak  vigjilentë. Piramida ku kishin  zgjedhur  shtegun  e  kalimit ishte  disa kilometër  nën  fshatin Leshnicë, Sarandë  dhe  ata  si  vend  e njihnin  me  pëllëmbë  çdo  gur  e shkurre. U nisën… Errësira mbretëronte kudo. Ja shtegu që njihte. Pak më tej piramida dhe për 4 minuta kaloje në tokën greke.  L.T kaloi  shtegun! Pas tij, disi  më  larg, vinte  gruaja  me  fëmijën e  vogël në duar.  “Ja hodhëm” kaloi ai nëpër tru, duke  ecur si mbi  gjemba e duke dëgjuar heshtjen që i vinte  nga  mbrapa. Ajo  heshtje ishte  shpëtimtare. Çdo çast nga ajo heshtje, ishte  jetë  për  të  edhe  për gruan me kopanecin në duar. Por ja, fëmija filloi të qajë….qarja e fëmijës e tmerroi. Një qarje klithmë. Pastaj ca zëra të  egër  e të panjohur. Ai aq mund të dëgjonte.

Gruaja, me fëmijën e vogël në  duar, befas ishte  përballur me një  ushtar të  patrrullës. Trembja e saj ishte edhe klithma e fëmijës. Ajo mbuloi fëmijën  në gjoks, me  instiktin e nënës. Gryka e automatikut, dy metra para saj, ia kish ndaluar frymën, vetëm zemrën nuk i kish  ndalur akoma. Nga larg ndjeheshin këmbë në  hapa  të  shpejtë  dhe  zëra të  pakuptimtë.

– Hë, ç’pret?! Qëllo! –i foli gruaja ushtarit para saj me  gjithë  frymën që i kish  mbetur  brenda gjoksit. Këto fjalë iu  dukën  zgjidhja më e mirë, kur jeta matej me  sekonda.

– Largohu, largohu shpejt !- i foli ushtari gruas dhe  grykën e automatikut e ngriti andej nga s’dukeshin yjet. Një breshëri plumbash çau qiellin e errët. Ajo s’po u  besonte  syve dhe veshëve .

– “Si është e mundur”!? Asgjë në trupin e saj.

– Por edhe këtë pyetje  nuk ia bëri  dot vetes, se nuk ia  arrinte  koha. Mori vrapin në udhën që kishte  nisur. Këmbët i digjnin si të  shkelte mbi gjemba, apo mbi prush të  ndezur. Nga  pas ndjeu  sërish një breshëri  krismash. Mendoi se të  gjithë  plumbat i kaluan  përmbi  trup. Por  çuditërisht  ajo po  ecte,  e ecte… Edhe fëmijën e kish futur brenda gjoksit.

Kur krismat  e zërat nuk i  ndjente  më   e ndaloi  vrapin. Tashti ishte  futur thellë në tokën greke. Aty, pranë, një guve e priste  burri.

-Çudi?! Si nuk më zunë plumbat?! Në  gjithë  atë  qamet  shpëtuam- foli ajo dhe përqafoi të  shoqin.

-Do Zoti, një ditë  e marrim vesh  se kush na  ndihmoi. Atij ushtari i kemi  borxh  jetën –foli gruaja  dhe  puthi me buzët që i dridheshin, fëmijën e përgjumur. Isha 3 metër larg tij dhe më tha ik!

Kjo ngjarje  ka  mbi  4 dekada  që ka  ndodhur. Fëmija  është  rritur dhe bërë 3 herë baba dhe si në  ëndërr ndoshta i kujtohet  ajo natë  pa hënë.

***

Kisha kohë që e kisha botuar këtë ngjarje kur një pasdite më bie celulari.

-Alberti jeni?

-Po!-ju përgjigja.

-Unë jam Agroni, ushtari nga Tepelena që keni shkruar tregimin që nuk qëllova mbi gruan me fëmijë në vitet 1960. Celulari më ra nga dora. Ai ma përshkoi ngjarjen me hollësi. U habita! Çfarë bën koha. Pasi mblodha veten i thashë se do të lidh me L.T. në Athinë. Fill pas bisedës me Agronin mora L.T. Fola disa minuta pastaj e pyeta:

– A e keni gjetur ushtarin që nuk ju qëlloi ku u arratisët?

-Eh, Albert, jo, jo! Tani jam mbi 80 vjeç dhe e kam peng. Nuk dua të vdes pa e takuar. Ai njeri për mua mbetet i dërguari i zotit. Njerëz të tillë ka pak në jetë. Ai mbase dhe është dënuar për të shpëtuar familjen time. Ai mbetet një njeri që koha ma afron dhe pse vitet ikin tutje. I kam borxh jetën e familjes. Nga ai jam i rrethuar me nipër dhe mbesa. Eh sikur ta takoja pastaj le të vdisja…

-Së shpejti do më kesh bashkë me të në Athinë!- ju përgjigja.

-Si, si, si? Albet, Albert, Albert. Mos u tall…- dhe nga celulari më erdhën në vesh ngashërimet e atij njeriu brengëmadh…

Please follow and like us: