Albspirit

Media/News/Publishing

Sazan Guri: Shtatë ulërimat e një intelektuali

Thonë se jam bërë pjesë e diskutimeve për deputet dhe me vjen mirë që shumica, për të mos thënë të tërë qytetarët nuk e kanë ‘ngrënë atë që unë sipas ca-ve mund ta kisha ngrënë. Gojë jo të mira, kanë shpërndarë lajmin se unë mund të jem pjesë e opozitës së zgjedhur nga Pozita. Kurrë kësisoj, kurrë në një Parlament që nuk është se ndodhet në udhëkryq dhe po vemi ta nxjerrim, por ndodhet në pa udhë, ku mund të venë vetëm të paudhët, besëprerët e pazarbërësit. Ndaj larg të këtillave situata. Kjo është ulërima e parë. Le që unë i kam prerë marrëdhëniet me këtë Parlament, qysh në sekondat e para që dëgjova se isha si deveja në shkretëtirë, ku i vunë para disa kafshë jo të shkretëtirës. Zyrtarisht bëra kërkesë për dorëheqje të padiskutueshme. Jo po, s’e ke dorëzuar me noter dhe mund të përfshihesh si emër.

Po ky noteri, unë di se është për kopje te origjinalit dhe jo për vetë origjinalin, sepse unë isha vetë në dorëzim të tij, me zë, me figurë dhe me shkrim. Ç’duan këta zërat që më duan mish për top. Shkoni e gjeni, se sahanlëpiresa ka plot, por jo profesorë, e aq më tepër inxhinierë, e aq më tepër jo grevëthyes, e aq më tepër i zgjedhur nga lart, dhe jo prej popullit nga poshtë. Kurrë! Dhe hiqmuni sysh, ju të sikterisur. Kjo është ulërima e dytë. Ka dhe që më thonë, mirë bën që mos të vesh kësaj radhe në Parlament, për një rrogë fundja, do humbasësh edhe një pension……

Dëgjoni or miq! Edhe nëse kam dashur më parë të vija ne Parlament, po përse për rroge do vija? Apo për të vënë në jetë ato që bëj nëpër leksione, nëpër libra e nëpër protesta e kërkesa, jo për vete, por për ju, o Qytetarë! Apo për te hyrë me biznes të vogël e të dilja me supermarket, si të tjerët? Kjo është ulërima e tretë. Fjala e parë kur filloj e jap mësim me studentët është se nuk i ngjaj te tjerëve. Edhe në Parlament këtë parim do të mbaja, se nuk i ngjaj të tjerëve, por kur s’më njeh edhe mund të thuash ndonjë fjalë punë rroge, punë pensioni?

Po sikur t’ju them, se me flori të ma shtrojnë rrugën nga shtëpia në Kuvend, nuk do të vija kurrë në këtë mesele apo në këtë Parlament derexhe. Ka ende që thonë, po edhe mund të vesh në Parlament. Për kë Parlament e kanë fjalën? Për Parlamentin, ku votojnë tre veta apo tre Kryetarë partie dhe të tjerët në rresht. Sepse, kur dolëm ne me T.Zhejin, A.Stefanin (ndjesë pastë), në 2008 për ‘vrasjen’ që iu bë Kushtetutës, qytetarët flinin, dhe këto pasoja i vuajmë sot. Tjetër, kemi tentuar disa herë për të qenë pjesë e Parlamentit, pjesë e Këshillit Bashkiak, i pavarur apo me një parti të caktuar. Rezultati?! Çiliminjtë në Këshill Bashkiak dhe të paudhët me shumicë në Parlament kanë drejtuar këtë vend, sepse u vranë rregullat e zgjedhjeve-Ligjet e Kushtetutës?!

Kjo është ulërima e katërt. Atëherë, çfarë ka ndryshuar që unë të provojë sërisht mospërfilljen e klasës fisnike nga vij prej të dy prindërve, dhe te klasës intelektuale që unë përfaqësoj sot? Më shpjegoni këto, ju që më inkurajoni për të hyrë në Parlament. Shpesh shumë miq e koleg na japin këshilla nga jashtë sesi të sillemi me qeverinë, si mos ta prishim me të, sesi të godasim opozitën, se fajin e ka ajo, etj si këto?! Atyre andej, do doja t’’iu përgjigjesha, veçse kini një dëshirë të madhe për t’u bërë ky vend, meqenëse i mungoni vendit. Por, nuk mund të jeni dot këshillues.

Takova mbi 40 grupe këtu në takimin e diasporës, pothuajse ‘out’. Iu kishte ngelur ora atë ditë që kishin ikur!! Imagjino, u fol anglisht midis shqiptarëve, pra, pa fjalë zemre, pa fjalë dhimbjeje, pa fjalë shprese, që gjuha e tyre amtare shpreh dridhjen e fundit të fjalës – thotë Konica, që don të shprehësh, ndërsa gjuha e sotme zyrtare anglisht futja kot. Ti pi dhjetë birra, unë asnjë, të dy kemi pirë nga 5 birra. Kështu janë edhe europianët që na e përmendin shpesh këta nga Europa e Amerika. Imagjinoni, zgjedhjet patën vjedhje, por ne i çertifikuam, sepse vjedhjet ishin 5% dhe nuk ndryshuan fitoren, se PS fitoi më lart se 5%. Kjo është ulërima e pestë. E kuptoni se kush janë europianët?

Dhe kur diskutojnë për ne në Europë, shqiptarët nuk futen, sepse nuk dinë të bëjnë zgjedhje. Nuk ishin këta europianë që i thanë z.Rama më 2011 se kështu nuk futesh në Europë, dhe ata me të drejtë e lanë çadrën, dhe vendi ynë nuk u fut prapë në Europë, se gjoja nuk deshi një shtet i caktuar, që ata e caktojnë me radhë se kush do jetë ai që kundërshton. Ndaj, nuk është problem opozita, djegia e mandateve, mosfutja në Europë, jo dhe jo! Problem këtu është vetëm një gjë: dita e parë e zgjedhjes, ligji zgjedhor që Spanja e përdori njëherë për Baskët, ndërsa këtu qeveria e përdor gjithmonë për opozitën, qysh nga 2003, është Kushtetuta e shkelur e 2008, është mungesa e shpresës ku 600,000 të rinj janë të ikur, një doktor për 10,000 veta, qytete jashtë Tirane bosh, qytete kufitarë me më shumë shtëpi se sa njerëz. Kjo është ulërima e gjashtë. Kush i bëri këto? Gjejeni vetë! Dikush mund ta nxjerrë inatin diku, dikur dhe te dikush, siç është bërë historikisht dhe ku ka vajtur Shqipëria pas këtyre krahasimeve? Për lesh?! Kjo është ulërima e shtatë.

Please follow and like us: