Albspirit

Media/News/Publishing

Dyfytyrësi me Samitin dhe talent i rrallë për të përvetësur fonde

Shqiponja e Artë dhe Ambasador i Kombit, dy çmime prestigjoze për Lazim Destanin” — ky ishte titulli i emailit që me erdhi para dy ditësh në postën time elektronike. Në të vërtetë këtë lajm mund ta kisha marrë drejtpërdrejt po të kisha ndjekur punimet e Samitit II të Diasporës. Pata arsye të forta për të mos e bërë. Njëra ka të bëjë me buxhetin e fryrë që u harxhua për këtë aktivitet, pa paguar asnjë biletë dhe asnjë dhomë hoteli për pjesëmarrësit. Madje as për ata që shkelnin për herë të parë në Shqipëri, nga ku paraardhësit e tyre ishin larguar para 400 vitesh dhe ishin përpjekur për të ruajtur gjuhen shqipe.Arsyeja tjetër ka të bëjë me rezultatet e samitit të parë. Nuk u dëgjua dhe nuk u pa asnjë investim. Detyra që u dhanë për të parët ishte që të marketonin Shqipërinë në vendet ku kanë ndërtuar jetën e tyre. Nuk ndodhi. Jo për faj të shqiptarëve që jetojnë jashtë, por të atyre që jetojnë brenda, vecanërisht atyre që na qeverisin.Një tjetër arsye ishin edhe refuzimet e ftesave nga ata që e dinin shumë mirë që edhe po të vinin nuk do të çmalleshin me vendin, përkundrazi do të ngarkoheshin më tepër me pesimizëm.

Këto ishin mjaftueshëm arsye për mua që të mos e ndiqja as fjalimin “historik” të liderit botëror.

Por ja që zyrat e propagandës nuk më lanë të më shpëtonin lajmet. Emaili që më informonte se filantropi i njohur Lazim Destani kishte marrë dy çmime më pështjelloi shikimin dhe zemrën në të njëjtën kohë. Nuk mund ta kuptoj deri ku shkon hipokrizia. Jo vetëm kaq, por si mundet që ne të mos reagojmë ndaj saj.

Nëse ju kujtohet, para 3 muajsh u shkul nga rrethrrotullimi me të njejtin emër një Shqiponja në metal e dhuruar nga Lazim Destani për 100 vjetorin e Pavarësisë. Madje ishte vetë Kryeministri i vendit që njoftoi me të madhe se ishte shkulur Shqiponja banale e vendosur në hyrje të qytetit.

Si ka mundësi që dhurata e shkelur të harrohet dhe më pas të dekorohet dhuruesi i saj! Si ka mundësi që të përdoret një takim i tillë për të larë mëkatet personale!

E vetmja gjë që uroj është që njerëz si Lazim Destani t’i harrojnë, madje të mos i konsiderojnë njerëz të tillë të vegjël që mban toka e shqiponjave e të vazhdojnë të investojnë dhe të çojnë përpara emrin e Shqipërisë dhe shqiptarët.

Për të tjerat, do presim me kërshëri stilizimin e ri për titujt që do të shpërndahen në Samitin III.

Please follow and like us: