Faktet e refuzimit nga qeveria të qëndrimit tim në Shqipëri
Në fillim të vitit 2018, vendosa të shpërngulesha në Shqipëri për të bashkëjetuar me njeriun që dua, me të cilin jam duke pritur një fëmijë. Në shkurt 2018, unë mora leje qëndrimi njëvjeçare nga autoritet e migracionit. Në përfundim të periudhës njëvjeçare, në shkurt të këtij viti, aplikova për ripërtëritjen e lejes.
Rreth 10 ditë më parë, nga Drejtoria e Migracionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme më njoftuan se leja ime ishte miratuar në parim dhe do të lëshohej pasi të kryeja pagesën përkatëse. Me mandatin që më dhanë, pagova në bankë tarifën prej 10 mijë lekë, afërsisht 80 euro, të parashikaur nga ligji. Vërtetimin e pagesës e paraqita në shërbimin e migracionit, ku më thanë “shumë mirë, çdo gjë është e miratuar, kthehu pas dy javësh të marrësh dokumentin.”
Rreth 4-5 ditë më pas, së bashku me një gazetar tjetër britanik të The Guardian, unë bërë një koment të shkurtër mbi gjendjen politike në Shqipëri, korrupsionin dhe veprimet abuzive të qeverisë për një gazetar të RT International.
Komenti im thjesht ripërsëriti fakte tashmë të botuara gjerësisht në shtypin ndërkombëtar rreth gjendjes në Shqipëri dhe nuk kishte thuajse asnjë opinion personal.
Por vetëm pak orë pasi u transmetua komenti im, disa portale të afërta ose të kontrolluara nga Kryeministri Edi Rama, përfshi portalet Tema, Java News dhe Alpe News, filluan një sulm të koordinuar kundër meje, duke më etiketuar person që punoja për Rusinë, me qëllim minimin e demokracisë në Shqipëri dhe të qeverisë shqiptare, me anë të disa artikujve të shkruajtur nga një dorë e vetme dhe të riprodhuar verbatim nga të gjitha. Këto media qeveritare deklaruan se unë punoj edhe për një portal rus, Tsarism.com, i drejtuar, gjithmonë sipas tyre, nga një person i lidhur me Rusinë dhe me lobistë rusë.
Më tej, ato shkruan se bashkëjetuesi im është truproja kryesore e Lulzim Bashës, kryetarit të Partisë Demokartike, duke pretendaur se komenti im kritik për qeverinë shqiptare ishte bërë sepse po përfitoja para nga Partia Demokratike dhe nga Rusia. Në një artikull të veçantë, ato publikuan edhe foton time dhe të partnerit tim shqiptar, duke pohuar se ai është një militant i dhunshëm i kërkuar nga policia.
Të gjitha këto pohime janë kryekëput të pavërteta në çdo element dhe imtësi të tyre dhe unë tashmë kam ndërmarrë veprime ligjore kundër të gjitha portaleve të cilat nuk pranuan të hiqnin artikujt shpifës nga faqet e tyre.
Këshilli i Evropës, OSBE, organizata shqiptare për mbrojtjen e gazetarëve dhe tre organizata të huaja për mbrojtjen e gazetarëve po e ndjekin situatën duke e konsideruar si kërcënim për lirinë e medias.
Më duhet të them se për pretendimin e urdhërit të arrestit të partnerit tim u alarmuam, nisur nga afërsia e këtyre mediave me policinë dhe qeverinë, dhe të shqetësuar i kërkuam avokatit tonë të lidhej me policinë dhe prokurorinë, nga të cilat mësuam se ai nuk është as person në kërkim dhe as nuk ka ndonjë akuzë kundër tij. Edhe për këtë pohim të rremë këto portale do të duhet të paraqesin prova në gjykatë.
Sulmet kundër meje zgjatën tre ditë dhe dy ditë pas shuarjes së tyre unë mora një telefonatë nga shërbimi i migracionit në Ministrinë e Brendshme për të më kërkuar të paraqitem në zyrat e tyre. U shpreha keqardhjen që nuk mund të paraqitesha për shkak të problemeve shëndetësore me shtatzaninë, dhe u kërkova të më sqarojnë në telefon arsyen e vizitës, por ata nuk pranuan.
Dje, i fejuari im u paraqit pranë zyrës së migracionit në emrin tim. Punonjësit e migracionit e informuan se vendimi i drejtorit të shërbimit të migracionit për të pranuar lejen e qëndrimit ishte rrëzuar nga dikush më lartë se drejtori, jashtë zyrës së emigracionit.
Nuk na dhanë asnjë arsye për refuzim dhe nuk na bënë të ditur funksionarin apo institucionin që anuloi lejen, nuk na dhanë as ndonjë dokument—kërkesa të parashikuara në ligj. Na thanë thjesht se duhet të paraqiteshim të nesërmen për të marrë dokumentin e refuzimit.
Sipas kërkesës së tyre, këtë mëngjes bashkëjetuesi im u paraqit sërish në zyrën e migracionit për të marrë dokumentin zyrtar dhe arsyet e refuzimit. Ai priti më shumë se një orë dhe, në fund, i thanë se dokumenti nuk ishte ende aty. Ata i kërkuan të paraqitemi sërish nesër, për të marrë përgjigjen formale me shkrim, por ai nuk pranoi dhe kërkoi që të na e dërgojnë atë me postë.
Ata i sqaruan atij se nëse unë paguaj një gjobë—për shkak se tashmë ka mbaruar afati i lejes së mëparshme të qëndrimit dhe unë ndodhem ende në Shqipëri—dhe nëse dal nga Shqipëria dhe rihyj në vend, mund të nis aplikimin për leje qëndrimi nga e para dhe çdo gjë do shkojë mirë.
Por, së pari, unë e kam të ndaluar nga mjeku të udhëtoj këtë periudhë, për këtë kam edhe një raport mjekësor, dhe ligji shqiptar lejon qëndrimin tim në Shqipëri në këto kushte.
Së dyti, diçka e tillë do të më dëmtonte financiarisht, pasi do të më duhet të riparaqes dokumentet në dosje nga e para, duke sjellë çdo dokument nga Britania e Madhe dhe Malta ku kam jetuar para se të vija në Shqipëri, të përkthyera, noterizuara dhe apostiluara, dhe të paguaj sërish taksën e lejes së qëndrimit.
Së treti, unë kam përmbushur të gjitha detyrimet ligjore, kam bërë çdo gjë që më kërkoi zyra e emigracionit, paraqita çdo dokument që më kërkuan dhe pagova çdo tarifë që më kërkuan. Kjo do të thotë se nëse mund të më jepet leja e qëndrimit, nëse dal e rihyj nga Shqipëria, ajo duhet të më jepet edhe pa dalë, pasi ligji shqiptar ka një përcaktim që më lejon të qëndroj pavarësisht skadimit të lejes kur ka arsye shëndetësore.
Kthesa e papritur në fatin e lejes sime të qëndrimit mund të jetë rastësi, por koha në të cilën ajo ndodh është pa dyshim e dyshimtë—fakti që refuzimi i miratimit të mëparshëm erdhi menjëherë pasi unë kritikova qeverinë, dhe u sulmova nga portalet që përcjellin vijën zyrtare të Kryeministrit Rama, më bën të mendoj se kjo është përpjekje më shumë për të më trembur dhe mbyllur gojën.
Si gazetare që kam provuar sulme nga qeveri të korruptuara më parë, atë që më ka ndodhur e shoh si përpjekje për të më diskredituar dhe një paralajmërim që të mos kritikoj më. Madje të mos shkruaj më.
Mendoj se trysnia ndaj meje është dhunim i lirisë së shtypit, e cila mbrohet nga Kushtetuta e Shqipërisë, nga ligjet e të drejtave të njeriut të BE-së, së cilës Shqipëria do kaq shumë t’i bashkohet.
Unë nuk do të ndal së shkruari, nuk do të paguaj gjobën dhe nuk do të largohem për të hyrë prapë në vend. Kam bërë gjithçka që më është kërkuar nga ligji dhe do të vazhdoj rrugën ligjore dhe trysninë mediatike, derisa të trajtohem sikurse duhet, sikurse e kërkojnë ligjet e Shqipërisë dhe të BE-së.
Kam shkruar në dy vitet e fundit më shumë se 400 artikuj për të promovuar Shqipërinë në blogun tim The Balkanista, një pjesë e të cilëvë janë riprodhuar nga media të huaja dhe janë lexuar nga dhjetëra e dhjetëra mijëra qytetarë europianë dhe më gjerë. Blogu është një projekt për promovimin e Shqipërisë në botë, të cilin e mbaj me punën time në kohën e lirë, pa marrë fonde apo përfitime të tjera nga askush. Këtë punë e bëj sepse e dua dhe e kam përzemër këtë vend, atdheun e fëmijës sim.
Unë shkruaj, gjithashtu, për Exit.al, një nga protalet më profesionale dhe etike në Shqipëri, ku nuk shpifet, nuk bëhet propagandë dhe nuk shkruhet asgjë që nuk është e vërtetë. Padyshim, Exit.al është një media haptazi kritike me qeverinë, veçanërisht me gjendjen e korrupsionit e krimit dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Unë nuk paguhem as për kontributin në Exit.al (thuajse të gjithë kontribuesit për Exit shkruajnë vullnetarisht).
Në të vërtetë, në nuk paguhem dhe nuk përfitoj nga askush për aktivitetin tim publik në Shqipëri. Të mirat dhe kritikat që kam shkruar për Shqipërinë i kam shkruar jo vetëm si gazetare, por edhe si një njeri që e do këtë vend të ecë përpara dhe të luftojë të keqen. Sa herë që kritikoj diçka që e perceptoj si padrejtësi e bëj sepse mendoj se Shqipëria meriton më shumë.
Unë kam zgjedhur të jetoj në Shqipëri, të ndërtoj një familje këtu, dhe të ngre jetën time dhe të fëmijës sime këtu. Dhe unë kërkoj që edhe në Shqipëri të luftojmë për standardet e qeverisjes dhe të demokracisë që ka në atdheun tim, Britaninë e Madhe.
Por sepse unë kërkoj shumë për Shqipërinë, duke kritikuar, unë jam sulmuar, kërcënuar dhe po trajtohem në mënyrë të paligjshme.
Kritikat e mia ndaj qeverisë kanë sjellë pasoja për mua dhe familjen time. Janë përpjekur të dëmtojnë reputacionin, të shuajnë zërin tim, dhe mbi të gjitha të dëmtojnë familjen time, shtëpinë time. E çfarë tjetër u mbetet për të bërë pas këtyre?
Një gjë nuk do ta bëjnë dot: të shuajnë zërin tim, që ulërin për përparimin, drejtësinë dhe të mirën e Shqipërisë.
___________
Alice Elizabeth Taylor ështa autorja e blogut The Balkanista dhe shkruan për median malteze The Shift dhe atë shqiptare Exit.al.