Albspirit

Media/News/Publishing

Sakip CAMI: 60 VJET, CIRKU AMATOR DIBRAN

 

 Image result for sakip cami

Sakip Cami

 

KUR PUNA, TALENTI, PASIONI  DHE PËRKUSHTIMI  TRIUMFON  MBI GJITHÇKA

 (Sipas bisedës me trajnerin e këtij  cirku, Agron Strazimiri)

Në vitin 1958  së bashku me disa shokë të fëmijërisë iu afruam trupës amatore të cirkut të qytetit minator të Bulqizës. Pas bëmë disa kapërdimje pa mbështetje të kokës në tokë e kaluam provën e pranimit dhe filluam stërvitjen. Për fatin tim të keq babai transferohet nga Bulqiza për në fshat dhe kështu u shua edhe ëndrra ime për t’u bërë artist cirku. Por cirku vazhdoi në këtë qytet të vogël minator.

Nga biseda me Agron Strazimirin, trajner cirku prej 35 vjetësh në Bulqizë dhe Peshkopi, del se pasioni i Agronit dhe i disa djemve e vajzave të talentuara dibrane e kanë mbajtur lart ndër vite këtë  art-sport, që është një mrekulli e vërtetë.

Në vitin 1962, në moshën 6 vjeçare, tregon Agroni, kam dalë në skenë për herë të parë me një dyshe akrobatike, gjatë koncertit të Ansamblit të Ushtrisë që drejtohej nga Gaqo Avrazi. Unë së bashku me disa shokë të mij interpretuam në vitet 1966, 1969 dhe më pas në koncertet e Vitit të Ri, në koncertet e majit, gjatë festave të 28 – 29 nëntorit, gjatë përvjetorit të minierës etj.

Formën e plotë si cirk amator e mori në vitin 1969 me 10 vetë, Agron Strazimiri dhe 9 vajza si Libade Alliu, Lubjana Shahini, Resmie Kadisi etj.

Duke ngritur nivelin interpretativ nga shfaqja në shfaqje me ushtrime të nivelit të lartë artistik e sportiv u formësuam si trupë cirku dhe shpesh herë i bashkëngjiteshim Estradës së Peshkopisë në shfaqjet e saj, vazhdon tregimin e tij Agroni.

Në vitet 1970 – 1971 mësuesi  Selman  Alla  e riorganizoi trupën e nxënësve të Bulqizës, por në vitin 1975 trupa mori formën e plotë nën drejtimin e Riza Gjetës. Trupa përbëhej prej 15 vetësh, Agron Strazimiri, ekuilibrist, xhongler, akrobat, Eqerem Muça, ekuilibrist, akrobat, Njazi Koçi, akrobat ajri, Sabri dhe Hajredin Gjeta, akrobat, klloun, Azem Teta, Behar Mera, Fehmi Kaca, artistë  klloun, Tefta dhe Xhemile Toçi, akrobate, Genc Sharku, akrobat, Sokol Disha, biçikletë, Tahir Shkreta, imitues, etj. Me këtë trupë janë dhënë shfaqje në Bulqizë, Krastë, Ulëz e deri në Memaliaj.

Kështu vazhdoi deri në vitin 1978, ku për mungesë mbështetje Riza Gjeta dha dorëheqjen dhe drejtimin e mori Agron Strazimiri. Trupa e cirkut u rrit deri në 27 veta, akrobatë me eksperiencë dhe të rinj si Arian Losha, Nexhmije dhe Zenel  Banushi, Avni Pepa, vëllezërit  Zeneli etj. Trupa dha shfaqje në shtëpinë e Ushtarakëve, në Pallatin “Minatori etj., duke interpretuar numra cirku të vështirësisë së lartë dhe të nivelit të lartë artistik. Trajneri i këtij cirku Agron Strazimiri u trajnua një vit pranë Cirkut Kombëtar në Tiranë pranë mjeshtrave të mëdhenj Telat Agolli, Pavli Sallata etj., dhe në vitin 1984 me transferimin e tij në Peshkopi ngre që nga fillimi një trupë të re amatore në Peshkopi. Në Peshkopi trupa amatore e cirkut gjen mbështetjen e shefit të arsim – kuturës së rrethit Beqir Shehu dhe të shefit të KS “Korabi”  Bujar Labinoti. Stërvitja zhvillohej në palestrën e Gjimnazit “Sait Najdeni”. Numri i artistëve amatorë arrin në 19 vetë të moshave nga 5 – 35 vjeç. Në këtë trupë interpretuan artistë të talentuar dibranë si Emrush Halili, Jeton Batku, Agron Mandri, Inajet Tusha, Eugen Koka, Artur Trepça, Anjeza Pijaneci, Liljana Beluli, Anita Zeraliu, Tatjana Uka, Fitim Markja, Anila Hyka etj., të cilët realizuan ushtrime akrobatike dhe ushtrime force individuale dhe kolektive të nivelit të artistëve profesionistë.

Përsëri me rikthimin e Agronit në Bulqizë në vitin 1987, ringrihet grupi i akrobatëve të Bulqizës. Jepen disa shafaqje artistike. Vihen në skenë premierat: “Ju ftojmë në arenë”, “ Lartësi të reja” , “Ne bijtë e minatorëve” , “Variete” etj., ku interpretuan artistë me përvojë si Mimoza Lami, Adelina  Kasa në plastikë, Azem Teta dhe Skënder  Bala, kllounë, Maksim Torka, Baftjar Kultraga, Valentina  Balliu  në bamboo, Suzana Grica, Suzana Murra, akrobaci, Agron Strazimiri, akrobaci, zhongler, ekuilibër, Shpend Spahiu, xhongler, Eqerem Muça, Bashkim Luca, dhe Genti Strazimiri në tre shkallët etj. Gjatë vitit 1988 u dhanë 32 shfaqje cirku e variete në Bulqizë, Peshkopi, Ulëz, Laç, Mamurras, Rrëshen, Tiranë, në arenën e Cirkut Kombëtar etj. Këto shfaqje janë filmuar nga Televizioni Shqiptar dhe janë pasqyruar nga shtypi i kohës , nga Gazeta “Zëri i Popullit” e datës 10 gusht 1988, “Bashkimi” e datës  27 janar 1988, “Luftëtari “ e datës 9 qershor 1988, “Zëri i Rinisë” e datës 13 shkurt 1988, “Ushtima e Maleve” etj.

Kjo trupë ka dhënë  shfaqje në shumë njësi ushtarake të ushtrisë, në Shtëpinë  Qëndrore të Ushtrisë (SHQUP) etj. Në shumë shfaqje trupa shoqërohej nga këngëtari i mirënjohur Arif Vladi dhe humoristi Behar Mera.

Një mbështetje të veçantë ka dhënë  ish drejtori i minierës së Bulqizës Thanas Dede për pajisjen e trupës amatore të cirkut të Bulqizës  me materialet e nevojshme.

Pas kthimit nga specializimi në Cirkun Kombëtar,  Agroni bëri të mundur që në Bulqizë të jepet një shfaqje e përbashkët me Cirkun Kombëtar, shfaqjen  me titull “Shpërthime pranverore”, me regji  të Pavli Sallatës dhe Arjan Milukës, ku krahas artistëve të mëdhenj si Telat Agolli, interpretonin djemtë dhe vajzat e Bulqizës dhe të Dibrës Agron Strazimiri, Mimoza Lami , Valentina  Balliu, Suzana Murra, Gent Strazimiri,  Suzana Grica, Eqerem Muça etj. Shfaqja u ndoq nga kryetari i Këshillit të Qytetit  Qerim Tomja dhe nga qindra minatorë. Ajo vazhdoi për 5 ditë dhe netë  me rradhë sepse kishte shumë kërkesa dhe duhej bërë  edhe alternimi  i  turneve, në mënyrë që të ndiqej nga të gjithë  minatorët e turneve të dyta dhe të treta.

Trupa e cirkut amator të Bulqizës është  përfaqësuar në takimin  e talenteve të reja në rang kombëtar në vitin 1988, në 30 vjetorin e Cirkut Kombëtar  etj.

Pas viteve -90 Agroni  transferohet në Peshkopi dhe bashkë me të edhe pasioni e përkushtimi për cirkun, pa të cilin nuk jeton dot. Në vitin 1988 përsëri ngre trupën e cirkut të fëmijëve të qytetit të Peshkopisë  pranë QKF  (Qendrës Kulturore të fëmijëve). Në fillim Agroni punon pranë QKF si instruktor dhe më pas si përgjegjës i  sektorit të sporteve pranë këtij institucioni, por puna e tij mëse 35 vjeçare është trajner cirku. Dhe sukseset kanë vijuar. Në vitin 1999 në 40 vjetorin e Cirkut të Tiranës , në Durrës në vitin 2001, në Cirkun Kombëtar në maj të vitit 2003 dhe në vitin 2004 trupa amatore e cirkut të Dibrës  përfaqësohet si askush tjetër në Shqipëri. Dhe nuk kanë munguar edhe programet televizive  si në TVSH, TOP CH, etj.

Në shtator 2006 në shfaqjen televizive për fëmijë në TVSH   u dalluan për interpretim të bukur talentet e reja Rafaela Gazidede, Fabiola Neli, 6 vjeçari Andi Strazimiri, Presjada Kacani, Esmeralda  Zajmi, akrobatët e njohur Elvis Pira, Aurel Istrefi, Erglend Murrja, Xhevahir Çuku, Albi Murrja etj.

Shpesh herë kanë qenë të ftuar të Odës Dibrane. Në vitin 2005 ata kanë qenë të ftuar edhe të festivalit të humorit shqiptar në Vlorë. Por sukseset më të mëdha të kohëve të fundit kanë qenë në spektaklin “Ti vlen” ku trupa e Cirkut të Dibrës u shpall finalist i  këtij spektakli.

Kjo trupë është e kudondodhur, megjithsë vështirësitë që ka shfaqja në terren të hapur ajo ka dhënë shfaqje pranë fëmijëve të shkollave edhe në fshatra si në Maqellarë, Luzni, Tomin, Muhurr, Zall – Dardhë etj., në festat e abetares, në festat kombëtare , festën e Vitit të Ri etj.

Premierat  e fundit ishin “Ne pëllumbat e paqes” dhe “Fluturime akrobatike”  me shfaqje në të gjithë qarkun, në Peshkopi, Bulqizë, Klos e Burrel.

Kjo trupë ka lënë mbresat dhe gjurmët e veta në shumë qytete dhe veprimtari të Shqipërisë, si në Shkodër, në Festivalin Kombëtar të këngës për fëmijë në vitin 2007 dhe 2012, gjatë Karanvaleve të Shkodrës, 2013, në Durrës, Tepelenë etj.

Emra të rinj janë shtuar në përbërje të këtij cirku amator, që përsa i përket nivelit mjeshtëror dhe artistik  është njëlloj me  atë profesionist. Vlen të përmenden artistët e rinj Igli Paci, Engjëll Nikolli, Gani Basha, Aneta Xhiveshi, Rezart Strazimiri, Markela Çiku, Pajazit Tafa dhe më i vogli 5 vjeçari Nesti Keri që i kanë sjellë freski dhe vijimësi të sigurtë  kësaj trupe.

Me rastin e 50 vjetorit të ekipit të Futbollit “18 shkurti”  të Bulqizës me 21 shkurt 2015 kjo trupë dha shfaqje në qytetin ku pati fillimet e veta, në qytetin minator të Bulqizës dhe u prit me duartrokitje të zjarrta.

Trupa  amatore e cirkut dibran i  ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Ajo ka dhënë shfaqje në Maqedoni, në Kosovë dhe në në Mal të Zi.

Shembulli i kësaj trupe dhe i trajnerit  të saj Agron Strazimiri  është  frymëzues dhe tregon se çfarë mund të arrihet si individ  dhe si kolektiv , kur ka punë, pasion, përkushtim, kur talenti nuk  vyshket, por zhvillohet në favor të shoqërisë në tërësi.

 

 

 

 

Please follow and like us: