Cikël me epigrame nga Viron Kona
Lojë
Liderët thonë politika është lojë,
shah, kukafshehtas, ngriva-shkriva,
të drejtë kanë, për mbretërit lojë është,
se ata që e pësojnë janë me mijëra.
Kalorësi dhe kali i tij
Nëse tregohesh më i vëmendshëm,
dhe i vlerëson gjërat me mprehtësi,
kupton se ai që po të tërheq frerin,
është kalorësi. Ti je kali i bindur i tij.
Një çakall vesh ngrehur pret
Hap sytë kur t`kalosh rrugën,
gjarpri të del në çdo shteg,
dhelpra pëshpërit me ujkun,
një çakall vesh ngrehur pret.
Kjo botë qenka e çuditshme,
për dikë e keqe, për dikë e mirë,
s`gjen qetësi, lëviz pareshtur,
n`gjysmë dritë, n`gjysmë errësirë.
Përrua në vërshim
Ikin vitet porsi re,
ca si pupla, ca me shi,
ca me krisma vetëtimash,
ç`pate që erdhe pleqëri!?
Vitet jo, or jo nuk mbahen,
as me kavo, as me zinxhir,
ikën jeta, miku im,
si një përrua në vërshim.
Ndaj një gjurmë dhe ne ta lëmë,
qoftë një dritëz në errësirë,
kur t`na përcjellin për ne të thonë:
Lamtumirë, o njeri i mirë!