Albspirit

Media/News/Publishing

Jacques Attali: Ja protestuam! Po pastaj, çfarë?

Në këtë botë të çmendur, kaotike, të dhunshme e të pasigurtë, ku një numër i pafund parametrash ndërhyjnë e krijojnë një situatë, vazhdimisht të paqëndrueshme e të pasigurtë, shumica e njerëzve kanë hequr dorë në parashikimin e gjërave. Dhe në veçanti, është e vështirë të parashikohet rezultati përfundimtar i demonstratave aktuale në vende të ndryshme, si në Francë, Algjeri apo Venezuelë.

Së pari, e para e atyre vendeve, Franca është një demokraci. Ndonëse Franca ka shumë mangësi, sërish ajo mbetet padyshim një demokraci; ndërsa dy vendet tjera, Algjeria dhe Venezuela, nuk janë demokratike. Për këtë arsye, kjo duhet të çojë në rezultate rrënjësisht të ndryshme: Në një demokraci, qëllimi i një demonstrate nuk është domosdoshmërisht rrëzimi i një qeverie.

Në Francë, zgjidhjet përballë demonstratave janë së pari zgjedhjet, në datat e përcaktuara. Dhe është detyrë e qeverisë franceze që të krijojë kushtet në mënyrë që të përgatitet për rezultatet e “debatit të madh”. Kjo duhet të bëhet pa frikën e zhgënjimit, sepse ne e dimë që tani se reagime do të ketë, pavarësisht se çfarë vendimesh do të shpallen: disa do t’i duartrokasin, të tjerë do të ngrenë zërin për të thënë se kjo nuk mjafton, ndërsa ka edhe të tjerë që do të thonë se vetëm zgjedhjet e reja presidenciale ose një ndryshim i kushtetutës do të kënaqte oreksin e tyre për pushtet. Të gjitha këto janë të parashkruara të ndodhin dhe nuk duhet të ndikojnë në gatishmërinë e një qeverie legjitime për zbatimin e politikave për të cilat është zgjedhur.

Më lejoni të jem i qartë: Shumë aspekte të programit të kësaj qeverie nuk më shkojnë për shtat. Në gjykimin tim, politikave të saj u mungojnë shumë komponentë të drejtësisë sociale, mjedisore. Por megjithatë, kjo qeveri është zgjedhur në mënyrë legjitime; asaj i është besuar zbatimi i politikave të saj. Dhe nëse do të bënte ndryshime në përgjigje të zemërimit të ligjshëm, që është shprehur gjatë muajve të fundit, kjo do të ishte gjë edhe më e mirë.

Ndryshe nga kjo, në një diktaturë, protestat në rrugë mund dhe duhet ta përmbysin regjimin dhe vendosin demokracinë. Kjo duhet të ndodhë, por shumë rrallë rezulton e suksesshme.

Pikësëpari, duhet të mos harrojmë që në të shumtën e rasteve, nuk ka qenë rruga ajo që ka çuar në rrëzimin e diktaturës: nuk ishte rruga ajo që çoi në fundin e Bashkimit Sovjetik, por vendimet e Gorbaçovit. Nuk ishte rruga që i dha fund diktaturës hitleriane, por ushtritë aleate të kohës.

Duhet të mos harrojmë gjithashtu se kur protestat në rrugë, apo ushtritë e huaja u kanë dhënë fund diktaturave, kjo mund të ketë çuar në situata edhe më të rënda, siç ka qenë rasti i Egjiptit, Irakut dhe Libisë. Dhe, më herët, në Europën Lindore, kur Stalini zëvendësoi atje Hitlerin.

Si përfundim, pavarësisht nëse demonstratat ndodhin në një demokraci, apo diktaturë, rezultatet janë të kënaqshme kur ata që kanë pushtetin, apo ata që marrin pushtetin, kanë një ide të qartë realiste dhe demokratike se çfarë duhet të bëhet për t’iu përgjigjur zemërimit të popullit të tyre, por duke respektuar edhe pikëpamjet e pakicës.

Dhe shumë revolucione kanë dështuar, pasi ambicia e tyre e vetme ka qenë vetëm largimi i një tirani. Për këtë arsye, është urgjente që kudo ku është grumbulluar zemërim në këto momente (dhe vetëm pak vende përjashtohen aktualisht nga kjo), të përgatitet një përgjigje demokratike, koherente dhe gjithëpërfshirëse ndaj këtij zemërimi, pa harruar sfidat afatgjata, që në fakt janë shumë rrallë objekt i demonstratave. Ne do të mund t’i përballonim seriozisht sfidat lidhur me klimën globale kur demonstratat e mëdha do të akuzonin kompanitë ndotëse, sindikatat që e shpërfillin faktin e kësaj ndotjeje dhe qeveritë që nuk duan t’ia dinë për këtë. Për më tepër, këto sfida do të përballohen kur ata që aspirojnë të qeverisin e bëjnë këtë në emër të brezave të ardhshëm. Por kemi ende rrugë të gjatë për të bërë.

Please follow and like us: