Aktivistja iraniane dënohet me 7 vjet burgim; burri i saj thotë se u dënua me 33 vjet
Një gjyqtar në Gjykatën Revolucionare të Teheranit i tha agjencisë së lajmeve ISNA se Sotoudeh u dënua me pesë vjet për “komplot kundër sistemit” dhe dy vjet për “fyerjen” e udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Megjithatë, bashkëshorti i Sotoudeh, Reza Khandan, i tha Radios Evropa e Lirë se asaj i është thënë më 9 mars se është dënuar me 33 vjet burgim dhe 148 goditje me kamzhik për akuzën e dytë.
Sotoudeh, bashkëfituese e Çmimit Saharov për lirinë e mendimit më 2012, është arrestuar në qershor të vitit të kaluar dhe është urdhëruar të vuajë një dënim pesëvjeçar, i cili i është shqiptuar në mungesë në vitin 2016.
Grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Qeveria amerikane dhe Parlamenti Evropian e kanë dënuar arrestimin e avokates, e cila në vitin 2018 ka përfaqësuar disa gra të ndaluara për heqjen e shamive të tyre në publik – veprim ky i ndaluar me kodin islamik të Iranit.
Sotoudeh i ka mohuar akuzat kundër saj./rel