Dokumenti i tmerrshëm/Gjurmimi i fshehtë i Eqrem Çabejt nga Sigurimi, emrat e 24 operativëve dhe 15 bashkëpunëtorëve
Kastriot Dervishi
Eqrem Çabej (1907-1980) ishte njëri ndër intelektualët e shquar të shkolluar në Perëndim, i cili u ndoq në mënyrë të fshehtë prej Sigurimit të Shtetit për një kohë relativisht të gjatë. Në mënyrë të koncentruar, e të thjeshtësuar, më poshtë një përmbledhje të dhënash që lidhen me gjurmimin e studiuesit të njohur shqiptar.
Arsyet e përndjekjes së prof. Çabejt
- Arsimimi në Austri. Ndiqej si “agjent i mundshëm gjerman” dhe “aktivitet kundërshtar antipopullor”.
- Si vëlla i Selaudin Çabejt, ish komandanti i xhandarmërisë dhe nënprefekt, vrarë më 25 janar 1944 në Kosovë.
- Si vëlla i Xhemiles, gruas së ish prokurorit Selim Damani, një prej drejtuesve të Legalitetit në mërgim.
Kategoritë e gjurmimit
Koha e saktë e kontrollit të parë operativ 2B ndaj Çabejt nuk dihet. Besohet se mund të jetë e viteve 1948-1952. Më parë, mund të ketë qenë pjesë e ndonjë fashikulli informatash. Reparti nr.2011 (ose Dega e 2-të) i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, që merrej me mbrojtjen e pushtetit, organizatat “tradhtare” (Balli e Legaliteti), etj, regjistroi përpunim aktiv 2A më 6.10.1952. U propozua nga operativi Taip Rada, u pëlqye nga shefi i seksionit Koli Shuke dhe u miratua nga komandanti i repartit nr.2011, Rasim Dedja. Në arsyetim, shënohej se i përmenduri e urrente shkencën sovjetike, se ishte “një element mjaft inteligjent, me një kulturë të gjerë dhe eksponent i dorës së parë për reaksionin”. Plani përkatës kishte në vëmendje banesën, legatat, Bibliotekën Kombëtare, qendrën e punës, etj. Oficeri i Sigurimit Koli Shuke, me profesion rrobaqepës, drejtonte përpunimin agjenturial-operativ. Për çudi, një tjetër rrobaqepës në profesion Llazar Karafili, vijoi këtë përpunim nga Sigurimi. U hartuan 7 plane masash, shto edhe një të veçantë special. Në vitet 1953-1956 përpunimi vazhdoi nga Dega e 3-të e Sigurimit të Shtetit. Në vitet 1956-1966 përpunimin e ndoqi Dega e 2-të e drejtorisë në fjalë. Pas 6 vitesh, më 25.10.1958, përpunimi u kthye në kontroll operativ 2B.
Në raport thuhej se gjatë përpunimit “nuk ka dalë ndonjë gjë interesante rreth tij me përjashtim të pakënaqësive dhe komentimeve në disa raste të situatës ndërkombëtare që ka bërë në favor të imperialistëve”.
Më 24.10.1963 dosja arkivohet në Degën e 4-t të Drejtorisë së Dytë të Sigurimit të Shtetit. Raportimet vijuese kanë çrregullsi. Gjatë kësaj kohe, “Jaku” dhe “Moli” janë dy intelektualët kryesorë që raportojnë për Çabejn. E fundit është e datës 27.6.1978. Çabej ndërroi jetë më 13.8.1980, ndërsa më 16.1.1981 Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë mori vendimin e arkivimit të dosjes si me vlerë historike (mund të kishte marrë edhe vendim asgjësimi). Për “agjentin e mundshëm gjerman” nuk kishte dalë asgjë.
Lista e punëtorëve operativë që kanë drejtuar përpunimin ose kanë marrë pjesë në të
- Taip Rada (1952)
- Koli Shuke (1952)
- Laze Dane (1952-1953),
- Todo Gusho (1953, 1955)
- Raqi Zavalani 1953
- Llazar Karafili (1953-1956)
- Kosta Goce (1955)
- DhimitërLazri (1956-1958)
- Koli Sollaku (1957)
- Gaqo Pema (1957)
- Koli Miti (1958)
- Qirjako Prokopi (1960-1961)
- Kadri Gojashi (1961-1962)
- Mustafa Kondo (1962)
- Dhimitër Lazri (1962-1963)
- Thanas Bare (1962)
- Gaqo Pema (1962)
- Qirjako Prokopi (1963)
- Shefik Hasku (1969)
- Vasil Shiko (1970)
- Ropi Postoli (1970-1973)
- Miti Teneqexhiu (1971)
- Llambi Jano (1973)
- Astrit Mataj (1975).
Lista e kryetarëve të degëve të drejtorisë së kundërzbulimit që ndiqnin përpunimin në periudhën më kryesore
- Rasim Dedja 1952 – 1953,
- Jashar Kasimati 1953 – 1955,
- Halim Xhelo 1955 – 1956,
- Filat Muço 1956-1962,
- Sotiraq Zavalani 1962-1964.
-Lista e bashkëpunëtorëve:
- “Tisi”,
- “Prurësja”,
- “Gjevreku”,
- “Aeroporti i Tiranës”,
- “Fasule Korçës”,
- “Kala”,
- “Taraboshi”,
- “Droja”,
- “Shigjeta”,
- “Dhelpëria”,
- “Therepelesi”,
- “Edija”,
- “Jaku”,
- “Çajupi”,
- “Moli”.