Albspirit

Media/News/Publishing

Gardianët e Izraelit shikojnë larg

Shërbimet sekrete e shtetit hebraik kanë një vizion afatmesëm dhe afatgjatë, shpesh në konflikt me nevojat taktike të politikës. Pesha e industrisë së luftës. Lidhja me Shtetet e Bashkuara nuk është përgjithmonë.

Deep State izraelian ka lindur më përpara shpalljes zyrtare të shtetit hebraik, me kalimin e mesnatës së 14 majit 1948. Bile shteti i sotëm i Izraelit është një krijesë e Deep State. Kanë qenë strukturat gjysmështetërore të Yishuv, komunitetit hebraik të emigruar në Palestinën e atëhershme nën mandatin britanik, ato që kanë prganizuar luftën për pavarësi nga Britania e Madhe dhe menaxhuar fazën e parë të luftës arabo – izraeliane të vitit 1948. Kanë qenë edhe po këto ente ato që janë transformuar me shpejtësi në insittucionet zyrtare e shtetit të sapolindur të Izraelit në kulm të emergjencës luftarake, nën drejtimin e liderit laburist dhe të Kryeministrit David Ben-Gurion. Midis komponentëve të Yishuv që do t’u japin jetë artikulimeve të ndryshme të Deep State izraelian janë Haganà, milicia e vetëmbrojtjes, nga e cila do të lindin forcat mbrojtëse izraeliane, domethënë forcat e armatosura, të njohura më mirë si Tsahal; nga Shai (Sherut modiin, Zyra e Informacioneve), shërbimi i inteligjencës përpara pavarësisë, do të formohen Shin Bet (Sherut ha-bitakon ha-klali, Shërbimi i Sigurisë së Përgjithshme) dhe Aman (Agaf ha-modiin), inteligjenca ushtarake. Mossadi i sotëm ka lindur në fakt mbi bazën e Zyrës Arabe e Departamentit Politik të Agjencisë Hebraike dhe të Mossad le-Aliyah Bet, Institutit për Emigracionin Klandestin, që kishte detyrën të sillte në Palestinë hebrenjtë e mbijetuar holokaustit, duke i shpëtuar survejimit të Marinës dhe të Ushtrisë së Madhërisë së Tij. Institucionet e Yishuv, ashtu si ato të shtetit për 30 vitet e para të jetës së Izraelit, janë dominuar nga Partia Laburiste, e cila kishte kontrollin e plotë të asaj që mund ta quajmë komponentja civile e Deep State. Bëhet fjalë për kooperativat ekonomike, për lëvizjen e kibutzëve, të sindikatës së fuqishme qendrore (Histadrut) që do të karakterizojnë ekonominë e markës socialiste në dekadat e para të Izraelit, por që e kanë humbur rëndësinë e tyre me kthesën neoliberiste të realizuar pas fitores së Partisë Likud në vitin 1977.

Në fillimvitet ’50, Mossadi ka integruar megjithatë në radhët e tij disa komponentë të së djathtës sioniste, në mënyrë të veçantë anëtarët e Lehi (e quajtur nga anglezët Banda Stern nga emri i themeluesit të saj), përgjegjëse veç të tjerash për vrasjen e ndërmjetësuesit të Kombeve të Bashkuara, Folke Bernadotte, Kontit Wisborg. Midis ish anëtarëve të Lehi ishte Kryeministri i ardhshëm Yitzhak Shamir, që integroi Mifratz, njësinë e parë operative të Mossadit, e ngarkuar që të kryente vrasje, rëmbime dhe sabotime jashtë vendit. Në këtë mënyrë, Deep State ka kontribuar që të shërohet fraktura midis krahut laburist dhe atyre minoritare të lëvizjes sioniste. Krizë e shënuar nga momente dramatike, të simbolizuar nga mbytja e “Altalena”, anijes të ngarkuar me njerëz dhe armë e marrë me qira nga Irgun, lëvizja e kryesuar nga Menachem Begin, që u sulmua nga Ben-Gurion pasi krerët e organizatës nuk i nënshtroheshin autoritetit të tij.

Deep State izraelian përbëhet nga Forcat e Armatosura (IDF), nga komuniteti i inteligjencës, nga Autoriteti për Energjinë Atomike, nga kompleksi ushtarako – industrial dhe nga komponente të tjera të rezervuara, si për shëmbull shumë sekreti institut në Nes Tziona ku kryhen kërkime lidhur me luftën kimike dhe biologjike. Edhe pse në mënyrë informale, në të bëjnë pjesë dhjetëra ndërmjetësuesit që promovojnë shitjet jashtë vendit e produkteve të sofistikuara të industrisë luftarake izraeliane. Forcat e Armatosura përbëhen nga një bërthamë oficerësh dhe nënoficerësh profesionistë që inkuadrojnë rekrutë dhe rezervistë. Shërbimi ushtarak është i detyruar për meshkujt dhe femrat jo të martuar. Me mbarimin e shërbimit ushtarak, meshkujt integrohen në rezervë dhe mund të thirren në shërbim për stërvitje periodike apo në rast emergjence.

Kjo bën që midis kuadrove të ndërmjetëm të ketë persona që jetojnë si civilë, por që shpesh thirren të operojnë në gjirin e njësive ushtarake të rëndësishme, si repartet e Aviacionit apo të inteligjencës ushtarake. Në këtë mënyrë, Deep State izraelian ka një lidhje direkte me shoqërinë civile izraeliane, në ndryshim nga çka ndodh në vende të tjera ku burokracia e lartë dhe drejtuesit ushtarakë e të inteligjencës jetojnë të ndarë nga pjesa tjetër e shoqërisë. Drejtuesit ushtarakë izraelianë, ashti si ata të inteligjencës, shpesh pasqyrojnë tensionet që përshkojnë shoqërinë civile. Komandat e larta ushtarake dhe ato të inteligjencës e kanë shprehur gjithmonë opinionin e tyre përpara drejtuesve politike, porn ë përgjithësi janë treguar respektues të parimit se është politika ajo që komandon ushtrinë. Por ka të paktën dy raste në 20 vitet e para të ekzistencës së Izraelit ku Deep State ka ushtruar të gjithë peshën e tij duke shkaktuar një kthesë vendimtare në politikë.

Në vitin 1955 skandali Lavon minoi shpresat e “pëllumbit” Moshe Sharett për të arritur një marrëveshje me Egjiptin, duke hapur rrugën për rikthimin e Ben-Gurion si Kryeministër dhe në vitin 1967 drejtuesit ushtarakë dhe të inteligjencës e shtynë një Levi Eshkol ngurrues që t’i sulmonte i pari ushtritë arabe në rrugën e mobilizimit, sipas planeve të përgatitura me kujdes prej kohësh. Më vonë, sipas interpretimeve dashamirëse ndaj Begin, Ariel Sharon kishte vendosur në autonomi të plotë, duke e gënjyer vetë Kryeministrin e tij, që ta shtynte Tsahal deri në portat e Bejrutit gjatë Operacionit “Paqe në Galilela” më 1982. Por kohët e fundit janë shfaqur fraktura midis drejtimit politik dhe eksponentëve të rëndësishëm të Deep State lidhur me strategjinë që duhet adoptuar ndaj Iranit dhe palestinezëve.

Meir Dagan, një prej krerëve legjendarë të Mossadit, e kishte vendimin e Kryeministrit Netanyahu, i mbështetur nga Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Ehud Barak, për të sulmuar impiantet e programit bërthamor iranian si «ideja më idiote që kam dëgjuar ndonjëherë». «Kundërshtimi i Dagan, ashtu si presionet e forta të ngjashme të ushtruara nga drejtuesit ushtarakë dhe të shërbimeve të tjera të inteligjencës, e shtrënguan që ta shtyjë në mënyrë të përsëritur sulmin ndaj Iranit», shkruan Ronen Bergman në librin e tij kushtuar vrasjeve të përcaktuara izraeliane, që zbulon sesi Dagan u shty që t’ia referojë Drejtorit të atëhershëm të CIA-s Leon Panetta planet e sulmit izraelian. Administrata Obama ushtroi në atë kohë presione të forta për t’i bllokuar ambicioet luftarake të Bibi Netanyahu.

Dagan nuk ishte aspak pacifist, përkundrazi. Si ish ushtarak dhe njeri i inteligjencës kishte hartuar një kuadër të kthjellët të pasojave të një sulmi ndaj impianteve bërthamore iraniane, që paraqiste në vetëvete rreziqe të konsiderueshme në ekzekutimin e tij dhe se do t’i ngadalësonte, por nuk do t’i bllokonte përfundimisht projektet atomike e Republikës Islamike. Bile, sipas Dagan, sulmi izraelian do t’i ofronte drejtruesve iranianë pretekstin për t’u pajisur me bombën atomike. Kurse Izraeli është gjendur i izoluar përballë aleatit amerikan dhe opinionit publik ndërkombëtar, pa llogaritur që Irani do të mund të përgjigjej duke përdorur më shumë se 100000 predha dhe raketa që supozohej se ishin në posedim të Hizballahut në Liban. Opinioni i një prej drejtorëve më jetëgjatë në drejtimin e Mossadit pranohej edhe nga eksponentë të tjerë të rëndësishëm të Deep State izraelian të sigurisë, përfshi Yuval Diskin, Drejtor i Shin Bet, dhe Gabi Ashkenazi, Shef i Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas asaj që dalë deri më tani, në periudhën midis viteve 2009 e 2011, i mbështetur nga Ministri i Mbrojtjes i tij Barak, Netanyahu kishte filluar përgatitjet për të sulmuar impiantet bërthamore iraniane, pavarësisht kundërshtimit të prerë të drejtuesve ushtarakë dhe të inteligjencës. Në fund, planet e sulmit u ndaluan përfundimisht nga Presidenti i atëhershëm Shimon Peres. Vetoja e vendosur nga Peres, një prej baballarëve të programit bërthamor zraelian dhe në atë kohë eksponenti i vetëm i gjallë i bërthamës fillestare të Deep State aktual, thjeshtëzon tensionet që përshkonin establishmentin izraelian të sigurisë. Edhe Netanyahu dhe Barak (oficeri më i dekoruar në historinë e Izraelit) vijnë nga aristokracia e mbrojtjes, duke qenë se kanë milituar të dy në të famshmin Sayeret Matkal, një prej tri reparteve elitë të forcave speciale të Tsahal, drejtpërsëdrejti i lidhur me Shtabin e Përgjithshëm të Mbrojtjes dhe protagonist misionesh të paharrueshme, si Operacioni “Pranvera e Rinisë” (sulmi kundër lidershipit të OÇP-së në Bejrut në vitin 1973, ku Barak mori pjesë i veshur si grua) dhe në vitin 1976 çlirimi i pengjeve të fluturimit Air France Tel Aviv – Paris, i drejtuar për në Entebbe të Ugandës, në të cilin humbi jetën Yonathan Netanyahu, vëllai i Bibi Netanyahu.

Por si Bibi, ashtu edhe Ehud, e kishin marrë prej kohësh rrugën e politikës dhe konsiderata të karakterit electoral përveç ambicieve personale hynë në kalkulimet e veprimit të tyre. Peres, që nuk ka qenë kurrë ushtarak dhe ishte tashmë në përfundim të karrierës së tij politike, bëri të tijat objeksionet e aparateve ushtarake e të sigurisë dhe ndaloi ambiciet luftarake të Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes. Në fund të jetës së tij Dagan, që prej vitesh kishte besuar fuqimisht se mënyra më e mirë për zgjidhjen e konfrontimit arabo – izraeliane ishte ai i «heqjes së arabit nga koka e tij», ka kuptuar se vrasjet e shënjestruara të lidershipit kundërshtarë janë instrumenta taktikë, jo strategjike, që i japin establishmentit izraelian iluzionin se mund ta ruajë përgjithmonë statuskuonë.

Dagan kishte frikë se mos Izraeli përfundonte njëlloj si regjimi jugafrikan i aparteidit dhe se mos shteti hebraik i gjunjëzohej përçarjeve të tij të brendshme. Ndryshimi në drejtimin e Mossadit në janarin e 2011, nëpërmjet zëvendësimit të Dagan me Tamir Pardo, nuk e ka zbutur kundërshtimin e Deep State ndaj një sulmi eventual kundër Iranit. Bile Pardo ka lënë të kuptohet se nuk është krejtësisht kundër marrëveshjes lidhur me bërthamoren iraniane të arritur më 2015 dhe i hedhur poshtë këtë vit nga Donald Trump. Në daljen e tij të parë publike pas dorëheqjes nga Mossadi (janar 2016), Pardo e ka ashpërsuar fjalën, duke pohuar se kërcënimi i vërtetë ekzistencial për Izraelin nuk është Irani, por përçarjet në gjirin e vetë shoqërisë izraeliane. Duke folur në një ceremony në nderim të ushtarëve druzë të rënë në very të Izraelit, ish Drejtori i Mossadit ka pohuar se «përçarjet e brendshme mund të çojnë në luftë civile». Ka nënvizuar edhe se pa zgjidhjen e çështjes palestineze nuk do të ketë kurrë një normalizim të vërtetë të raporteve me shtetet arabe.

Konsideratat e Dagan dhe të Pardo nuk janë aspak të izoluara. Në dokumentarin “The Gatekeepers” (Gardianët e Izraelit) të Dror Moreh, i dalë në vitin 2012, 6 ish drejtorë të Shin Bet pranojnë se pushtimi i Territoreve Palestineze minon shpirtin e Izraelit. Duke u ankuar për rastin e humbur të procesit të nisur në Oslo, Ami Ayalon pranon: «Nuk luhej pastër nga palestinezët dhe as nga izraelianët. Ne donim sigurinë dhe kemi pasur më shumë terrorizëm. Ata donin një shtet dhe kanë fituar më shumë kolonë. Kur kemi filluar takimet e Oslo, në periudhën 1993 – 1994, 100000 kolonë jetonin në Cisjordani dhe në Gaza, pa llogaritur periferinë e re të Jeruzalemit. Në fund të procesit, 6 – 7 vite më pas, në verën e 2000, kur marrëveshja u prish, ishin më shumë se 220000 kolonë. (…) Ishte e qartë se po shkonim drejt një Intifade të re. Një fazë tjetër dhune nga ana e një grupi, e një shoqërie, e një kombi, që ndjente se nuk kishte asgjë për të humbur».

Ish drejtorët e Shin Bet ua atribuojnë politikanëve mungesën e perspektivës dhe të kurajës në kërkimin e paqes me palestinezët. «Shikohet ky boshllëk, kjo mungesë iniciative, vullneti për t’i bërë gjërat të ndjekin rrjedhën e tyre, pa ndërhyrë dhe pa e kuptuar se është shkuar shumë përtej», ankohet Yaakov Peri. «Nuk bëhet paqe duke përdorur mjete ushtarake. Paqja arrihet duke ndërtuar një sistem besimi reciprok. Dhe duke i njohur mirë palestinezët, mendoj se nuk do të kishte probleme ta ndërtonim bashkë me ta», thotë Avi Dichter. Yuval Diskin deklarohet plotësisht dakord («secila prej këtyre fjalëve është e gdhendur në gur») lidhur me parashikimin që bëri Profesor Yeshayahu Leibowitz në vitin 1968, sipas të cilit pushtimi izraelian i territoreve të sapopushtuara do të çojë në lindjen e një «shteti të Shin Bet» dhe se korrupsioni burues nga gjendja e pushtuesve do ta dobësojë vetë Izraelin. «Jemi bërë mizorë ndaj vetes tonë, por sidomos ndaj popullsisë së Territoreve të Pushtuara, me pretekstin e luftës kundër terrorizmit», i bën jehonë Avraham Shalom. «Çfarë është fitorja?», pyesin gjithnjë e më shumë eksponentët e aparatit mbrojtës të Izraelit, midis të cilëve bën rrugë vetëdija e fitimit të çdo beteje, por e humbjes së luftës, domethënë se nuk arrihet të krijohet një situatë më e mirë dhe më e qëndrueshme për Izraelin.

Por këta zëra kritikë të «sigurokratëve» të ndryshëm që akuzojnë politikën se do t’i bashkangjitet një kompromisi me palestinezët nuk e fshijnë përgjegjësinë e vetë Deep State izraelian që ka kontribuar në krijimin e këtij ngërçi. Bile studiues si Patrick Tyler u atribuojnë shërbimeve sekrete një rol vendimtar në bllokim e çdo mundësie për marrëveshje paqeje. Deep State duket se ka si strategji të vetme të vërtetë atë të ruajtjes dhe, po qe e mundur, të rritjes së avantazhit ushtarak izraelian ndaj kundërshtarëve të mundshëm. Pavarësisht zërave mospërputhës në rritje të eksponentëve autoritarë të tij, nuk është në gjendje që të shprehë një vizion që t’i mundësojë shtetit hebraik të jetojë në paqe me palestinezët. Sado e rafinuar, taktika nuk mund ta zëvendësojë strategjinë. Kësaj i shtohen interesat e lidhura me kompleksin ushtarako – industrial, që për të favorizuar eksportet e armëve bën gjithçka për t’i etiketuar produktet e veta si «combat proven by IDF» («testata luftarake të provuara nga forcat e Forcat e Armatosura të Izraelit»). Sigurisht që nuk është një rrugë për paqen.

Nga ana tjetër, qëllimi themelor i Deep State izraelian është siguria e Izraelit (ha-Bitachon), besimi laik në kuptimin e vërtetë të fjalës i shtetit hebraik, të cilit i nënshtrohet gjithçka. Vetë diplomacia, teorikisht në varësinë e Ministrisë së Jashtme, shpesh është manipuluar nga manovrat e organizmave të university të mbrojtjes e të sigurisë. Për shembull, raportet me shtetet që nuk e njohin Izraelin menaxhohen nga Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë i Mossadit, i njohur si Tevel («Univers»). Ky organizëm nuk kufizohet që të koordinojë raportet midis shërbimit izraelian dhe atyre të huaja, por shpesh thirret që të luajë një rol me rreze më të gjerë, duke çelur kanale komunikimi me shtete arabe dhe islamike (për shembull, Indonezia) që zyrtarisht nuk duan të kenë të bëjnë aspak me Izraelin.

Shpesh regjimet e këtyre vendeve janë viktima të mitit që vetë ata ushqejnë ndaj Izraelit dhe lobit hebraik (ose, më mirë, izraelian) amerikan, sipas të cilave politika e jashtme e Uashingtonit vendoset në Jeruzalem. Duke ju afruar, megjithëse në mënyrë sekrete, shtetit hebraik, drejtuesit e disa prej këtyre vendeve besojnë të fitojnë ose t’i rrisin favoret e Shteteve të Bashkuara ndaj tyre. natyrisht, përgjegjësit izraelianë nuk bëjnë asgjë për ta ndryshuar opinionin e tyre. Diplomacia sekrete e menaxhuar nga Mossadi përdor edhe shitjen e armëve e të produkteve të teknologjisë së lartë made in Israel për t’i thelluar marrëdhëniet me shtetet që nuk e njohin Izraelin ose për t’u hapur të reja. Raportet tregëtare midis Izraelit dhe disa shtete të Gjirit janë tashmë një sekret i ditur, aq e vërtetë sa që në vitin 2014 e përditshmja izraeliane “Haaretz” ka zbuluar ekzistencën e një fluturimi driekt, megjithëse të rezervuar për bak biznesmenë të zgjedhur, midis Tel Aviv dhe një «vendi të Gjirit» jo të specifikuar mirë.
Midis referentëve informalë të Deep State izraelian janë qindra ndërmjetës, gjuetarë aferash, trafikantë në kuptimin e vërtetë të fjalës që punojnë për vete ose për llogari të industrive të ndryshme izraeliane, disa nga më të rëndësishmet janë akoma me pronësi shtetërore. Kështu, diplomacia sekrete shpesh ngatërrohet me aktivitetet tregëtare e subjekteve opake, edhe pse të mirënjohur pasi në pjesën më të madhe vijnë nga mjedise ushtarake apo inteligjence, duke gjeneruar rrezikun që interesat e palëve të mbizotërojnë ndaj atyre të shtetit. Për shembull, disa shoqata izraeliane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë protestuar për shitjen e armëve si ndaj shteteve të dështuara të zënë nëluftë civile, ashtu edhe regjimeve repressive si ai birman apo deri skuadrave paraushtarake ukrainase të markës neonaziste, duke nënvizuar se këto shitje, për të ardhura ekonomike deridiku modeste, dëmtojnë imazhin e shtetit hebraik. Në raste të veçanta, aparatet e sigurisë dhe industria luftarake izraeliane shohin në marrëdhëniet me disa shtete mënyrën për të rritur forcën e shtetit hebraik.

Është rasti i marrëdhënies strategjike të nisur në gjysmën e dytë e viteve ’70 me regjimin jugafrikan të aparteidit, që i ka mundësuar kompleksit ushtarako – industrial izraelian jo vetëm të gjejë një treg shfryrës për produktet e tij, por sidomos resurset për të financuar, të paktën pjesërisht, programet raketore dhe bërthamore tejet strategjike. Në këtë rast, Deep State izraelian ka hyrë në marrëdhënie të ngushtë me homologun e tij jugafrikan, duke menaxhuar operacione me rreze të gjerë në fushën e inteligjencës, të trafiqeve të naftës, të armëve dhe të teknologjive në përdorim të industrive luftarake respektive, dhe duke kryer kërkime në fushën raketore dhe bërthamore.

Marrëdhënia me Afrikën e Jugut, me role të përmbysura, të kujton atë midis shtetit të atëhershëm të sapolindur të Izraelit dhe Francës së Republikës të IV-ët, ku një Shimon Peres i ri farkëtoi aftësitë e tij në fushën e diplomacisë sekrete. Një marrëdhënie nën shenjën e bërthamores, që është ndjekur për disa kohë edhe pas lindjes së Republikës të V-të. Pavarësisht vetos së Charles de Gaulle, industritë franceze u qëndruan kontratave të nënshkruara dhe i dhanë Izraelit një impiant për nxjerrjen e plutoniumit nga karburanti bërthamor i «djegur» në centralin e Dimona, përveç raketave Jericho I, raketat e para balistike e arsenalit bërthamor izraelian. Kjo ngjarje thjeshtëzon atë sesi një Deep State mund t’u shmanget urdhërave të një lidershipi politik, megjithëse i fortë dhe prestigjioz si ai i Gjeneralit de Gaulle.

Një rast i veçantë është tentativa e ndërmarrë në vitin 1992 nga Ministria e Jashtme për të krijuar një kanal me regjimin koeranoverior, më pas e ndaluar nga Mossadi. Diplomatët izraelianë kuptuan se misioni i tyre ishte bllokuar kur panë të hipë në të njëjtin fluturim nga Pheniani në Tokio Ephraim Halevi, Zëvendësdrejtori i atëhershëm Mossad. Ky i fundit po vepronte pas presionit amerikan apo në fakt donte të ruante ekskluzivitetin e një marrëdhënieje me regjimin koreanoverior të hapur nëpërmjet kanalesh paralele? Edhe marrëdhënia komplekse me Turqinë menaxhohet nga Deep State izraelian, që lidhet me atë turke, edhe pse Erdogan duket tashmë se e ka çmontuar Deep State fillestar kemalist, i ndërtuar fillimisht me ndihmën amerikane dhe të lëvizjes së Fethullah Gülen, dhe duket se ky i fundit ka ndërtuar Deep State e tij. Së fundi, guri i themelit mbetet marrëdhënia shumë e ngushtë me Deep State amerikan, në artikulimet e ndryshme të tij, ushtarake, të inteligjencës dhe industriale, e çimentuar nga dhënia e të drejtave për blerjen e armëve amerikane. Në debatin që i ka paraprirë marrëveshjes së fundit të nënshkruar me administratën Obama në shtatorin e 2016 janë ngritur zëra kritikë, si ai i gjeneralit në rezervë Gershon Hacohen, sipas të cilit Izraeli duhet ta reduktojë varësinë e vet nga Uashingtoni dhe jo ta rrisë. Shenjë se në Deep State izraelian po fillon të shfaqet vetëdija se politika amerikane në Lindje të Mesme mund të ndryshojë. Do të jetë i aftë atëhere Izraeli të rinovohet duke ndjekur indikacionet e ekspertëve të tij gjeopolitikë më të ndriçuar?/Limes Përgatiti: ARMIN TIRANA/

Please follow and like us: