Kryeshikasi Bendo, në shërbim të Ramës për “ndërhyrjen ruse”
Një kronikë e çuditshme e Top Channel raportoi sot se shefi i ShISh, Helidon Bendo, në një raport vjetor të lexuar përpara deputetëve, ka folur edhe për rrezikun e ndërhyrjes ruse në Shqipëri që pretendohet të jetë rritur kohët e fundit. Në fakt shefi i shërbimit sekret nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ripërsëritur një tezë që e thonë lartë e poshtë diplomatët që mbështesin Edi Ramën dhe që e promovon vetë kryeministri (si në rastin e emisionit në Porta a Porta) që do ta vërë atë në pozicionin komod të garantuesit të stabilitetit, tani që opozita ka dalë në rrugë. Sipas kësaj teze trazirat në vend janë të nxitura edhe nga influenca ruse. Po pse kjo tezë e hedhur sot nga Helidon Bendo, rrezulton të jetë një shërbim ndaj qeverisë?
Argumentat janë të thjeshta. Raporti i sotëm i shefit të ShiSH prezumohej të ishte sekret dhe jo për përdorim publik. Pra, ato që Bendo do të thoshte para deputetëve, nuk duhet të merreshin vesh nga të gjithë. Por, ajo që ndodhi ishte se lajmi “rrodhi” në media. Dhe shikoni mënyrën se si. Brenda ishin vetëm deputetë të shumicës (duke përjashtuar Myslym Murrizin që vështirë se dikush mund t’a konsiderojë realisht me opozitën). Pra lajmin e kanë nxjerrë rilindasit. Ata i’a kanë dhënë një gazetari, Muhamed Veliu, që gjysmën e vitit punon si reporter dhe gjysmën tjetër paguhet si zëdhënës qeverie. Dhe menjëherë pas kësaj, sekreti i madh që fshihnin dosjet e Bendos është bërë lajm i parë në ekranin proqeveritar të Top Channel. Pra, nuk është e vështirë të kuptohet se kujt i shërben kjo lloj propagande. Ajo që mbetet të kuptohet është, nëse ishin socialistët të interesuar të keqpërdornin thëniet e Bendos, apo ky i fundit po i shërbente në mënyrë të ndërgjegjshme propagandës së Ramës. Për ti hapur vendin Helidon Bendos, kryeministri u detyrua të çonte ambasador në Bruksel, pranë NATO-s, Visho Ajazin që njerzit e tij më të afërt e patën cilësuar si “spiunin dixhital të Berishës”. Ndoshta ka ardhur dita që nderi të kthehet mbrapsht./lapsi.al/