Albspirit

Media/News/Publishing

Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në konflikt me ligjin

Terre des hommes Shqipëri (Tdh), në partneritet me Defence for Children International the Netherlands (DFC-NL) do të organizojë një tryezë të rrumbullakët diskutimi mbi “Mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në konflikt me ligjin” më 12 mars 2019, ora 10, pranë Hotel Mondial, Salla Dea.

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është të krijojë një platformë diskutimi dhe një bashkëpunim të ardhshëm duke bërë bashkë aktorët kyc nga drejtësia për të mitur dhe atyre të sistemit të mbrojtjes në Shqipëri. Sigurisht në event do të prezantohet puna e Qeverisë Shqiptare, mbështetja e Qeverisë Hollandeze dhe gjetjet kryesore dhe rekomandimet e Raportit Kombëtar të Shqipërisë mbi pikat e forta dhe dobësitë e sistemit aktual të mbrojtjes dhe atij të drejtësisë në lidhje me fëmijët nën moshën e përgjegjësisë penale.

Në Raportin Kombëtar njihet që legjislacioni përkatës shqiptar është në përputhje me standardet ndërkombëtare, por pjesa më e madhe e këtij legjislacioni është mjaft e re dhe ka nevojë për sqarime të mëtejshme. Teksa legjislacioni duket se është i saktë, infrastruktura përkatëse e kërkuar ende mbetet një sfidë. Në të ardhmen është gjithashtu e rëndësishme për stafin teknik që të sigurojë harmonizimin e koncepteve kyçe dhe qartësinë në tekstet ligjore.

Diskutimi që do të mbahet të martën, do të ketë të ftuar punonjës të organeve shtetërore që kanë lidhje direkte me këta fëmijë, profesionistë e psikologë, organizata ndërkombëtare e përfaqësues të ambasadave të huaja në Tiranë.

Kjo tryezë diskutimi është vetëm një nga aktivitetet në kuadër të programit “Forcimi i Sistemit të Mbrojtjes së Fëmijëve në Konflikt me Ligjin”, i financuar nga Qeveria Hollandeze vepron nën programin MATRA. Ky projekt synon të mbështesë sundimin e ligjit në Ukrainë, Gjeorgji, Shqipëri dhe Kosovë duke përmirësuar zbatimin e të drejtave të fëmijëve në sistemin e mbrojtjes dhe në atë të drejtësisë duke siguruar që fëmijët në konflikt me ligjin të jenë të mbrojtur më mirë.

Please follow and like us: