Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptari i Athinës me gjuhën e bashkimit

 

 

 

Albert Z. Zholi

 

Të  nesërmen e asaj nate që kanali televiziv ERT -2  shfaqi filmin “L’Amerika”, xha Gaqoja më telefonoi  qysh në mëngjes:

-Përse po tallet bota me ne, o bir?!…

Zëri i tij  ishte revoltë  e brendshme, ishte një zë i plagosur, ku çdo fjalë, sikur mbartëte një shekull mbi  shpinë. Dhe e nxirrte nga gjoksi i Xha Gaqos, për të sajtën herë, për të mos e dëgjuar përsëri  askush. “Përse po tallet bota me ne, o bir?!… Ishte zë ri i nipit të Koto Hoxhit mbetur në Athinë pas Luftës së Dytë Botërore…

Dhe askush nga veshët e botës, nuk e dëgjoi dhimbjen e xha Gaqos.

Dhe askush nuk i pa sytë e tij të lotuar, tek shihnin atë film, ku  vendi i tij, njerëzit e tij, historia e atij   vendi dhe atyre njerëzve, shkulej nga  e qeshura  e botës.

Dhe bota kënaqej e shlodhej me shqiptarët –majmuna, me shqiptarët –barbarë, me atë popull, që  kishte ‘një gjuhë Perëndie’ e një histori  gjaku.

Xha Gaqoja kish parë filmin “La  Amerika” dhe  shpirti i qe trazuar tek dhimbja  e madhe…Ai  ishte  i  mbushur i gjithi me poezi e me dhimbje malli. Me Naimin e Mjedën, Fishtën e Migjenin, Konicën e  Agollin. Një minierë  e vërtetë  vjershërimi, që nuk e lë atdhetarizmin të shuhet. Kur e dëgjova për  herë  të parë në një koktej të  shtruar në ambasadën tonë në Athinë 1994, u befasova… “Një antologji dashurie  për  Atdheun”, mendova, kur ai i  recitonte vjershëtorët e mëdhenj, si edhe vjershat e tij, me djegie  shpirti, sikur të mos numëronte 85 vite  jetë. Kur ai recitonte mijëra vargje të rilindësve tanë befasohesha. 70-vjet larg atdheut dhe dinte më shumë se ne që kapardiseshim në atdhe.

“Epo nën pemën e fisit të patriotit të madh Koto Hoxhit është rritur, ndaj i ka lezet  edhe fjala edhe  vjersha”, dhe në mend më erdhën disa vargje të mësuesit të madh:

“…Po e kam  zemrën shkëmb,

këto plagë i kam si  gjemb,

po të ishte tjetër komb,

do pëllcit të bënte bombë,

do shuhej edhe emëri…”.

-Shqipëria po  vuan, or  bir, ç’po bëjmë ne për  të?! Ç’po bëjmë?!!-më  vinte  zëri i  xha Gaqos  brenda  telefonit. Unë dëgjoja dhe heshtja. Para atij zëri nuk duhej fjala.

-Shqipëria po përçahet, i mungon gjuha e së mirës. I mungon gjuha e rilindësve. I mungon Feja e shqiptarizmës. Po shajmë  e po pështyjmë. Po vjedhim e po  vrasim. Kush na ka mallkuar?!…Eeh, u  bëmë  loti i vetes e gazi i botës. Para zërit të xha Gaqos mua, fjala më  fshihej nën gjuhë.

………….

Tashmë ai ka ndërruar jetë dhe është në strehëzën e përjetshme, por sa herë shikoj politikanët shqiptarë në debatet e mbrëmjes, më duket sikur xha Gaqoja më thotë: “Përse po  tallet  bota  me  ne  o bir që duam të hyjmë në Evropë (si, vetëm me martesat e homoseksualëve?) kur jemi në zemër të saj?!… Jemi në Europë dhe sillemi sikur jemi në Afrikë…Duhet bashkim…”.

Please follow and like us: