Viron Kona: Vargje për Ditën e Verës
E kremtojmë Ditën e Verës,1)
me dhurata dhe rroba të reja,
thurim verore dy ngjyrëshe,2)
shijojmë ushqime t’zgjedhura…
Fëmijët çapkënë ndjellin zogjtë,
mbushin ajrin me fishkëllima,
luajnë me qengja, mbledhin lule,
manushaqe dhe zymbyla…3)
Një vajzë lë në pemë veroren,4)
lutet: zogu të vijë ta marrë,
eh, psherëtin bukuroshja,
sikur ta marr dallëndyshja e parë!
Zakoni i lashtë e kërkon:
që zonja t’stolis shtëpinë,
kreun e derës dhe dritaret,
me lastarë t’gjelbër e jasemin. 5)
Pastaj nis përgatit drekën,
gatuan gjellët m’të mira,
gjel deti e ballokume, 6)
ftonj, shegë e ëmbëlsira.
Gëzim i madh për çdo familje:
fëmijët vizitorët e parë,
me dhurata i darovitin,
vogëlushët këmbëmbarë! 7)
-Ç’po bëhet n’shesh t’qytetit?
-Karnavalet do të fillojnë,
lodra, maska, eh, çdo vejë,
do gëzohemi, do vallëzojmë!
Ja tek shfaqen dhe turistët,
që mik-priten me nderim,
ndjekin festën me kureshtje,
-Sa e lashtë është? -duan ta dinë.
Mes t’rinjve të moshuarit,
rrëfejnë shtruar histori,
u luten zotave pagane,
për bollëk, paqe, mirësi.
Një zonjë bën humor me shoqet,
diç tregon dhe qesh me lot:
Gra! dëgjuat për gjumashët?
I mbyllën brenda, s’dalin dot! 8)
Tek një vajzë qëndistare,
sytë i hedh një djalë azgan,
diç kërkon, e ka një hall,
vete-vjen e sytë s’ia ndanë.
Kjo Ditë Vere e bekuar,
u jep t’rinjve m’shumë trimëri,
duan të luajnë kukafshehtas,
janë ndezur për dashuri.
Ajri i freskët, dielli ndrit,
14 Marsi – magji e rrallë,9)
vajzat s’ndahen nga pasqyrat,
ëndërrojnë fustan’të bardhë…
1). Dita e Verës, festë pagane, e lashtë. Festohej nga ilirët përpara lindjes së krishterimit. Quhet ndryshe festë e luleve, e gjallërimit të natyrës, festë e shpirtit, paqes, harmonisë, gëzimit, dashurisë…14 marsi shënon fundin dimrit të acartë dhe ardhjen e pranverës.
2). V erore, simbol i ardhjes së pranverës. Një zbukurim që formohet me pe të bardhë dhe të kuq. Dy ngjyrat simbolizojnë dy të kundërta, ngrohtë-ftohtë, pranverë(e bardhë) dhe dimër(e kuqe). Verorja u vihet në dorë apo në qafë fëmijëve që t’u sillte fat gjatë vitit…
3). Lule të para të pranverës, apo paralajmërueset e pranverës janë edhe: manushaqja, zymbyli, lulebora, vjollca, aguliçja, luleshqerra, mimoza…
4). Vajzat apo fëmijët lënë veroren në një ferrë, trëndafil a degë peme, shprehin një dëshirë dhe shpresojnë, që të vijnë zogjtë, ta marrin dhe me fijet e saj të ndërtojnë fole. Nëse ndodh kjo, ëndrra apo dëshira e shprehur do të realizohet.
5). Dita e Verës, shoqërohet edhe me vendosjen e luleve të sapoçelura në dritare, apo me lastarë të gjelbër tek dera e shtëpisë në mëngjesin e kësaj date, në mënyrë që gjithkush kur zgjohet të ndjejë ardhjen e pranverës.
6). Gjel deti e ballokume: Ndër ushqimet më të preferuara për festimin e “Ditës së Verës”, veçanërisht në Elbasan.
7). Në këtë ditë fëmijët të veshur me rroba të reja shkojnë derë më derë duke kënduar ”Ditën e Verës’, ndërsa u jepen dhurata. Ardhja e fëmijëve është mbarësi.
8). Zakoni është që, ata që ngrihen me vonesë “Ditën e Verës”,”ndëshkohen” duke i mbyllur brenda shtëpisë me çelës.
9). 14 Marsi, thjesht hap festivalin njëjavor të pjellorisë dhe rilindjes së natyrës, duke çuar drejt 21 marsit, që është Dita kalendarike diellore e Verës. 14 Marsi është Dita e Verës për Elbasanin, Tiranën. Krahina të tjera shqiptare caktojnë secila Ditën e tyre të Verës brenda javës14-21 mars. Quhet Dita e Verës, sepse në kalendarin Ilir/shqiptar, si dhe në disa popuj të tjerë, ka vetëm dy stinë: Verë dhe Dimër. Stinët nisin me ekuinokset (baras-netët) në mars dhe në shtator…