Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Kundera për Eluarin

 

Epoka e terrorit stalinist, si mbretëria e xhelatit dhe poetit.

Totalitarizmi nuk është vetëm ferri, por edhe ëndrra e parajsës-drama e epokës së lashtë të një bote ku çdokush do të jetonte në harmoni, i bashkuar nga një qëllim dhe besim i vetëm, pa të fshehta nga njëri-tjetri.
Edhe André Breton ëndërronte për këtë parajsë kur fliste për shtëpinë prej xhami ku kishte shumë dëshirë të jetonte. Nëse totalitarizmi nuk do t’i shfrytëzonte këto arketipa, të cilat janë thellë brenda nesh dhe të rrënjosura te të gjitha fetë, nuk mund të tërhiqte kurrë aq shumë njerëz, veçanërisht gjatë fazave të para të ekzistencës së tij. Megjithatë, sapo ëndrra për parajsën fillon të bëhet realitet, aty-këtu njerëzit fillojnë t’ia behin papritur dhe të zënë udhën dhe kështu udhëheqësit e parajsës duhet të ndërtojnë një gulag të vogël përbri Edenit.
Me kalimin e kohës ky gulag rritet gjithnjë e më shumë, behet dhe më i përsosur, ndërkohë që parajsa e ndodhur përbri bëhet më e vogël dhe e varfër.

Në një librin tim poeti i madh francez, Elyar, ngrihet mbi parajsë dhe gulag duke kënduar.

Kjo se pas luftës, Pol Eluar hoqi dorë nga surrealizmi dhe u bë përfaqësuesi më i madh i asaj që mund ta quaj “poezia e totalitarizmit”. Ai i këndoi vëllazërimit, paqes, drejtësisë, të nesërmes më të mirë; ai i këndoi për miqësinë dhe kundër veçimit, për gëzimin dhe kundër errësirës, për pafajësinë dhe kundër cinizmit. Kur në vitin 1950, udhëheqësit e parajsës e dënuan mikun e Elyarit në Pragë, surrealistin Zalvis Kalandra, me varje, Elyari i ndrydhi ndjenjat e tij të miqësisë, për hir të idealeve mbi-vetjakë dhe deklaroi publikisht miratimin për dënimin e shokut të tij.

Xhelati vriste, ndërkohë që poeti këndonte.

Dhe jo vetëm poeti. E gjithë periudha e terrorit stalinist ishte periudha e përçartjes lirike kolektive. Kjo tashmë është harruar krejt, por mbetet thelbi i çështjes. Njerëzve u pëlqen të thonë: Revolucioni është gjë e bukur. E keqja është terrori që buron prej tij. Por, kjo nuk është e vërtetë.

E keqja tashmë është e pranishme te e bukura; ferri është përfshirë në ëndrrën për parajsën dhe nëse duam të kuptojmë thelbin e ferrit, duhet të shqyrtojmë thelbin e parajsës nga ku buroi.
Është jashtëzakonisht e lehtë të dënojmë gulagët, por t’i kundërvihesh poezisë së totalitarizmit që të shpie drejt gulagut, përmes udhës së parajsës është më se e vështirë. Në ditët e sotme, njerëzit në mbarë botën e kundërshtojnë fare qartë idenë e gulagëve, megjithëse ata janë ende të gatshëm të hipnotizohen nga poezia totalitariste dhe të marshojnë drejt gulagëve të rinj nën ritmin e të njëjtit avaz lirik të luajtur nga Elyari, kur u ngrit mbi Pragë, si krye-engjëlli madhështor me lirë, ndërkohë që tymi i trupit të Kalandrës vërshonte drejt qiellit nga oxhaku i furrës ku digjej.

Please follow and like us: