Ilir Levonja: Parisi i munguar në Tiranën e shallvareve
Pritshmëria për rrëzimin e Ramës sot ishte e madhe, por Rama po qësëndiset me të gjithë. Madje ri aplikoi kamerat me dron nga qielli, si e si ta zbehte protestën. Madje duke përdorur edhe webe oportunë ose as mish e as peshk.
Gjuajti me ligësi momentet a oraret. Dhe duke patur parasysh se gjatë gjithë këtyre ditëve u fol shumë për dhunë, skenarë rusë mbi destabilizimin e vendit etj., imazhin e Shqipërisë para sezonit turistik dhe çeljes së negociatave në qershor etj., me dashin amerikan dhe të tjera ambasada, duhet thënë se ia arriti qëllimit. Qe një protestë e vrullshme por që zgjati jo aq sa ajo e para. U dirigjua me kujdes farmaceutik që të shmangeshin provokimet, trazirat a të tjera, duke rënë plotësisht në pritshmërinë qeveritare. Apo policisë së sistemuar dhe kërcënuese dy herë më e fortë se në protestën e parë. Urrejtja e atyre në shesh ishte më e fortë se e liderve, megjithatë nuk triumfoi. Kushdo që mendon se ka një balancim mes lidershipit dhe protestuesve gabon, deri sa Rama ia hodhi edhe kësaj radhe. Se në raport me komunitetin europian, qytetarin e saj, Parisi i sotshëm përshembull u mbush tym e zjarr, nga jelekët e verdhë kurse Tirana nga policia e shtetit të Edi Ramës. Megjithatë tani studiot po përgatisin të nxjerrin të njëjtit surretër, të njëjtët fadroma plot xhel, të njëjtit shenjtorë të informalizmit dhe do flasin si zakonisht se a kish dhunë apo jo? Se, fitoi apo humbi Rama? Se e dënoi apo jo ambasada e iks shteti protestën, djegien e mandateve etj. Një kakoni Shqipërie të cilën kërkush tjetër pas Enver Hoxhës, si ky Edi Rama nuk e ka kthyer të gjithën në një front social demokratik. Tjetër ishte urrejtja e tyre në shesh, urrejtje faturash ilaçesh, urrejtje papunësie, urrejtje budallepsje, urrejtje sehirxhinjsh.
Megjithatë askush nuk e percepton dot Parisin, askush nuk krahasohet, askush nuk gjykon si atje, por i referohen ambasadës së pariszienëve, deklarateve të dhunshme pa bërë dhunë. I stepen aludimeve mbi skenarët rusë, i nënshtrohen unit provincial se sa ka bërë unë për ty, apo ti të ma punosh mua kështu e ashtu. Drejt një evaziviteti që i ngjan një dënimi që kurrë nuk ka për t’u zbatuar. Dhe ky jo nga Edi Rama dhe Rilindja, por nga mos dakortësia e lidershipit me turmën.