Albspirit

Media/News/Publishing

Prralla Kazanash

Çfarë është kazani? Për sa u takon përrallave: me ajkën e tyre magjike janë rritur, po rriten, e do te rriten padallime gjithë njerëzit e botës. Ndërsa kazani: është një enë e madhe, prej metali, me formë të rrumbullakët, e thellë, me dy veshë, që shërben, jo në cdo shtëpi, për të larë plackat e ndotura. Në ushtri ndihmon për të gatitur gjellën e ushtarëve në repart, fushim, ose luftë. Me gjellë kazani mbahen, edhe në vendin tonë, mencat për të vobektit. Ka edhe kazan rakie ku, zihet rrushi dhe del e bekuara raki. Po që të kishte edhe kazan mediatik ose politik, apo të dyja bashkë në një kazan, këtë figurë letrare nuk e pata hasur më parë. E dëgjova sefte, para dy vitesh, nga goja e kryeministrit, Edi Rama, në publik. I besova shpegimit të tij sepse, jetojmë në shekullin e “kapitalizmit survejues”(një front ky i ri i pushtetit kapitalist) i cili, nëpërmjet lenteve (rrjeteve) të internetit – të cilat keqpërdoren nga një pjesë e massmedia, pikërisht ajo pjesë që denoncoi Edi Rama – po reket të nënshtrojë liritë dhe të drejtat e njeriut në botë. Megjithëkëtë. Unë nuk e lash me kaq dijen time por, nisa kërkimin për të gjetur origjinën, mbase edhe shqiptare, të “kazanit”. Dhe e hasa atë, fatmirësisht, kur i erdhi rradha të lexoj në Bibliotekën Kombëtare gazetën e paanëshme “Shqypnia e Re”. Kjo, e mishëruar atdhetarisht prej patriotëve të dorës së parë: Hil Mosi, drejtor; dhe Risto Siliqi, kryeshkrojtës. Mësova se “kazani” në Shqipëri paska një histori mbi 105 vjecare. Dhe pastaj kopjova, me laps në letër, nga “Shqypnia e Re” e 18 dhjetorit 1913, shënimin redaksional me titull “Prralla Kazanash”. Ja, i tëri për ju, fjalë për fjalë më poshtë vijon.

 

Prralla Kazanash” 

 

“Disa propagandistë të cilët nuk kanë tjetër zanat veçse të jetojnë me llokma e kafshata, kanë ardhur këtu në qytetin tonë me qëllim për me iu kundërshtue çdo princi europian që do ta çojnë Europa dhe, me ba propagandë që të imponohet një princ tjetër prej deret Ali Osmanit (Perandorisë Osmane).

Dihet shumë mirë se mundi i tyre asht i kotë sepse, çdo shqiptar që ka dy pare mend e din se princi është në dorë të Europës  e mandej sikur, edhe të ishte prej deret Ali Osmanit ne e dimë shumë mirë se Shqipëria nuk mund me pasun përparim e jetë të gjatë.

Pra atyre zotrinjve nuk u thona tjetër veçse mundohen kot, dhe, propaganda e tyre nuk është veçse nji prrallë kazanash.

Çuditemi fort me rojen e vendit ndërkombëtare të këtushme (Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit) që nuk i qet jashtë këta turbullesa, mbasi vetë konferenca e Londrës e ka ndarë që mbreti të jetë evropian, dhe, mbretnitë e mëdha kanë ra në ujdi dhe kan emnue për mbret të Shqypnies princin Wilhelm zu Wied.

Policia për çështjet politike që është aq e nevojshme këtu në vendin tonë ashtë lanun krejt mangut megjithëse,  agjenta gjithfarësh shofim duke u sjellun posht e nalt nëpër qytet ndërkohë që, një ankim të vogël me u ba fletoret e  qytetit këtyre, menjëherë u jepet gjykimi”.

Përgatiti Nasho Bakalli.                                 

Please follow and like us: