Albspirit

Media/News/Publishing

Shkollat në Kashar përurojnë tre fusha të reja sportive

Shkollat në Kashar përurojnë tre fusha të reja sportive me bashkë-financim nga Zvicra, Austria dhe bashkia e Tiranës

Shkollat “Katund i Ri” dhe “Sadik Stavileci” – Kashar

Tre fusha të reja sportive në shkollat “Katund i Ri” dhe “Sadik Stavileci” në Kashar pranë Tiranës iu doërzuarn sot rreth 1,300 nxënësve gjatë një aktiviteti përurues. Të pranishëm ishin Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ambasadori zviceran Adrian Maître, përfaqësues vendorë, mësues, nxënës dhe prindër nga kjo zonë. Me financim nga qeveritë e Zvicrës dhe Austrisë, rehabilitimi i këtyre fushave sportive përfshin të gjitha kushtet për aktivitete sportive të sigurta dhe me standard për nxënësit dhe të rinjtë e zonës së Kasharit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj iu bashkua aktivitetit për t’u takuar me studentët dhe mësuesit e këtyre shkollave. “Nga këto fusha sporti ne do të shohim kampionët e ardhshëm të futbollit, basketbollit dhe volejbollit. Keto ambiente shërbejnë jo vetëm për shëndet fizik por edhe për punën në grup dhe për ndërtim karakteri”, theksoi kryebashkiaku.

“Është me shumë rëndësi që me këtë projekt ne u përqëndruam tek nevojat e të rinjve dhe nxënësve në Kashar, ku përfituesit e drejtpërdrejtë janë të 1,300 nxënësit e dy shkollave. Do të inkurajoja që tani të shohim edhe më lartë dhe më gjerë: le të shkojmë nga përurimi i infrastrukturës sociale sot, tek ndërtimi i rajoneve të forta ekonomike nesër”; tha Ambasadori zviceran në Shqipëri Adrian Maître.

Investimi është një bashkë-financim prej 62,000 Euro nga të cilat 43,000 Euro nga qeveria zvicerane, 16,000 Euro nga qeveria austriake, dhe 2,400 Euro nga Bashkia e Tiranës. Si pjesë e skemës së granteve nga Programi për Zhvillim Rajonal në Shqipëri, ky investim përfshiu renovimin e plotë të rreth 1,235 m² të fushave sportive së bashku me pajisjet përkatëse..

Fushat e rikonstruktuara sportive do të përdoren jo vetëm nga nxënësit dhe të rinjtë e këtyre shkollave, por edhe nga i gjithë komuniteti, përmes promovimit të sporteve shlodhëse dhe aktiviteteve kulturore, si dhe do të inkurajojnë pjesëmarrjen dhe përfshirjen sociale në këtë zonë.

Kjo ndërhyrje është një nga 16 projektet zhvillimore të financuara nga Skema Pilot e Granteve Rajonale e cila synon të përmirësojë kushtet social-ekonomike të komuniteteve në rajonet e Shqipërisë. Këto projekte adresojnë nevoja themelore të komuniteteve vendore përmes investimeve të vogla në arsim, turizëm, sport, kulturë dhe infrastrukturë komunitare, dhe si pasojë përmirësojnë cilësinë e jetës.

Skema e granteve kontribuon gjithashtu për forcimin e kapaciteteve rajonale dhe vendore për menaxhimin e projekteve zhvillimore duke u përgatitur kështu për financime të ardhshme nga donatorët sidomos në kuadrin e projekteve të BE-së.

Programi për Zhvillim Rajonal në Shqipëri (RDPA III) është një përpjekje e përbashkët dhe në vazhdim për të mbështetur reformën e zhvillimit rajonal në vend. Programi synon të ulë pabarazitë në Shqipëri duke mbështetur zhvillimin e rajoneve të forta në mënyrë që ato të përparojnë dhe të sigurojnë kushte më të mira sociale dhe eknomike për qytetarët.

Please follow and like us: