Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-kryekomunari Hajdari kërcënon moderatoren televizive, Fiori Dardha

Dje, autorja e emisionit investigativ ‘BOOM’ në televizionin Ora News, Fiori Dardha u kërcënua. Kërcënimi ka ardhur nga një person që është paraqitur si ish-kryetari i komunës Perondi, Rexhep Hajdari. Emisioni ‘BOOM’ për dy ditë me radhë ka trajtuar çështjen e një ankandi të zhvilluar në vitin 2012. Sipas dëshmive të banorëve, ky ankand për dhënien e tokave me qira për 99 vjet, ka futur në konflikt një fshat. Ish-kryetari i komunës Perondi, Rexhep Hajdari ka qenë në krye të bordit të dhënies së tokave me qira. Ky është i disati rast që gazetarët në Shqipëri kërcënohen për shkak të punës së tyre. Rastet e fundit janë:

  1. Në mars 2019, gazetares britanike Alice Elizabeth Taylor iu mohua leja e qëndrimit në Shqipëri, pasi komentoi në median e huaj korrupsionin dhe veprimet abuzive të qeverisë shqiptare.
  2. Më 30 gusht 2018, u qëllua me armë kallashnikov në drejtim të shtëpisë së prindërve të gazetares investigative Klodiana Lala. Deri më tani nuk dihen se kush janë autorët e ngjarjes. Por në një postim në Facebook gazetarja Lala u shpreh se sulmi është i lidhur me punën e saj si gazetare.
  3. Më 3 shtator 2018, Julian Shota, korespondenti i Report TV u kërcënua me armë në kokë dhe nuk u lejua të raportonte mbi shpërthimin e ndodhur në një bar-kafe në Laç, nga vetë pronari i lokalit. Policia ka shoqëruar në komisariat pronarin e lokalit, por e ka lënë të lirë më pas.
  4. Më 26 maj, Kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike” Blendi Kasmi u godit nga policia gjatë protestës së opozitës.
  5. Në maj 2017, gazetari i emisionit investigativ Genci Angjellari u sulmua fizikisht nga administratorja e kompanisë “Euroteam”, teksa gazetari po bënte një kronikë për ndotjen mjedisore që kompania shkaktonte në fshatin Stërmas të Tiranës.
  6. Në maj 2016, gazetari i Telesport Eduard Ilnica u godit nga një grup prej 6-7 personash.  Nga agresorët e shumtë, gazetari Ilnica njohu vetëm presidentin e Kastriotit, Alban Vogli.

Organizata “Reporterët pa Kufij” (RSF) dhe Këshilli i Evropës i ka denoncuar vazhdimisht këto sulme, por qeveria shqiptare në asnjë prej rasteve nuk ka vepruar në mbrojtje të gazetarëve./exit.al/

Please follow and like us: