Albspirit

Media/News/Publishing

Si u arrestua nga regjimi diktatorial për spiunazh Jusuf Vrioni?

Jusuf ose Isuf Vrioni ishte përkthyes dhe diplomat shqiptar. Lindi në Korfuz më 16 mars 1916. I biri i Iljaz bej Vrionit dhe Xhemile hanëm Dinos. Vitet e tij të para i kaloi në Korfuz e më pas në Berat. Pas emërimit të babait të tij, Ilias Bej Vrioni, si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Paris, familja e tij u shpërngul në Paris më 1925. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor Jusuf Vrioni e kreu pranë Liceut Janson de Sailly, Paris dhe atë të lartë në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe në Institut d’Études Politiques të Parisit. Më 1939 rikthehet në Shqipëri por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e detyron të shpërngulet po atë vit në Romë pranë të vëllait. Rikthehet në Tiranë më 1943. Më 13 shtator 1947 arrestohet nga regjimi diktatorial dhe akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Prej shkurtit 1949 e deri më prill 1950 burgoset në njërën prej shtatëmbëdhjetë qelive famëkeqe të Koçi Xoxes. Në korrik 1950 denohet me pesëmbëdhjetë vite heqje lirie dhe punë të detyruar, pjesë të dënimit e kaloi në burgun e Burrelit. Lirohet në fund të vitit 1958 dhe internohet ne Fier për një periudhë disamujore. Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë si përkthyes. Ndër përkthimet e tij të para numërohet ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’ i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e shpenzonte duke përthyer dhe redaktuar tekstet propagandistike të Enver Hoxhës, Vrioni gjente kohë për të përkthyer romanet e tjera të Ismail Kadaresë. Falë elegacës së frengjishtes së tij, romanet e Ismail Kadaresë nisën të tërheqin vëmendje të jashtëzakonshme në publikun frankofon. Rreth fundit të viteve ’80, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes si pashoq në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit. Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë posturës së tij multidimensionale si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqerisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza famëkeqe e vitit 1997 e detyruan të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Paris. Më 1998 emërohet Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhërin Chevalier de la Légion d’Honneur, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhërin Grand Officier de la Légion d’Honneur nga Republika Franceze. Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris në maj 2001 ndërsa shërbente si Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO.

Please follow and like us: