Albspirit

Media/News/Publishing

Ali Pasha…varri i tij, dy kontinente

 

 

Albert Z. Zholi

 

Ishte ditë vjeshte, por dielli digjte si në gusht. Këmbët më çuan përpara një dyqani ëmbëlsirash në Janinë. Ishin vitet e pasluftës së Dytë Botërore. Në vitrinën e dyqanit më tërhoqi vëmendjen një portret i njohur, vendosur në një  kornizë. E kisha parë për herë parë nëpër faqet e librave të shkollës. Ashtu i lodhur siç  isha, i pluhurosur e i  leckosur, qëndroja para vitrinës dhe nuk ngopesha së pari. Ishte ajo fytyrë, ajo mjekër hijerëndë, ata sy fisnikë, ajo  hundë si shqiponjë, ai vështrim ëndërrimtar…Para meje ishte Ali Pasha…

-Ti qitas? (çfarë  shikon)- foli pronari i dyqanit, duke menduar se po lëpija, nga jashtë xhamit, ëmbëlsirat e tij.

-Pashanë  e Janinës shikoj- iu përgjigja unë krenar e zëfortë, në ato dy fjalë të pashqitshme…

Pronari më pa i çuditur, pastaj diç tha nëpër buzë e hyri  brenda… Këto i lexova tek një libër i pa botuar ende i Kristo Zharkallit, shqiptarit të arratisur në vitet 1950. Dhe brenda trurit nisën të lëviznin me jehonë, vjershat e këngët, historitë e gojëdhënat për Ali Pashë Tepelenën e Janinës…Që edhe pse  kish vdekur më 5 shkurtin e 1822-it po  jetonte në dy jetë: Jetën e luftës e jetën e këngës… Në Greqi nuk ka vit që të mos shkruhet një libër për pashanë. Dhe  jeta e dytë  e këngës, ishte më e madhërishmja, më  e pavdekshmja. Por e veçanta e këtij njeriu me dy jetë është se ai  i  kishte të gjitha nga dy: Dy gjuhë, dy vende, dy shtete, dy fe, dy pashallëqe, dy gra, dy djem, dy varre…Kjo e veçantë  për të gjithë njerëzit që kanë bërë histori, është përjetuar edhe në këngë:

“… Ali Pasha me dy varre,

Në dy shtete, në dy qytete,

Varri i tij, dy kontinente…”.

Tepelena e lindi, Janina i mori kokën.

Të  parën e shkeli  këmbëzbathur, të dytën e bëri  vetë…E ndërtoi si dinte ai, magjike. E bëri si Perandori, si Ali. E ndërtoi, e futi në histori, e bëri të dridhej një Perandori dhe së fundi kur vdekja po i afrohej ju drejtua:

“Janinë, Janinë  e shkretë,

Të paçë ndërtuar  vetë,

S’të gëzova as unë, as djemtë…

Të rëntë zjarri të djegtë…”.

Hija e tij është e kudoshtrirë, sa gjithkush, duhet t’i hedhë me kujdes hapat, për të mos e shkelur…

Por ai është e njëherësh fshihet e bëhet i padukshëm. Dhe në momente kur po populli ka ethe e zjarrëllëk shpirti  e kërkon që të shfaqet me dy jetët njëherësh:

…Ku je Ali Pashë ku je?

Mblidhi trimat  ku  i  ke?!…

A ka më Ali Pashë ndër politikanët e sotëm shqiptarë?!

Please follow and like us: