Kapësit e fotografisë, shtetit dhe një Hasan Hyseyini
Veton Surroi
Fundi i një trileri: kush e dha urdhrin politik për të rrëmbyer qytetarët turq në Kosovë?
1.
Mund të jetë barsoletë, skenar teatri absurdi apo një film “comedy of errors” (komedi e gabimeve), por nuk është. Është pjesë e një dokumenti zyrtar që përshkruan rastin e qytetarit H.
Një ditë privohet nga liria nga Policia e Kosovës. Arsyeja për privim nga liria (më vonë do ta quajnë me termin asnjanës “shoqërim”, që hyn në kategorinë e mjegullt mes arrestimit dhe të drejtës për të qenë i lirë) është se fytyra e tij duket si ajo e fotografisë që e kanë në duar. Fotografinë ua dhanë policëve agjentët e shërbimit sekret. Fotografia ishte e një njeriu me emër e mbiemër, datë e vend të lindjes. Qytetari H. tha se ishte gabim arrestimi i tij; se ai nuk ishte njeriu me emër e mbiemër, datë e vend të lindjes që kërkohej.
Po, tha: jam Hasan Huseyin, por nuk jam ai Hasan Huseyin, jam tjetër. Por, ti je njeriu i kësaj fotografie? Jam. Atëherë nuk është kurrfarë gabimi. Fotografia është e vërtetë, të tjerat – emri e mbiemri, data e lindjes – nuk janë me relevancë.
2.
Ka gati një vit që qytetari H. u arrestua së bashku me pesë qytetarë të tjerë – që të gjithë shtetas të Turqisë – dhe u dëbuan për në Turqi. Në fakt termet “arrestuan” dhe “dëbuan” nënkuptojnë një proces të duhur ligjor, por ajo çka ndodhi në mars të vitit 2018 ishte rrëmbim i qytetarëve nga ana e zyrtarëve shtetërorë të Kosovës dhe dorëzim të të rrëmbyerve zyrtarëve shtetërorë të qytetarëve të Turqisë. Këtë, pas një pune gjashtëmuajshe, është përpjekur ta konfirmojë Komisioni hetimor parlamentar i Kuvendit të Kosovës. Pas një pune të vështirë dhe të penguar, duke filluar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, Komisioni hetimor ka përgatitur një raport, i cili evidenton 31 shkelje ligjore apo procedurale.
Arrestimi i qytetarit H. shërben si metaforë e mirë e të gjitha atyre shkeljeve ligjore a procedurale, sepse qe me rëndësi të rrëmbehej një Hasan Hyseyin, cilido Hasan Hyseyin, mundësisht një që duket si ai i fotografisë. Rrjedhimisht, qe me rëndësi të rrëmbehen gjashtë qytetarë turq, pa marrë parasysh se me çfarë arsyetimi dhe me shpjegimin se po u merret e drejta e qëndrimit në Kosovë, t’u dorëzohen autoriteteve turke në një avion të ardhur nergut për ta. Dhe arrestimi i qytetarit H. së bashku me raportin e Komisionit hetimor parlamentar tashmë përbëjnë një test shtetëror. Të hënën Ambasada amerikane në Prishtinë lëshoi një komunikatë lidhur me rrëmbimin e gjashtë qytetarëve turq dhe punën e Komisionit parlamentar. Në të rrëmbimi u vu në kontekst të përshkrimit se “presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike”. Njëkohësisht u vu në kontekst të një mësimi nga gabimet fondamentale të bëra në këtë rast: “Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët kosovarë në të ardhmen”.
Kështu, në parametrat e vlerësimit të shtetësisë së Kosovës, arrestimi i qytetarit H. i afrohet definicionit shkollor të kapjes së shtetit. Në këtë definicion, sektori i sigurisë i Kosovës shndërrohet në instrument të kapësve politikë të shtetit. I tërë raporti i Komisionit parlamentar tregon se si AKI-ja, Policia e Kosovës dhe Prokuroria janë vënë në dispozicion të urdhrit politik.
Atë që nuk e bën Komisioni parlamentar, sikur në një triler të papërfunduar, është të zbulojë se kush është urdhërdhënësi politik. Përfundimin e këtij trileri e kërkon edhe komunikata e Ambasadës amerikane: “Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin, dhe rikujtojmë liderët e Kosovës që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit”.
4.
Trileri ka mundësi të zgjerohet e thellohet edhe më. Para një viti u pata shkruar deputetëve të Kuvendit të Kosovës një letër të hapur. Aty përshkrova rrëmbimin dhe dorëzimin e gjashtë qytetarëve turq si shkelje të Kushtetutës së Kosovës. “Në nenin 3 të kësaj kushtetute thuhet se vendi qeveriset “me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore”, dhe se “ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht”. Siç u pa, autoritetet që rrëmbyen gjashtë qytetarët turq nuk respektuan ligjet dhe barazinë e tyre para ligjit.
Neni 22 i Kushtetutës së vendit e bën pjesë të legjislacionit vendor Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, e në nenin 5 të kësaj konvente thuhet shprehimisht se çdokush, pra edhe gjashtë qytetarët turq kanë të drejtën “për liri dhe siguri personale” dhe “se askush nuk do të privohet nga kjo liri” pos nëse dënohet me ligj, gjegjësisht privohet nga ajo ligjërisht. Gjashtë qytetarët turq u privuan nga liria pa një proces ligjor.
Neni 24 i Kushtetutës thotë se “të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim”, por kjo nuk ishte e vërtetë për gjashtë qytetarët turq. Fakti se ata qenë pjesë e një kërkese politike të një shteti tjetër, e jo një procedure gjyqësore-juridike, i bënte të përjashtuar nga barazia para ligjit. Rrjedhimisht, më e fortë qe kërkesa politike e shtetit tjetër se parimi i barazisë i Kushtetutës së Kosovës.
Neni 29 i Kushtetutës së Kosovës, pra ai që rrjedh drejtpërdrejt nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut duhej t’u siguronte gjashtë qytetarëve turq që si “Çdokush që privohet nga liria pa urdhër të gjykatës, brenda dyzet e tetë (48) orësh duhet të dërgohet përpara gjyqtarit, i cili vendos për paraburgimin ose lirimin e tij/saj, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga momenti kur personi i privuar është sjellë para gjykatës. Çdokush që arrestohet, ka të drejtën që të nxirret në gjykim brenda një periudhe të arsyeshme, ose të lirohet në pritje të gjykimit, me përjashtim kur gjyqtari konstaton se personi përbën rrezik për komunitetin ose ka rrezik për ikjen e saj/tij para gjykimit”.
Me këtë nen të Kushtetutës, gjashtë qytetarët turq duhet të gëzonin këtë mbrojtje: “Çdokujt që i hiqet liria me arrest ose ndalim, gëzon të drejtën që të përdorë mjete juridike për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose të ndalimit. Rasti do të vendoset nga gjykata brenda një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm, do të urdhërohet lirimi i personit”.
Me nenin 32 të Kushtetutës ata kishin të drejtën që t’i përdornin” mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative, të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”, pra kishin të drejtën të kontestonin jo vetëm heqjen e së drejtës së qëndrimit, por aq më shumë, dorëzimin e një autoriteti të një shteti tjetër. Por AKI-ja dhe Policia e Kosovës nuk e lejuan.
Dhe duke mos lejuar, u shndërruan në kategori mbikushtetuese, sepse sipas nenit 55 të Kushtetutës së Kosovës “Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj”. Trileri do të çojë drejt një situate që ngado të ketë ardhur urdhri politik për policët e agjentët, për drejtorët e prokurorët, të vlerësohet se ka qenë shkelje e ligjeve po e po, por edhe e Kushtetutës së vendit. Kësi urdhri nuk mund të japë një shef a një drejtor; mund të japë vetëm ai që ka kompetenca aq të mëdha sa të prekë edhe Kushtetutën. Dhe, kjo mund të jetë arsyeja pse Kuvendi i Kosovës, me insistim të partive në pushtet, nuk e miratoi Raportin e Komisionit si Raport Kuvendi. Dhe kjo duhet të jetë arsyeja pse nga ky raport dhe pasojat juridike të këtij raporti mund të varet se a ka ndërmend Kosova të përcaktohet kundër kapjes së shtetit apo jo./koha.net/