Albspirit

Media/News/Publishing

Në 6-vjetorin e peticionit për Rrugën e Arbërit

 

 

Sot peticioni ka 17,000 përkrahës

 

18 Mars 2019

Nga Grupi i Lobimit

 

Sot, gjashtë vite më parë, filloi peticioni online për Rrugën e Arbërit.

Siç kemi bërë gjithmonë, edhe tani kur situata politike në Shqipëri fatkeqësisht është përkeqësuar, ne vazhdojmë të ndjekim ecurinë e punimeve të rrugës plotësisht larg çdo ndikimi partiak.

Gjatë 6 viteve të peticionit, Kryeministri Edi Rama nuk mundësoi asnjë hapësirë bashkëpunimi me Grupin e Lobimit. Rruga, sipas projektit që po zbatohet, ka ndryshime me projektin e para viti 2013. Ne mendojmë se po qe se qeveria do të kishte dëgjuar sugjerimet tona, në projektin aktual do të kishte më shumë përmirësime.

Edhe tani, ne jemi të hapur për shkëmbim mendimesh me qeverinë për aspekte të ndryshme të veprës.

Na krijohet apo jo mundësia për të dialoguar me qeverinë për këtë vepër në vitet që vijnë, nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që kjo rrugë, ndërtimi i së cilës ka filluar zyrtarisht që në vitin 2010, të përfundojë sa më shpejt dhe, ashtu siç është premtuar, brenda mandatit të dytë të qeverisë Rama.

Ne e vlerësojmë progresin në segmente të ndryshme të veprës. Njëkohësisht ne po vëzhgojmë me kujdes cilësinë dhe standardet e punimeve.

Është e nevojshme të theksohet se Rruga e Arbërit nuk do të mundësojë lidhjen e nevojshme me Shkupin. Kjo pasi, projekti që po zbatohet, është rrugë interurbane me dy korsi kalimi.

Megjithatë, po të kemi parasysh se të gjitha qeveritë që janë marrë me këtë vepër kanë qenë më të interesuara të merren me llafollogji politike sesa me punë konkrete, progresi që është bërë duhet parë si sukses.

Ne jemi në pritje nga qeveria për më shumë informacion në lidhje me këtë vepër për disa çështje akoma të pasqaruara.

Kështu, përshembull, një pyetje që akoma ka mbetur pa përgjigje është nëse rruga do të jetë me pagesë ose jo. Në qoftë se Rruga e Arbërit do të jetë me pagesë, kjo do ta bëjë këtë vepër të ‘veçantë’ jo për ndonjë arsye të mirë. Ky do të jetë një ndër rastet e rralla në botë ku qytetarëve do t’ju kërkohet të paguajnë për një rrugë interurbane. Të shpresojmë se kjo nuk do të ndodhë.

Ndërkohë, siç kemi thënë kur filluam këtë nismë më 18 Mars 2013, peticioni do të qëndrojë i hapur deri në inaugurimin e veprës sipas standardeve, në mënyrë që kjo vepër jetike për Dibrën dhe zonat e tjera të injoruara të përfundojë sa më shpejt.

Peticioni mund të nënshkruhet këtu: https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit?fbclid=IwAR05P1M1t_NWQPF6T0O3UAJaAGlosRrD2nFl1Y1rF4Hm6Xa8TIl4IHm-47Q

Please follow and like us: