Shqiptarët mësyjnë Europën si azilantë
Për periudhën 2009-2018, numri i aplikimeve për herë të parë për azil nga shqiptarët ishte 178,515, duke u renditur vendi i parë i Europës për nga numri i lartë i azilantëve, sipas shifrave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor.
Rekordi u arrit në 2015-n, kur kishte rreth 69 mijë aplikime, për të zbritur në rreth 33 mijë në 2016-n, dhe 26 mijë në 2017-n. Në raport me popullsinë Shqipëria renditet e para në botë për numrin më të lartë të aplikimeve për azil në BE, duke kaluar edhe popujt që ikin nga vendet me konflikte.
Flukset më të larta kanë qenë fillimisht drejt Gjermanisë, ku sipas të dhënave akumulative prej 2009 kanë aplikuar rreth 84 mijë shqiptarë, ose 47% e totalit të aplikimeve në dekadën e fundit. Numri më i lartë i aplikimeve ishte në 2015-n, me 54,760 kërkesa për azil. Më pas Gjermania kishte kritere më të forta për pranimin e azilantëve që kërkonin azil ekonomik, duke i dhënë prioritet kryesor të ikurve nga vendet e luftës dhe në vitin 2018-n kishte vetëm 1875 aplikime nga Shqipëria, shkruan Monitor.
Rreth 41 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në Francë që prej 2009-s, duke u renditur vendi i dytë pas Gjermanisë me numrin më të lartë të azilkërkuesve, ose 23% e totalit të aplikimeve në dekadën e fundit. Aplikimet janë rritur vitet e fundit, duke u bërë dhe vendi më i preferuar për të aplikuar si azilant për shkak të lehtësive që ofronte shteti francez, sidomos për familjet me fëmijë të vegjël.
Aplikimet në Mbretërinë e Bashkuar kanë dukshëm diferencë me Gjermaninë dhe Francën. Prej 2009-s atje aplikuan rreth 13,600 shqiptar, rreth 8% e totalit të aplikimeve.
Greqia është e katërta në renditje, ku në 10 vitet e fundit ka pasur rreth 9,500 aplikime. Pas saj, e ndjekur nga Suedia me rreth 9,245.