120 vjetori i lindjes së Llazar Fundos/’Martiri i Demokracisë’ që u pushkatua nga Enver Hoxha
Sot është 120-vjetori i lindjes së intelektualit koçar, “Martir i Demokracisë”, Llazar Fundo, i cili u pushkatua 75 vite më parë nga regjimi komunist.
Llazar Fundo lindi më 20 mars 1899 në Korçë. Mësimet e para i mori në vendlindje. Kreu Liceun francez të Selanikut. U diplomua për drejtësi në Paris. Më 1923 u kthye në atdhe me profesionin jurist. Ndërkohë mori pjesë në Shoqërinë Bashkimi (1922-1925).
Pas vrasjes së Avni Rustemit më 1924, u zgjodh kryetar i saj. Drejtoi edhe gazetën “Bashkimi”. Në mbarim të dhjetorit, kur Qeveria demokratike e Nolit ra, u largua nga atdheu për në Itali, Austri, Gjermani, Francë e Rusi.
Gjatë kësaj kohe bashkëpunoi me gazetën e nacionalistëve shqiptarë “Liria Kombëtare”. U diplomua për filozofi në Moskë. Mandej dha leksione të kësaj lënde në Leningrad (sot Peterburg). Më 1934 i dënuar me vdekje nga Kominterni, u arratis nga Rusia.
Jetoi i fshehur në Francë, Belgjikë, Zvicër e Gjermani. Më 1939 u kthye sërish në atdhe për të marrë pjesë në rezistencën kundër pushtuesve italianë, por në vitin 1941, u arrestua dhe me shumë të tjerë u internua në Ventotene të Italisë. Më 23 shtator 1944, mbylli sytë i pushkatuar nga partizanët shqiptarë në Kolesjan të Kukësit. Në vitin 1995 u shpall “Martir i Demokracisë”.
Llazar Fundo apo siç njihej ndryshe Zai Fundo ishtë një idealist, i mprehtë në shkrime, kritizer skurpuloz, njeri i penës dhe i formuar në universitetet më të mirë të kohës që jetoi, aktivist shoqëror e veprimtar i shquar politik, njohës i përkryer i 9 gjuhëve të huaja.
Llazar Fundo është intelektuali që në vitin 1941 bashkë me intelektualë të tjerë ndërkombëtarë mori pjesë në hartimin e manifestit të Ventotenës për një Europë të lirë dhe të bashkuar që inkurajonte krijimin e një federate të shteteve europiane, që ishte menduar të mbante vendet e Europës larg luftës.
Pak kohë më parë, historiani Uran Butka në emisionin “Opinion” të gazetarit, Blendi Fevziu e solli në vëmendje këtë gjenezë të Bashkimit Europian, ndërsa shtoi se në muzeumin e historik të Ventotenës janë dokumente që flasin për figurën e Llazar Fundos.
Në 45 vitet e jetës, Zai Fundo udhëtoi pothuajse kudo, propagandoi atë që mendoi se ishte kauza e madhe e jetës së tij. Por, pa e kuptuar edhe vetë u bë i pari shqiptar i zhgënjyer nga ajo kauzë, nga komunizmi. Ai ishte një nga figurat kryesore politike me bindje të majta në Shqipërinë e kohës së mbretërisë dhe gjatë Luftës II Botërore. Njihej personalisht me figura të shquara në rang botëror, si me Heminguejin, Barbysin, Rolanin, Kashenin, Leopold Infeldin, Ajnshtajnin. Këta, si edhe shumë të tjerë i kanë dhuruar verat e tyre me shënime autografi.
Në ditët e Revolucionit Demokratiko-Borgjez, kryesuar nga peshkopi ortodoks Fan Noli, që erdhi posaçërisht nga SHBA më qershor 1924, Fundo ishte ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të këtij të fundit, bashkë me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Hasan Prishtinën, Tajar Zavalanin, etj. Ishte 25 vjeç, dhe qe një prej veprimtarëve më me zë dhe gëzonte reputacion të madh.
Pas rrëzimit të qeverisë Noli, Fundoja shkoi në mërgim bashkë me disa miq të tij, shpënë për studime në Bashkimin Sovjetik me rekomandimin e Nolit, dhe bëri pjesë në seksionin komunist shqiptar të Kominternit, i mbiquajtur KONARÉ. Më 1933 gjendej në Berlin bashkë me Gjergj Dimitrovin, kur ky i fundit iu nënshtrua një procesi në gjykatën e Lajpcigut, me akuzën se kishte dhënë urdhër për djegien e Rajhshtagut. Pas lirimit prej akuzave të të pandehurit, Fundo, Maria Margaretha Stemmer, gruaja me të cilën bashkëjetonte dhe që kish gjetur edhe një prej avokatëve të grupit të mbrojtjes, si dhe miku i tij Dimitrovi u arratisën në fillim në Paris dhe më pas në Bashkimin Sovjetik.
Në këta vite të gjatë mërgimi (1924–1939) Fundo shkroi artikuj për gazetën «Çlirimi Nacional», drejtuar prej tij bashkë me Fan Nolin, Halim Xhelon, etj. Luajti edhe një rol të rëndësishëm në organizimin e vullnetarëve shqiptarë që shkuan të luftonin kundër Frankos në mbrojtje të republikës spanjolle dhe në organizatën politike «Fronti Nacional», i krijuar në Paris më 1936. Mes viteve ’20 dhe ’30 ishte një prej bashkëpunuesve më të mëdhenj të periodikut «La Fédération Balkanique», që botohej në Vjenë në disa gjuhë.
Por, në vitet 1937–38, (periudha e spastrimeve të mëdha), u zhgënjye dhe indinjua nga diktatura barbare e Stalinit. I marrë në hetuesi nga çiska e Kominternit, arrin të shpëtojë falë miqësisë me Dimitrovin dhe të arratiset në Francë (1937), Zvicër dhe në vende të tjera në Europë.
Më 1938 Fundo preu çdo marrëdhënie me Kominternin. Pak para pushtimit fashist të Shqipërisë (1939), Fundo u kthye në Korçë, duke u marrë me propagandë politike antifashiste kundër pushtuesve italianë. Arrestohet në Maj 1939ne Korce dhe nga policia e kuesturës italiane të Tiranës u internua në kampin e Ventotenes, si kundërshtar i rrezikshëm i regjimit musolinian. Pas rënies së fashizmit, me gjithë presionet miqësore e vëllazërore të disa socialistëve italianë (mes të cilëve Sandro Pertini, që u takua për herë të fundit me të në Romë, në gushtin e vitit 1943) që donin ta bindnin të qëndronte në Itali, për të luftuar fashizmin bashkë me ta, Fundo vendos të rikthehet në Shqipëri për të luftuar me bashkatdhetarët e vet, përfshi dhe komunistët, kundër pushtuesve nazifashistë.
Llazar Fundo u arrestua nga forcat partizane me 23 shtator 1944 . I zënë rob nga partizanët e Enver Hoxhës ndërsa ndodhej në Kolesjan të Kukësit, afër Gjakovës, bashkë me vëllezërit Kryeziu (edhe ata, ish-të burgosur në Ventotene dhe antifashistë, po jo komunistë) dhe një mision ushtarak anglez, pasi u torturua barbarisht, u pushkatua si trockist dhe «renegat» me urdhër të Hoxhës, ky vetë ekzekutor i një urdhri të Titos dhe Kominternit moskovit, në shtator 1944, në moshën 45-vjeçare.
Megjithëse e ka persekutuar, Enver Hoxha e ka pranuar për herë të parë që Zai Fundo ka qenë një figurë e shquar, një intelektuar dhe një njeri i përgatitur.
Në vitin 1995 presidenti i atëhershëm, Sali Berisha, e nderoi me titullin e lartë “Martir i Demokracisë”, ndërsa në maj 2017, ish-presidenti Bujar Nishani, i ka akorduar “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” intelektualit Llazar Fundo.
Jeta e Llazar Fundos:
Llazar Fundo,i njohur si Zai Fundo ishte aktivist dhe kryetar i shoqërisë “Bashkimi” të Avni Rustemit, një eksponent i njohur i lëvizjes komuniste, më pastaj gazetar, social-demokrat, veprimtar i Ballit Kombëtar. Ndërkohë mori pjesë në Shoqërinë “Bashkimi” (1922-1925) dhe pas vrasjes së Avni Rustemit më 1924, u zgjodh kryetar i shoqërisë dhe drejtoi gazetën “Bashkimi”. Në mbarim të dhjetorit, kur Qeveria e Nolit ra , u largua nga atdheu për në Itali, Austri, Gjermani, Francë e Rusi.
Gjatë kësaj kohe bashkëpunoi me gazetën “Liria Kombëtare” e Omer Nishanit. Gjatë qendrimit në Vienë aderon në Federatën Komuniste Ballkanike, që kishte në brendin dhe Komitetin e Kosovës, ku Zai Fundo ishte aktiv. Më pas emigron drejt BRSS-së, diplomohet për filozofi në Moskë dhe jep leksione të kësaj lënde në Leningrad dhe anëtarësohet në Komintern.
Merr pjesë në Kongresin e 8-të të Federatës Komuniste Ballkanike ku diskutoi rreth formimit të partisë komuniste në Shqipëri, duke ndihmuar të formohet Grupin Komunist të Korçës.
Me 1933 ndodhej në Gjermani ku sheh Zjarrin e Reichstagut dhe largohet drejt Bashkimit Sovjetik me të gjykuarin e Leipzig-ut, Georgi Dimitrov. Dënohet me vdekje nga Kominterni për qendrimin kundra stalinist më 1938, por Dimitrovi ,atëherë prijës i Kominternit -,e rrëzoi vendimin.
Me 1939, pas pushtimit italian kthehet në atdhe dhe nisë punë si mësues gjimnazi. Hiqet pas një viti për veprimtarinë e tij anti-italiane bashkë me Ali Këlcyrën, me të cilin puqet dhe në mendimin politik të qendrës së majtë. Kapet nga italianët dhe internohet në ishullin famëkeq të Ventotenes. Atje do ishte bashkë me Safet Butkën, Muzafer Pipën, Isuf Luzajn, Altiero Spinellin dhe Sandro Pertinin.
Fundo ishte bërë komunist në Paris gjatë studimeve universitare. Duke qenë se besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja e jo pak gjuhëve, angazhimi i tij politik kishte arritur përtej Shqipërisë, dhe kur Dimitrov ishte arrestuar pas zjarrit në Rajhshtag, Fundo ishte në Berlin si një nga bashkëpunëtorët e tij. I kishte shpëtuar arrestimit dhe kishte rihyrë në Moskë ku punonte në Internacionale. Kur nisi era e spastrimeve të mëdha, ai, komunist besnik, por i edukuar në një atmosferë kulturore liberale në vendet demokratike, kishte frekuentuar jo pak kundërshtarë të Stalinit…
Në Ventotene ishte afruar në mënyrë të natyrshme me ish- komunistët dhe socialistët me të cilët fliste shpesh për mallkimin e regjimit të Stalinit. Përndryshe shëtiste i qetë,i drejtë, i bukur me flokë bjond që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit që ishte duke lexuar në greqisht, duke kërkuar tek tekstet antike qetësinë e shpirtit që ia kishte marrë dështimi i përvojës së tij komuniste dhe që nuk e gjente gjëkundi… Pas 8 shtatorit kur u lirua dhe grupi i fundit i të internuarve të Ventotenes, Lazar Fundo zbriti në bregun puliez, kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë duke u thënë kush ishte dhe që po vinte të luftonte me ta, u vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s’ishte dyzetë vjeç. Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton”.
Me dy federalistët italianë bashkë me mikun e tij Stavro Skëndin hartojnë Manifestin e Ventotenes.
Pasi regjimi fashist mori tëposhten e tij më 1943, megjithë mbështetjen vëllazërore dhe miqësore që i dha Sandro Pertini, në një takim të fundit me të në Romë, në gusht 1943; që donte ta bindte për të qëndruar në Itali për të luftuar me të fashizmin, ai vendos të kthehet në Shqipëri për të luftuar. Bashkohet me vëllezërit Kryeziu dhe misionin britanik pranë tyre në Malësinë e Gjakovës.
Në shtator 1944 kapet nga partizanët jugosllavë në malin Dobrej të Tropojës dhe i dorëzohet komunistëve shqiptarë. Dënohet për “trockizëm” dhe bashkëpunimin me Shërbimin Informativ Britanik. Arrestohet dhe vritet nga forcat partizane në Kolesjan të Kukësit më 23 shtator 1944.
Në radiogramin e Enver Hoxhës më 21 shtator 1944, thuhet: “Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni” ./ CNA.al