Kutërbimi i Kuvendit, nga Brisku që është bërë Maliq deri te Karamelo, ja CV e opozitarëve të rinj që fundosin kryetarët e partive
Tre deputetë të rinj nga radhës e LSI pritet të marrin sot mandatin në KQZ dhe më pas të betohen në parlament, duke zëvendësuar kështu deputetët që i dogjën mandatet. Deri tani kemi 11 deputetë nga PD dhe LSI të cilët janë betuar dhe tashmë janë përfaqësues të Opozitës në Parlament. Po kush janë ata? Cili është shkollimi i tyre? Më poshtë keni listën e plotë me emra dhe CV të zbardhur nga formularët e vetëdeklarimit.
1 YLLI SHEHU, deputet i LSI Tiranë
Nuk është hera e parë që është në kuvendin e Shqipërisë, Ylli Shehu në 2013 u zgjodh deputet në qarkun e Tiranës nën siglën e PR ndërsa në 2017 ishte pjesë e listave të LSI. I lindur në Kukës, deputeti Ylli Shehu pranon se është dënuar në formë të prerë nga Gjykata e Tiranës me 200 000 lekë gjobë për kontrabandë. Ylli Shehu ka ndryshuar dhe mbiemrin, ku më përpara e kishte Lala.
Ylli Shehu ka nisur studimet e larta në vitin 2009 në Universitetin e Tiranës në Fakultetin Ekonomi, por ende nuk ka arritur të marrë diplomën. Ndërkohë që në 2006-2011 ka përfunduar studimet për drejtësi në një universitet privat, i cili tashmë është mbyllur nga qeveria Rama.
2 – AURORA MARA, deputete e LSI Dibër
E lindur në Dibër, Mara është rikthyer në Shqipëri pas studimeve në Itali. E vendosur në Tiranë, ajo ka qenë pjesë e administratës nga viti 2014-2017. Mara ka përfunduar dy master jashtë vendit, ndërkohë që ka hapur dhe një studio të saj.
Aurora Mara nuk është hetuar asnjë herë për ndonjë vepër penale. Ndërsa u bë pjesë e listave për kandidatë për deputet për herë të parë në 2017 nga LSI në Dibër.
3- EDMOND RRUSHI, deputet i LSI Tiranë
Edmond Rrushi ka pranuar të marrë mandatin e deputetit për kryeqytetin. Ai ka jetuar në vitet 1991 deri në 2002 në Verona të Italisë dhe nuk është ndaluar në asnjë moment nga drejtësia shqiptare dhe ajo e huaj. Por ajo që vihet re në CV e zotit Rrushi të dorëzuar në KQZ, është se ai ka filluar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2001, kohë kjo që në fakt deklarohet po nga vetë ai se vijonte të jetonte në Itali. Ndërkohë pasi ka përfunduar studimet në Drejtësia ai ka përfunduar masterin në një Universitet privat, aty ku ka vijuar dhe karrierën si pedagog.
4-ENVER ROSHI, deputet i LSI Elbasan
Deputet në qarkun e Elbasanit, nga Rroshi mbiemri i tij tashmë është Roshi.
Roshi ka kryer disa studime pasuniversitare jashtë vendit. Në 1995-1996 ka qënë në Universitetin e Padovës në Itali, e më pas ka kryer një vit akademik në Jeruzalem në Izrael. Ndërsa në 2006 dhe në 2013 ka kryer specializime në SHBA. Roshi mban titullin profesor doktor në fakultetin e Mjekësisë së Tiranës. Roshi ka ndoshta një nga CV më të pasura në fushën e tij akademike dhe profesionale nga deputetet në Kuvendin shqiptar. Ai ka nisur punën si mjek që në vitin 1986 në Kukës, e tashmë duke arritur majat në fushën e mjekësisë. Ai është pjesë e LSI që prej vitit 2005, kohë dhe kur kandidoj si deputet në qarkun e Elbasanit.
5-LEFTER MALIQI, deputet i PD Berat
Që në fushatën elektorale të 2017 Lefter Maliqi braktisi PD dhe mbështetësve të tij ju kërkoj votën për PS. Në formularin e dekriminalizmit Lefter Maliqi pranon se ka ndryshuar mbiemrin, ku më përpara e kishte Brisku. E jo vetëm kaq edhe data e lindjes ka ndryshuar. Nuk i pëlqen shtatori ndaj muaji i lindjes është zgjedhur nga Maliqi të jetë shkurti. Megjithatë Maliqi nuk ka deklaruar ndonjë dënim apo masë sigurie penale brenda apo jashtë vendit.
Ndërkohë ka jetuar për disa muaj në SHBA dhe në Angli, Maliqi thotë se ka përfunduar studimet e larta, por degën vitin dhe universitetin nuk e thotë në CV e dorëzuar në KQZ. Madje Maliqi thotë se ka përfunduar master shkencor, por edhe këtu mungon viti i studimeve. Nuk është hera e parë që ai ushtron mandatin e deputetit.
6-MAJLIDA HALILAJ, Deputete e PD-se Tiranë
Deputete në qarkun e Tiranës me një formular dekriminalizmi të pastër, ashtu si në fakt ka ndodhur me zonjat që kanë pranuar mandatin e deputetit. Ajo ishte e renditur e 47 në listën e PD për qarkun e Tiranës. Në CV e dorëzuar në KQZ ajo thotë se ka përfunduar arsimin e lartë, por aty mungon viti, universiteti dhe gjithë të dhënat e tjera për studimet e saj. Nuk ka asnjë kualifikim dhe thotë se ka 13 vite punë. Por ku? As këtë zonja Skënderi nuk ka referuar ta thotë në CV e saj.
7- EDIOLA BRAHA, Deputete e LSI Gjirokastër
Ediola Braha është deputetja e qarkut të Gjirokastrës, e cila më herët mbante mbiemrin Pashaj. Ajo nuk ka emigruar për të jetuar në asnjë vend tjetër, por ka qëndruar me pushime për disa muaj në Athinë. Zonja Brahaj ka përfunduar studimet e larta për gjuhët të huaj në Univeristetin e Gjirokastrës në vitin 2001 dhe dy vite më vonë nisi studimet për Administrim Biznes në një universitet privat, i cili sot është mbyllur nga qeveria Rama. Edhe pse universitet privat studimet i kanë zgjatur plot 7 vite nga 2003 deri në 2010.
8- EDLIRA HYSENI, Deputete e LSI Durrës
E vendosur e 6 në listën për deputet në këtë qark, Edlira Hyseni bëhet pjesë për herë të parë e Kuvendit. Në formularin e vetëdeklarimit ajo është e pastër, teksa ka ndryshuar vetëm mbiemrin pas martesës. Hysenit i janë dashur 6 vite për të përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, nga vitit 1995 deri në 2001, ndërsa më pas për 3 vite ka kryer studime në Universitetin e Firences në Itali. Pas kthimit në Shqipëri në 2008 ajo u punësua në zyrën e nënës së saj dhe dy vite më pas Edlira Hyseni hapi studion e saj private.
9- ELDA HOTI, deputete e LSI-së Lezhë
E lindur në vitin 1992 Elda Hoti bëhet pjesë e kuvendit për herë të parë. Ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në nivelin master në vitin 2015. Një vit më vonë zonja hoti ëhstë bërë nënë për herë të parë, cka ka bërë që ajo të udhëtojë drejt Italisë për të zgjedhur si vendin e lindjes së fëmijës së saj. Në CV e saj të dorëzuar në vitin 2017 në KQZ ajo nuk ka asnjë eksperiencë pune, e duket se dhe puna e parë për të është deputetet. Sa me fat ta nisësh kështu karrierën!
10- LIGORAQ KARAMELO, deputet i PD Korçë
Nuk është hera e parë për Ligoraq Karamelon në Kuvend. Karamelo ka qënë deputet në kuvendin e Shqipërisë nga viti 1997 deri në 2005, ndërkohë që ai ishte në listat e PD në zgjehdjet e 2017. Karamelo ka vendosur të thyejë vendimin e demokratëve dhe të bëhet sërish pjesë e kuvendit. Në formularin e ti të dekriminalizimit gjithçka është e pastër, ndërkohë jashtë vendit ka emigruar vetëm për disa muaj në vitin 1996. Ai thotë se ka përfunduar arsimin e lartë dhe ka qënë mësues, por mungojnë vitet dhe universiteti, ndërsa thotë në CV e tij dorëzuar në KQZ se ka kryer kualifikime pasuniversitare vetëm përpara shembjes së regjimit në vitet 1983-1984.
11 – ALBAN ZENELI, deputet i PD Kukës
Është hera e dytë që ulet në karrigen e deputetit Alban Zeneli. Në formularin e deklarimit ai pranon dy dënimet e formës së prerë nga drejtësia. Ndërsa ka kryer 6 muaj burg në vitin 1992 për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, sërish në 1996 ai është gjobitur me 30 000 lek gjobë për kundërshtim të punonjësit të policisë. Në CV e dorëzuar në KQZ në 2017 ai thotë se ka përfunduar studimet e larta, por mungon dega dhe Universiteti dhe viti. Teksa ka kryer kualifikim master për Sigurinë. Sërish dhe këtu mungon koha e studimeve dhe Univeristeti. Ndërsa si eksperiencë pune thotë se ka qenë deputet në disa vende të tjera e që shkrimi është vështirë ti dëshifrohet. /Tempora, Ora News/