Zaharias Papandoniou: LUTJA E FUKARAIT
Imzot tani që darka vjen, të falem përgjëruar.
Veç shpirtit tim në këtë botë kërkënd nuk kam trazuar.
Të dashurit më lanë mbi trup veç njolla lemerie.
Unë dhimbjen time e përball. Të botës pse ma bie?
Gëzimet shkuan edhe vanë. Të kthehen s’ u kërkoj.
Pres të më vejë zi e më zi. Mëkat që të shpresoj.
Me ngazëllim e adhuroj unë tmerrin sterrë të natës.
Në derën time s’ troket kush veç erës dhe shtërngatës.
Lëvdata s’ kam. Të thjeshta qenë bëmat e jetës time.
Dëgjova shiun ëmbëltar. Sodita perëndime.
U dhashë fëmijëve plot gaz dhe përkëdhela qëntë.
Pa përshëndeta plot barinj që ktheheshin me dhëntë.
Tani nuk kam asgjë të zboj, asgjë s’ kam për të mbajtur.
Edhe nuk pres asnjë shpërblim. Aty mendjen s’e çova.
Më bëj gajret të nisem shpejt të shkoj ku duhet vajtur…
Faleminderit për ç’ do mal, për fushat që gëzova!
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, shkurt 2013.