Buqetë poetike nga Kozeta Zavalani
- Në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë
Midis poeteshave
nga bota bërtas
Në tregun e sendeve të vjetra
kohën thërras.
Gjej vlera të humbura
e i kthej në varg.
Zgjedh ç’më duhet,
ashtu si mollët në pazar
Mbush trastën
e zbrazur nga zhurma
e ditës.
Kur mbetem me
vetveten
heshtas pëshpëris
Dashuria ka të njëjtën
peshë kur matet
Shndërruar në dëshirë
të ditës ngujuar.
Kujtime të humbura
të kohës së shkuar
Si fytyra të panjohura
në qytet të huaj
Akrepat e orës
më përplasen në sy
S’më lëviz gjaku në deje,
ndjej trishtim.
Nuk di ku ndodhet
adresa ime.
Pyes e nuk më përgjigjet
asnjeri
Ndoshta e gjej mbështjellë
në arrna kohe
Në dashurinë që
ka marrë arratinë
pakthim…
- Mars
Me kurorrë lulesh
në kokë
Mureve të shpirtit shoh
vitet që ikin
Si tela kitare që
lëshojnë melodi
Në këtë ditë të veçantë
urimesh
Ngarkuar me plot
dashuri…
Vitet e mia, si ujëvara
rrjedhin
Kristaleve të shpirtit
tim:
Ndalur të çlodhin pak
sythat
Mbi degët e gjelbra
të vargjeve…
Ju lutem,
Mos ma hiqni kuroren
me lule
Mos ma zëvendosni
me tela gjembash,
që të më kryqëzoni
me gozhdë, si Krishtin
sepse unë mbrëmë fjeta mbi re,
Sepse bëra dashuri me yjet,
Sepse qëndisa me ëndrra qiellin.
Mbi klithmat e fatit tonë
dhimbjet i arrnova me diellin…
- Grua
Nuk mposhtesh
as nuk trembesh lehtë.
Përçmon të dobëtit,
gjendjen e amullt,
të ngathët,
pa rrugëdalje,
sepse plogështia
mbjell gjithnjë trishtim
e vdekje.
S’ka qetësi për shpirtin tënd
si diell,
sikundër nuk ka varrezë
për zogjtë në qiell.
Merr çdo grimcë
të ditës,
i bën copëza jete
të pathyeshme,
që nuk vdesin kurrë.
Sepse çfarë sheh e
prek përqark
na përket të gjithëve.
Atë që të përkëdhel
gëzueshëm këtë çast,
i fal botën mbarë.
I fal besën e shpresën,
duke përzgjedhur,
vorbullës së jetës.
I jep forcë kurajos
së tkurrur.
Mbush me gjithçka
jetën e zbrazët,
të pafat.
Mbi zhgënjimet
ëndrron,
sepse mbi gjithçka,
ti beson.
- Sot
Sot, gjethet këpusin
fundin e stinës
me llërët e zhveshura
të drurëve.
Ne, poetë në gjithë
botën
jemi mbledhur me dashurinë
përqafuar,
si vetulla e dritës
në breg horizonti
nga dielli mbetur
pambuluar.
Stina me duart e portës
së shpirtit,
këput gjethe klorofili
nga hapësira,
ku qirinj trëndafili shuan
nata,
spërkatur me petale
ylberesh
nga qerpikët e yjeve,
dashuruar
këtë botë mjerane
për të ndryshuar.
- Indeve të shpirtit
Me gishtat e erës kreh
flokët e reve,
Në gushën e qiellit
fshehur.
Koha ngec në grackën
e kujtesës
e rrjedh ngadalë,
sikur s’do të mbarojë kurrë.
Dita humbet ngjyrën,
tejzgjatet pafund.
Kujtimet e avullta
zbehen,
gremisen honeve
të kujtesës
në shkretëtirën
e përgjumur,
ku ankthi tretet përvëluar.
Përmallshëm arnoj
kohën e grisur që të mos mbetet
e ngujuar
me copëza ëndrrash përqafuar.
Indeve të shpirtit.