Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Fole si në çerdhe, Rudinë!

 

 

 

Lëvizje e re? Politikë e keqe? Frymë të re për t’i dhënë fund tranzicionit në Shqipëri etj? Janë fjalët e Rudina Hajdarit, deputetes së mbetur të PD-së në këtë parlament që sido ta arnojë pozita, Edi Rama apo vendimet personale të kujtdo, ka mbaruar një herë e përgjithmonë si kuvend. Janë fjalët e vajzës së liderit të lëvizjes studentore, që vërtetoi katërcipërisht se thënia e popullit, ‘bëm baba të të ngjaj’, jo gjithmonë ka vlerën e duhur. Rudina foli sot në atë të ashtuquajtur kuvend jo si bija e babait, por si një fëmijë e çerdhes nr 4. Keq, pa asnjë nerv, pa gjak, me kujdes të tepruar për lukun. Nuk e di kush i ka fryrë në vesh, por është këshilluesi më i keq, më bajat sidomos për të bijën e atij që kudo ku shkelte e drithëronte ambjentin. Megjithatë nuk ka faj, është produkt listash. Dhe njësoj për të na bindur se jo domosdoshmërisht background-i familjar të të vlej për të kapur një post a një ofiq. Ai kuvend ku ti fole ka vdekur, ktheje nga të duash, apo arnojeni si të duash. Ka pushuar së ekzistuari dhe është një turp intelektual të flasësh për qytetarët, në emër të tyre etj., po, po turp intelektual. Se me sa më kujtohet në zgjedhjet e vitit 2017, u votua për partitë. Madje atëherë fletët u bënë publike edhe përmes memove në internet. Madje atëherë të gjithë forcat politike, anëtarët e saj u kërkonin të ashtuquajturve miq të Fb, që të votonin numrin aq apo numrin kaq. E ke bërë e edhe ti, voto nr. 6, PD. Eshtë kjo arsyeja që shumë nga ne, sidomos ata që janë vigjilentë në ca ndërfutje të pushtetit të njëshave, kjo në kuptimin se sa dëm i bën demokracisë pushteti absolut etj. Dhe ja rezultati, je ti, a soji yt që pretendon se komunion me ndërkombëtarët në emër të popullit, të votuesve tuaj. Je rezultat i atij sistemi zgjedhor dhe e drejta po absolute e njëshave për të hartuar listat emërore me kandidatët. Shkurt një nga gropat e sistemit tonë që akoma nuk ka gjetur qetësinë e duhur për shkak të aleancave a pakteve të çuditshme, sidomos me partitë e vogla. Për më tepër që në Shqipërinë e pluralizmit post nëntëdhjetë janë diku aty tek 136 të tilla. Ca pakte bizarre pra që sjellin përfitim makut, apo produkte makute si rasti yt, sjellin abuzim dhe diskutime të vazhdueshme për shkak të evazivitetit të qëllimshëm. Kjo është arsyeja që edhe sot e kësaj dite, si PS dhe PD nuk përfillin të vegjëlit. Dhe ndërsa PS u ka mbyllur gojën me ndonjë bashki të dorës së tretë, a poste drejtorësh, PD i ka futur në listat e veta duke lënë me gishtin në gojë plot emra milituesish të nderuar etj. Pra ka qenë një votim kokë për kokë për partitë, kësisoj populli kurrë nuk pati mundësinë t’i njihte listat, se po t’i njihte nuk kishte për të votuar kurrë. Kësisoj nuk je ti përfaqësuese e popullit a qytetarëve në atë kuvend të mbaruar, por partia së cilës ti ia bërë në kokë.

Po është e vërtetë se vendi ka nevojë për një lëvizje të re, ku të marrë fund një herë e përgjithmonë politika e mbrapshtë, kryesisht mos dialogu etj., ka nevojë vendi për një frymë të re politike Rudina. Eshtë e vërtetë, por nuk fillon aty. Nuk fillon nga një kuvend ku idealet zëvendësohen me një rrogë mujore.

Bashën dhe PD-në mund ta kritikoj unë ditë e natë që nuk kam qenë asnjë ditë anëtar, që nuk kam qenë asnjëherë privilegj, a emër i kërkuar prej tyre, por jo ti. Kur Basha ishte për t’u kritikuar, përshembull kur bëri listat a republikën e re, kur ngriti çadrën e beduinëve, kur ngriu e shkriu faqe kamerave t’i heshte dhe i dole në mbrojtje etj. Gjithsesi nuk ia vlen të t’i kujtosh, janë rrokapjerdhje politike brenda një force, a ulje ngritje etj., megjithatë shanset ishin edhe në aspektin publik, apo në emër të qytetarëve të cilëve ti po u shërben, përshembull kur protestonin studentët, kur protestojnë ata që po u marrin shtëpitë, plehrat kimike a minatorët e ngujuar etj.

Ose rasti konkret, fermerët e Lushnjes…nga Lushnja fillon gjithçka Rudina, shko atje derdh qumështin në rrugë e të kuptosh se çfarë është fryma, çfarë është lëvizja e re, politika që ti do ngjizësh. Nuk mund t’i shërbesh vendit duke i thënë qytetarëve se prania jote ndihmon integrimin. Shqiptarët më përpara se integrimin kanë nevojë të integrohen brenda llojit, brenda përgjegjësive të tyre qofshin këto civile apo intelektuale. Në Europë dhe në botë janë integruar me kohë. Ndryshe do të të tregojnë me gisht si një milingonë me dy libreza a pasaporta, siç na pëlqen neve të mburremi. Kjo vlen më shumë për t’ia kujtuar Taulant Ballës gramafonit politik të propagandës që po e ha të gjallë atë vend, jo vajzës së Azem Hajdarit. Eshtë e tmerrshme por nga sondazhet e institutit të studimeve politike pak ditë më parë doli një listë vrastare mbi personat që kishin folur më pak dhe aspak, me kuvendarët që kishin folur më shumë etj. Dhe sigurisht që dominonte Erioni, Taulanti e ndonjë tjetër si Paloka a Berisha. Ishin në një pjesëmarrje dërrmuese memecët. Por më vrastarja ishte fakti që koha e harxhuar nga këta sejmenë të këtyre tridhjetë viteve demokraci, nuk ishin debate mbi shifra a projekte, por sharje dhe kundër sharje. Kjo mund të logjikohet fare thjesht, se në tridhjetë vjet taksapaguesi shqiptar, qytetari, ai që ty të dhimbset ka paguar miliarda me dieta e rroga, jo për efikasitetin, për ndërtimin dhe integrimin e vendit, por për sharjet në kor si të njërës ashtu dhe tjetrës palë. Dhe ngado që ta kthejmë ti je pjesë e plotë e njërës palë. Ndaj ta gëzosh atë mandat të dhuruar. Dhe uroj të dalësh frontalisht nëpër Shqipëri, por pa taka, pa luk, pa ngjirje zëri, pa oshilacione në artikulimin e problemeve, ndryshe lëri rehat ata djem që po përballem me gaz lotësjellës dhe arrestimet…

Please follow and like us: