Albspirit

Media/News/Publishing

Lasgush Poradeci: Syt’ e tu, vetëtimtarët

 

Syt’ e tu, vetëtimtarët, i mbulon pluhur i zi.
Syt’ e tu vetëtimtarët ndezin yj mi vala detesh.
Me vështrim të perënduar, kaq hirplote ti më mbetesh
Si t’i fsheh qipall’ e rëndë të paçmuarat stoli.

Kur i pash’ oh! në nat’ helmi, hën’ e largë-ish derdhur n’ ar.
Kur i pashë në nat’ helmi, ar i derdhur m’u bë zija:
M’u bë gas ndaj fërfëllonte vgjeri-i shent’ hijen e tija:
Mi shtrat flete sapo shtruar… na shij qjelli zilitar…

Syt’ e tu – enigm’e kohës; syt’ e tu – çudi pa çmim;
Syt’ e tu – çkëlqim gazmuar i skëterrës dhemshurishte.
Kish durim yll’ i zhuritur, yll me zjarr durimi kishte,
Që krijoj kaq dritë djelli, që mbaroj kaq dëshërim.

Syt’ e tu, vetëtimtarët, sillen qark gjeratorisht.
Syt’ e tu vetëtimtarët ëndërojnë-aq të qetuar.
Ndaj shtron hijen vgjeri -i shentë kur i putha-i llaftaruar,
Syt’ e tu vetëtimtarët buzëqeshnë dhemshurisht.

Please follow and like us: