Pëllumb Nako: Mjerimi në protestë, mjerimi në festë
Gjatë ditëve të protestës kam parë shumë njerëz fort të ngjashëm me njeri- tjetrin. Shënjat e vështirësive të jetës i kanë bërë thuajse të gjithë me një pamje. Fytyrën e ashpër e ka zënë tashmë dielli. Ende pa ardhur vera. Ngjyrë mundimi. Kur i sheh nga larg nuk i dallon dot se kush është i vjetër në moshë dhe kush më i ri. Njëlloj janë. Një jetë bëjnë dhe duket se ajo i ka rrënuar pa mëshirë. Vetëm nga ecja dallohen. Më të rinjtë hedhin hapa të zhdërvjellta, më të moshuarit me zvarrë. Gra tek-tuk të mbajtura mirë, por pa shkëlqim. Megjithatë shikimi tyre ka më shumë energji. Për të
rriturit koha ka ngelur në vend numëro, për të rinjtë ka ikur me shpejtësi. Edhe ata duken të plakur. Veshje që varen, të gjithë thuajse me nje model. Respekt dhe perulje për ta! Ata kanë shpresa dhe protestojnë
Të tillë, pashë edhe sot në bulevard. Ishin thirrur si për festë. Përsëri binin në sy. Gra të dërmuara nga punët e rënda, ecnin mbi taka të larta si mbi paterica. Edhe pamja e tyre e zënë tashmë nga dielli ishte rregulluar me ca te kuq buze të hedhur pa kujdes. Flokë të krehur me dhunë për t’i çuar në vendin e duhur me rastin e festës. Dukej qartë që kishin një jetë që nuk ishin kujdesur për veten. Syri nuk të shihte asnjë të stolisur mirë. Të tilla ishin në ‘Pallatin e Kongreseve’. Të gjithave veshjet u rrinin ngushtë. Modelet të vjetra. Mesa duket nga sepetet kishin nxjerë fustanet e pajës ku i kishin harruar që nga koha e martesës. Kur nuk kishin ende fëmijë dhe ishin më elegante. Burrat, të gjithë të djersitur dhe shumë syresh të shkurtër. Jo të sigurt nën xhaketat e tyre të moçme, por të mbajtura mirë, ata e mbanin jakën e këmishes të zbërthyer. Kollaren të liruar. Në to mbizotëronin dy modele: ca të holla dhe të gjata, ca shumë të trasha dhe tepër të shkurtëra. Dukej qartë se kollaret nuk kishin të bënin me kohën tonë. Modeli i tyre mesa duket përkonte me vitet kur ishin martuar.
Respekt dhe përulje edhe për ta. Por çfarë festojnë?!!!!