Tirana e Veliajt, 4 vitet e një mashtruesi klasik
Arben Rrozhani
Erjon Veliaj do të prezantojë të shtunën, me një miting të sponsorizuar nga partia në pushtet, planin për një mandat të dytë në krye të bashkisë së Tiranës. Ai u jep kështu fund dilemave dhe thashethemeve politike se nuk do ta rikandidohej më nga kryeministri dhe kryetari i partisë dhe pse dihet botërisht se Rama nuk do të gjejë eunuk më të denjë për të shndërruar Tiranën, ashtu si Shqipërinë: një m***t të madh të mbuluar me shllak të ëmbël dhe të bardhë.
Trutharët në Tiranë dhe jashtë saj janë të entuziazmuar me punën e kryebashkiakut, larjet dhe lyerjet e tij, furçat mbi trupin e dekompozuar të bashkisë së madhe, që nuk mund të mbulojnë asnjë nga problemet e shumta që nuk gjejnë zgjidhje nga pushteti vendor.
Erjon Veliaj erdhi në krye të bashkisë së Tiranës pas një letargjie katërvjeçare nga paraardhësi Lulzim Basha, i cili, vërteti fjeti, por nuk e kafshoi Tiranën në përmasat e frikshme që ka sot. Erdhi pasi bëri disa premtime minimaliste si banesa sociale, trotuare dhe semaforë për njerëzit me aftësi të kufizuara, pagesa për konviktet dhe energjinë për shkollat profesionale, ndalimin e punësimit pa siguracione, trajtim për lypësit dhe njerëzit pa strehë, dixhitalizim i të gjitha shërbimeve në bashkinë e Tiranës apo hapësira për pensionistët, si zyra të reja për tërheqjen e pensioneve.
Ai nuk ka mbajtur asnjë premtim minimalist dhe madje, për njërin prej tyre, atë të ndalimit të punësimit pa siguracione, akuzohet se është indirekt vrasësi i 16-vjeçarit Ardit Gjoklaj, trupi i të cilit u copëtua në mënyrë makabre në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në Sharrë gati 3 vite më parë, ndërsa punonte verës për të blerë librat për shkollën e mesme. Dosja e kësaj vrasjeje shtetërore është mbyllur me sukses pasi Veliaj e ka blerë gjakun e Arditit të vobektë mbi dhjetëra milionë euro që i jep firmës së paracaktuar për të rrëmbyer të gjithë tenderat e bashkisë, sepse kushëriri i pronarit të saj ishte kreu i prokurorisë së Tiranës.
Erion Veliaj ia bëri gropën Tiranës duke mashtruar banorët e saj, të cilëve u premtonte publikisht në 2015 se: “Unë e kam thënë shpesh herë në dëgjesat e ndryshme me banorët e Tiranës, se në qytet nuk ka më hapësira për ndërtim. Ndarja e re administrative ofron një mundësi ideale që ndërtimet të shtrihen drejt zonave periurbane e rurale, ashtu siç ka ndodhur në shumë prej kryeqyteteve Europiane. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë. Do t’i orientojmë ndërtimet drejt këtyre zonave, çka do të sjellë zhvillim për to dhe njëkohësisht, do të garantojë frymëmarrje për Tiranën aktuale. E thënë shkurt, nuk do të ketë ndërtime të reja në zonat me densitet të lartë,” shtoi ai.
Mashtruesi klasik vjen pas katër viteve në krye të bashkisë me CV-në e ideatorit dhe realizuesit të masakrës urbane, në bashkëpunim të ngushtë me Ramën. Drama e betonit është e pamatë. Sipas të dhënave të INSTAT, nga viti 2015 deri në mars të 2018 ai miratoi plot 492 leje ndërtimi. Boom-i i ndërtimeve përkoi çuditërisht me vitet e ‘jeshilta’ të Rilindjes, kur vendi i kanabizua dhe qindra milionë euro u përfituan nga strukturat shtetërore dhe krimi i organizuar. Shoqata e Ndërtuesve deklaronte se nuk po investonin ndërtues të njohur, por ata pa eksperiencë dhe se aty po pastrohej paraja e pistë.
Ndërtimi, edhe pse është thënë se nuk zgjidhja për ekonominë shqiptare të deformuar dhe pa model, po përdoret për përfitime imediate dhe kolosale. Me këtë plan u vu sërish në shënjestër Teatri Kombëtar, por rezistenca e shoqërisë civile dhe e artistëve e ka lënë pezull prej mëse një viti planin për ndërtimin e 7 kullave nga firma që bëri sheshin ‘Skënderbej’ dhe në një cep edhe të godinës së teatrit të ri.
Bashkia e Veliajt ka qenë prej katër vitesh një tagrambledhëse dhe gjobitëse e rezidentëve dhe vizitorëve të saj. Kocesionari i parkimeve në Tiranë, fiton vetëm nga 8 vendparkime mbi 700 milionë lekë në vit dhe këtu nuk llogariten parkimet me pagesë nëpër rrugët e Tiranës, ku janë zaptuar parkimet publike për rezidentët apo vizitorët dhe nga kjo bashkia përfiton vetëm 15 për qind të shumës.
Bashkia e Tiranës është në krye të çdo iniciative për të shtrenjtuar shërbimet për qytetarët dhe nisi me shtrenjtimin e biletës së shërbimit urban, i cili është shumë më keq se më parë dhe ai merr si shembull Prishtinën për të thënë se bileta duhet bërë 70 lekë nga 40 lekë që është që qytetarët të mos provojnë ferrin e autobusëve të paktë dhe të qelbur të operatorëve privatë.
Prej një viti banorëve të saj iu është shtrenjtuar çmimi i ujit të pijshëm, që nuk pihet, me 40 për qind dhe UKT-ja kërkon rritje tjetër për të mbuluar humbjet. Por banorët e kryeqytetit u furnizuan me më pak ujë gjatë vitit 2018, duke rrëzuar premtimin e Veliajt se rritja e çmimit do të përkthehej me furnizim dhe cilësi më të mirë, ndërsa premtimi për 24 orë ujë është thjesht mashtrim.
‘Lali’ i fiqve do të kërkojë sërish nesër një mandat tjetër. Sot në mëngjes, në një televizion, deklaroi se është i vetëm dhe bën shumë punë, nga firmosja e 1000 shkresave në ditë, nga lindjet te vdekjet. Mitomania s’ka fund dhe ‘Lalit’ i duket vetja si i dërguari i Zotit në tokë për të zyrtarizuar lindjet dhe vdekjet në bashkinë e Tiranës.
Një gjë është e sigurtë. Në Tiranën e shpërfyturuar prej tij shumë prindër nuk do të donin t’i lindnin fëmijët e tyre, ndërsa vdekja është shpëtim prej propagandës neveritëse të një mashtruesi klasik, që ka arritur të blejë, shumë më tepër se kryeministri, të gjitha mediat, por nuk do të arrijë të blejë kurrë të vërtetën, me të cilën s’ka patur lidhje asnjëherë.
*Sekretar i PR i partisë ZGJIDHJA