Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Thirrje për në funeralin e vet

 

Nuk kam më asnjë dyshim që opozitarizmi tashmë është një pushtet absolut dhe se djegia e mandateve i dha frutet e para. Eshtë kjo arsyeja që sfidat politike janë të barazvlerta me programet e mirëfillta ekonomike për të promovuar jo më liderët, por njerëzit e duhur për të qeverisur vendin. Dhe sigurisht kjo ndodh përmes qarkullimit.
Tirana dje na u dha si Pekin i vogël, një Hanoi që rri në këmbë me fitoren kundër Amerikës dhe me ekonominë e tregut me tregshitje po Amerikën. Një lloj Moske e Putinit që luan me lodrat e tija perverse etj. Një Kubë e pushtuar nga ideologjia dhe oligarkët që duan dhe bëjnë çfarë i do qejfi me tokën, resortet, detin dhe qiellin kubanez. Një Ankara që rri në pushtet me votat rurale, veton karshi mendimit ndryshe, fondamentalizmit etj. Një Tiranë kur marshonte Enveri me kongreset dhe planet pesë vjeçare, nga urrat, reshtimi, thirrjet ngrihu, gjimnastika e mëngjesit për të mundur me karabinat e Kinës destrojerët e Amerikës, një lloj kohe ushtrimesh manifestimi. Janë rezultati i një opozitarizmi pa kompromis.
Opozitarizmi duhet të jetë gati për të qeverisur.
Të gjitha thirjet e çjerra për prishje teatrosh, muzesh a ku di unë çfarë, nuk janë asgjë tjetër veçse ca grishje ankthi të të humburit për në funeralin e vet. Nuk e di përse një lider i përmasave kaq të mëdha si Edi Rama, duhet të merret me hallatet e Lulit, me humbësit, më fatalitetin e presidentit kur i ka të gjitha?! Të merret me opozitarizmin kur i ka ata në parlament. Nuk e di pse duhet të humbi kohë me turmat e opozitarizmit kur i mbush sheshet me rrogtarët. Jemi shtet administratë. Më shumë kemi administratë se popull. Kësisoj fitorja është në xhep. Nuk e di pse duhet të merret me pesë kazanë mediash, kur ka me vete pesëdhjetë. Nuk e di përse merret me gratë e opozitarizmit kur ka më shumë se gjysma e grave të Shqipërisë administratë. Nuk e di përse duhet të çirret për të prishur, kur i ka të gjitha rruspat etj.
Nuk e di përse e ha meraku për imazhin tonë kur ai na i ndreqi duke dhënë ca intervista në ca studio të huaja.
Ky është një sukses madhor. Një det i kuq… Nuk e di pse i mbeti në gojë drejtësia, kur e ka. Dhe nuk e di pse i mbeti goja tek emri i Ilir Metës, kur është me ‘të bashkëvuajtës, bashkëautor, bashkëluftëtar. Nuk e di pse shanë e shfryn aq shumë, kur punët i ka në vijë. Dhe nuk e di përse ofron a shtrin dorën e Taulantit për bashkëpunim me opozitën kur atë e ka në parlament me një emër Ligorka, a Ligoraqka, a Raqka… Nuk e di përse e shqetësojnë miliarderët e opozitës kur i ka me vete trefishin e tyre. I ka të gjitha. Përse shkumon kaq shumë? Si e tha dhe kënga: Lart më lart o shokë flamujt e kongresit/ beteja të reja/ fitore na presin… E mbani mend besoj. Por të gjitha kanë një përbashkësi, inatin e zevzekut që do ta nxjerrin nga zyra. Dhe jo vetëm aq.

Please follow and like us: