Regjimi iranian bëhet gjithnjë e më i izoluar
Shahriar Kia
Presidenti i regjimit iranian Hassan Rouhani tha vetëm pak ditë më parë se regjimi ka mundur t’i kapërcejë sanksionet paralizuese ekonomike të rivendosura nga Shtetet e Bashkuara vitin e shkuar. Ai e quajti veprimin e ndërmarrë nga administrata amerikane “të padrejtë” dhe tha se regjimi është duke punuar për t’i bërë marrëdhëniet me Irakun të ecin përpara.
Megjithatë, ka raporte kontradiktore që vijnë nga zyrtarë të tjerë të regjimit, madje edhe nga ata pranë Presidentit.
Rouhani u përpoq të theksonte se vizita e tij zyrtare në Irak ndihmoi që Irani të bëhet më pak i izoluar, por shumë të tjerë thonë se kjo nuk është aspak e vërtetë. Një publikim iranian ka cituar Presidentin e Irakut, i cili thotë se nuk dëshiron që vendi i tij të “bëhet një fushë për ngatërresa rajonale e ndërkombëtare”. Në fakt, komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, po shqetësohen gjithnjë e më shumë për praninë e Iranit në Irak; dhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Iranin, Brian Hook, ka thënë se Irani po përpiqet ta bëjë Irakun një shtet tjerër të Iranit.
Politikani i spikatur Sabah Zanganeh ka sjellë gjithashtu në vëmendje çështjet themelore midis Iranit dhe Irakut, të cilat duhet të zgjidhen në mënyrë që të mund të ketë një përparim të vërtetë në marrëdhëniet mes tyre. Ai tha se shkëmbimi ekonomik mes dy vendeve duhet të “arrijë në një formë të qartë e të pranueshme”.
Është shumë e qartë për të gjithë se prania e Iranit në Irak, përveç interesave të regjimit iranian, nuk u shërben interesave të askujt tjetër, aq më pak atyre të popullit të vuajtur të Irakut.
Rouhani shkoi në këtë vend me motive të fshehura e egoiste.
SHBA e ka paralajmëruar që më parë Iranin se “veprimtaritë e sanksionueshme” do të sanksionohen vërtetë, pavarësisht se në çfarë vendi kryhen ato.
Regjimi iranian po përpiqet ta sigurojë shtegun e tij përmes Lindjes së Mesme në mënyrë që të mund të operojë i lirë. Qëllimi është që Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të transportojnë personel, furnizime e armë, larg mbikëqyrjes ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara janë të vendosura që Irani të mos mund ta arrijë këtë qëllim.
Më herët këtë muaj, Departamenti amerikan i Thesarit shpalli se është formuar një njësi e re me qëllimin për të trajtuar kërcënimin që vjen nga Irani. Kjo njësi quhet “The Iran Finance Fusion Cell” (Qeliza e Fuzionit të Financave të Iranit) dhe është një grup i përbërë nga disa agjensi, i cili do të kërkojë mënyra për të vepruar kundër Iranit dhe “aktorëve të tij të jashtëligjshëm”.
Nënsekretarja e Thesarit të SHBA-së, Sigal Mandelker, solli në vëmendje ngurrimin e Iranit për të ndërmarrë masa mbrojtëse financiare të urdhëruara ndërkombëtarisht dhe tha se Shtetet e Bashkuara është në kontakt me Bashkimin Europian lidhur me mjetin e qëllimit të veçantë të krijuar prej tij për të ndihmuar Iranin.
BE është treguar shumë e butë deri tani me Iranin dhe është përpjekur ta paqësojë regjimin në mënyrë që ai të mos tërhiqet nga pakti bërthamor. Por ky paqësim i Iranit përçon një mesazh të gabuar pasi, në thelb, i jep regjimit dritën jeshile për të vazhduar me aktet e tij armiqësore.
Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bashkohet popullit të Iranit në dënimin ndaj veprimeve malinje të regjimit, shtypjes së popullit dhe veprimtarive terroriste e destabilizuese të tij.